Misioni fisnik i AFC-së ndërthuret me simbolikën historike të New England Conservatory, Boston në 27 maj

Nga Rafaela Prifti

Për ata që kanë dëgjuar mjekun t’ju thotë diagnozën “kancer” në çdo lloj forme të sëmundjes që prek mesatarisht 1 në 3 vetë, përballimi me një situatë të re apo edhe të rikthyer mund të jetë bërë pak më i lehtë sepse duke filluar prej vitit 2019 Albanians Fighting Cancer USA u krijua për të qenë një bashkudhëtare që të gjendet pranë në kohë të vështira. Edhe më shumë individë do përjetojnë të tillë situatë në vitin 2023 kur sipas statistikave do të ketë rreth 2 milionë njerëz të diagnostikuar me një formë të kancerit. “Sëmundja mund të jetë individuale për secilin, por në përballjen me të askush nuk duhet të ndihet i vetmuar,” thotë Roberta Panariti, nismëtare dhe drejtuese e shoqatës jofitimprurëse AFC me qendër në Boston. Të shtunën më 27 maj shoqata ka ftuar artistët shqiptarë Inva Mula dhe Genc Tukiçi për një mbrëmje me muzikë klasike duke ndërthurur misionin fisnik me simbolikën historike të New England Conservatory.

Për Robertën misioni është personal pasi vetë nisma mori shkas nga diagnostikimi me kancer i motrës së saj, Noela Kokomani. Ajo tashmë i ka mbaruar ciklet e terapisë dhe kryen kontrollet e rregullta sipas udhëzimeve të mjekut. Diagnostikimi me kancer është një moment që ndikon te personi por edhe tek familjarët dhe të afërmit. Roberta thotë se rrethi familjar përballet me sëmundjen në prizmin emocional, psikolologjik dhe financiar. Prandaj për ta luftuar kancerin duhet një qasje e shumëfishtë. Për këtë struktura drejtuese ose Bordi i AFC-së me katër mjekë specialistë dhe internistë shumë në zë, në bashkëpunim me ekipe onkologjie sipas rasteve individuale, dy specialiste të sigurimeve shëndetësore, një terapist, një dizenjatore, e vlerësojnë thellë mbështetjen e donatorëve dhe kontributorëve të bashkësisë shqiptare. Nëse e ruajmë analogjinë e betejës, shprehur edhe në emrin e shoqatës Albanians Fighting Cancer, atëherë mund të themi se kur je në “mejdan” ka rëndësi parësore armatimi që ke, të tilla si terapitë e protokollet mjekësore krahazi me pjesën financiare që është sigurimi shëndetësor për procedura të caktuara së bashku me disponimin mendor e shpirtëror ku hyjnë grupet mbështetëse dhe këshilluese.

Sado e rëndë dhe e pranishme të jetë stigma dhe sado të vështira të jenë gjetjet e rrugëve dhe mundësive për individët që duan ndihmë në përballjen me kancerin, AFC-ja është e qartë në misionin e vet. Vetëdijësimi publik nuk arrihet lehtë kur ende shumë njerëz e kanë të vështirë ta thonë diagnozën dhe në vend të saj thonë “sëmundje e keqe”, pohon Roberta. Kryetarja e shoqatës tregon sesi pas diagnostikimit të motrës së saj, ajo u befasua nga krijimi i një lloj vakumi në marrëdhëniet shoqërore, diçka që veç të tjerave, thonë specialistët, ka efekt të fortë psikologjik tek individi.

Dy motrat janë pjesë e familjes Panariti, me origjinë nga Korça dhe emër të respektuar në Boston, që nga gjyshi Argjir dhe babai i tyre Gavril. Ato i kanë zgjeruar njohuritë mjekësore për sëmundjen e kancerit që nga koha e diagnostikimit të Noelës dhe në një moment në 2019 lindi nisma dhe u krijua shoqata jofitimprurëse Albanians Fighting Cancer. Roberta dhe Noela kanë karriera të suksesshme respektivisht në industrinë e shkencave kompjuterike dhe sigurimeve shëndetësore por në shoqatë janë vullnetare sikurse edhe të gjithë anëtarët e Bordit të AFC. Gjatë pesë viteve të veprimtarisë së shoqatës, mjekët dhe ekipi i specialistëve të saj në Shtetet e Bashkuara si edhe partnerët e tyre jashtë kanë ndihmuar individë shumica e të cilëve janë në Amerikë por edhe shumë raste në Shqipëri, përveçse kanë organizuar seanca terapie fizike, kanë dërguar ndihma për pagesa të qirasë, kanë çuar paketa humanitare spitaleve në Korçë dhe Prishtinë e shumë veprimtari të tjera. Në faqen e shoqatës janë të publikuara shifrat dhe kategoritë e ndara sipas shteteve, grupmoshave dhe ndihmave.

AFC është shoqatë jofitimprurëse e përkushtuar për të ndihmuar shqiptarët në bashkësinë shqiptare në Amerikë dhe jashtë. Në këtë kuptim AFC nuk ka kufi. Por në përballjen me sëmundjen e kancerit një nga pikat kritike është mbulimi shëndetësor për procedura shpesh shumë të kushtueshme. Orientimi në kohë për tek specialisti i duhur edhe për planin më të përshtatshëm të sigurimeve shëndetësore në rastet e kancerit ka rëndësi jetike. Prandaj ndihma e specialistëve të AFC për tua lehtësuar pacientëve këtë barrë të rëndë të sistemit shëndetësor është e pallogaritshme.

Procedurat dhe terapitë e kancerit që mund të përfshijnë operacione, kimioterapi dhe rrezatime janë shumë të kushtueshme. Përballimi i shpenzimeve shkakton shqetësime dhe ngarkesa mendore te individët që janë në gjendje të rëndë shëndetësore prandaj gjetja e burimeve financare për tua lehtësuar sadopak këtë barrë ka rëndësi të veçantë për shoqatën, thotë themeluesja dhe kryetarja Roberta Panariti.

AFC ka qenë aktive edhe gjatë periudhës së pandemisë globale të Covid-it 2020-2022. Këtë vit për të mbështetur misionin e tyre dhe për të ndihmuar më shumë individë, AFC ftoi artistët shqiptarë Inva Mula dhe Genc Tukiçi në Boston. Roberta, e cila ka kryer studime për kanto në Shqipëri u kujdes të rezervojë sallën e koncerteve në New England Conservartory. Për publikun dhe ekspertët e muzikës, Jordan Hall është i famshëm për akustikën e shkëlqyer në sajë të së cilës artistët këndojnë pa mikrofon në një sallë me njëmijë vende. Por Roberta vlerëson edhe simbolikën historike të këtij institucioni veçanërisht për shqiptarët e Bostonit qysh nga fillimi i shekullit XX. Zyrat e para të Federatës PanShqiptare të Amerikës Vatra kanë qenë vetëm pak metra larg Konservatorit në Huntington Avenue. Imzot Fan Noli u specializua në degën e muzikës bizantine dhe u diplomua këtu në 1938. Njohuritë e kësaj fushe i vlejtën Nolit i cili publikoi himnet e Kishës Ortodokse Shqiptare në të dyja gjuhët shqip dhe anglisht, ndërsa muzikanti dhe themeluesi i bandës Vatra (1917), Thomas Nassi (1892-1964), me origjinë nga Dardha e Korçës, kreu studimet për flautë dhe dirigjim në New England Conservatory of Music. Për të ndihmuar një mision fisnik, AFC sjell bashkësinë shqiptare të shtunën në një vend me simbolikë historike për një natë koncerti me muzikë klasike dhe përzgjedhje nga repertori i këngëve qytetare shqiptare https://afc.ticketspice.com/afc-gala

Të gjitha ndihmat e mbledhura nga koncerti janë të caktuara për personat e diagnostikuar dhe do t’i dhurohen rasteve si familja Delvina, Kasimati e shumë të tjera. Ata e vlerësojnë mbështetjen financiare dhe njëherit shprehin mirënjohje të thellë për atë që është e pamatshme, siç është “forca, dashuria dhe frymëzimi…për të luftuar kundër kancerit tashmë jo vetëm për vete, por dhe për të gjithë ju!” “Askush nuk është varfëruar ngaqë ka ndihmuar!” është thënia e Nënës Terezë ku gjen shprehje parimi themeltar i shoqatës AFC https://albaniansfightingcancer.org/.