Mister për vrasjen e një kryepolici në Tiranë

Dritan Lamaj, ishte shkarkuar për shkelje ligji, tani shpallet “Dëshmor i Atdheut” – Kapen në Selanik të akuzuarit për vrasjen e tij

 

12 - Dritan Sheme Lamaj Kryekomisar DPQ Tirane okNjë ish-komisar policie është vrarë të dielën në rrugët e Tiranës dhe lajmi ka tronditur opinionin publik në Shqipëri. Në pah ka dalë çështja e krimit dhe sigurisë, sepse i ndjeri Dritan Lamaj ishte një oficer i lartë policie
Lajmi menjëherë është politizuar. Nga një anë kryetari i opozitës Edi Rama ia ka vënë fajin qeverisë për vrasjen, ndërsa kryeministri Sali Berisha ka reaguar duke i ofruar nderimet më të mëdha ish-komisarit të vrarë, që është varrosur në Varrezat e Dëshmorëve.
Në një kohë rekord, të akuzuarit për vrasjen e tij janë kapur në Selanik. Njëri prej tyre është një biznesmen, Arben Frroku, që e ka akuzuar më parë publikisht komisarin Lamaj për shkelje të ligjit në dëm të biznesit të tij.

Vrasja

Ish-komisar Dritan Lamaj u vra nga bresheria e automatikeve rreth ores 18.40 minuta te se dieles. Automjeti i tij u be shoshe nga plumbat. Policia qe pas vrasjes shoqeroi mbi 100 persona për t’i marrë në pyetje. Duke e cilësuar ekzekutimin si “për shkak të detyrës”, dosja është marrë në dorë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Ndihmën kryesore për kapjen e autorëve në fund e ka dhënë filmi nga kamera e një biznesi privat afër vendngjarjes.
Dritan Lamaj, 41 vjeç, me banim në Tiranë, kishte kryer një sërë detyrash në Policinë e Shtetit shqiptar, gjatë një karriere prej 20 vjetësh në Policinë e Shtetit: Oficer dhe shef krimesh në komisariatet e kryeqytetit dhe Gjirokastrës, shef i Postës Kufitare të Kakavijës, ndërsa nga viti 2010 deri në nëntor të 2012 kryente funksionin e shefit te komisariat numër gjashtë në Tiranë. Pasi la këtë detyrë, në nëntor të vitit të shkuar,Lamaj kishte denoncuar në Prokurori se kërcënohej sistematikisht me jetë nga disa persona.

Politizimi

Partia Socialiste ka akuzuar kryeministrin Sali Berisha dhe qeverinë e tij si përgjegjëse për situatën e rëndë të kriminalitetit që ka përfshirë vendin, duke mos kursyer as oficerët e policisë.

Në një deklaratë për mediat, Milena Harito ka deklaruar se kryeministri nuk mund të mjaftohet vetëm duke u bërë homazhe viktimave të krimit, por duhet të angazhohet seriozisht për ta luftuar atë dhe jo të sulmojë më kot opozitën.
“Sot është një ditë e rëndë. Sot u zhvilluan homazhe për drejtuesin e tretë të lartë të Policisë së Shtetit që ekzekutohet brenda 6 muajve të fundit.
Më i ashpëri ka qenë vetë Edi Rama, kryetari i Partisë Socialiste. “Eshtë dëshmia e tretë ulëritëse e një domosdoshmërie për të kthyer shtetin në krye të detyrës dhe se policia po tradhëtohet dhe po rrënohet dita ditës”, tha ai.

Berisha: Lamaj është dëshmori më i ri i Atdheut

Pavarësisht nga akuzat e opozitës, kryeministri Berisha kundërveproi së pari duke i bërë nderimet maksimale Dritan Lamajt, së dyti duke vënë mjete maksimale në dispozicion të mobilizimit policor për kapjen e autorëve.
Kapja shumë e shpejtë e tyre mund të ketë ndihmuar pikërisht që tragjedia të mos bëhej çështje politike elektorale.
Homazhet mbi arkivolin me trupin e Dritan Lamaj u bënë fillimisht në Shtëpinë Qendrore të Ushtrise, nga qeveritarë, kolegë dhe miq.
Kryeministri Sali Berisha mori pjesë vetë në homazhe, duke u takuar me familjarët dhe duke premtuar se: “Ky akt kriminal, barbar do të marrë të gjithë ndëshimin e merituar ligjor. Qeveria do mobilizojë çdo burim, çdo mundësi që autorët e këtij akti të shëmtuar të përballen me drejtësinë dhe gjithë rreptësinë e ligjit shqiptar”
Më pas trupi i të ndjerit u përcoll në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut. Bashkëshortja dhe e bija ishin në krye të kortezhit.

Kapen tre të akuzuar për vrasjen

Policia greke ka kurorëzuar përpjekjen e jashtëzakonshme të policisë shqiptare për të kapur sa më shpejt vrasësit e policit shqiptar. Ka qenë një treshe që po qendronte në një qytet të Selanikut, vetëm disa orë pas vrasjes në Tiranë.
Njëri prej të arrestuarve është biznesmeni Arben Frroku që ka pasur konflikt me Dritan Lamajn kur ky ishte komisar në Tiranë.
Arrestimi është bërë në orën katër të mëngjesit, në dhomën e hotelit, kur tre shqiptarët janë gjetur duke pirë uiski dhe me kokainë në zotërim.
I arrestuari i dytë është Jak Jaku, kurse personi i tretë, edhe ai me mbiemrin Frroku, është një i afëm i Arben Frrokut, i dënuar nga drejtësia grekë dhe që kishte marrë një leje 6-ditore prej burgut ku kryente dënimin.
Po sipas njoftimeve të shpërndara nga policia shqiptare për median, është ushtruar kontroll në banesat e autorëve të dyshuar, dhe në banesën e shtetasve Jakë Jaku dhe Ndue Jaku është gjetur e sekuestruar një arsenal armësh, përkatësisht: 1 armë zjarri, snajper, 2 armë zjarri automatike, tip kallashnikov, 1 armë zjarri pistoletë, tip Bereta, 2 armë gjahu, si dhe një sasi e konsiderueshme fishekësh e municione të llojeve të ndryshme etj.
Po ashtu u gjetën e sekuestruan rreth 529 gram lëndë narkotike e dyshuar heroinë, 396 gram kokainë si dhe rreth 35 gram marijuanë.
Për momentin të arrestuarit po mbahen në qeli për zotërim droge dhe armësh, por policia shqiptare është e bindur që ata janë edhe vrasësit e Dritan Lamajt dhe kanë kaluar kufirin menjëherë pas vrasjes.

Konflikt i vjetër

Një kërkim në internet zbulon se mes biznesmenit Arben Frroku dhe komisarit të lagjes 6 në Tiranë ka pasur një konflikt të vjetër.
Biznesmeni Frroku e ka akuzuar publikisht komisarin e atëhershëm se është arrestuar kot prej tij, se i ka penguar biznesit, trembur të afërmit dhe se në fund e ka rrëmbyer dhe keqtrajtuar fizikisht.
Vitin e kaluar një numër organizatash joqeveritare në Tiranë zhvilluan një protestë masivë kundër veprimeve të komisarit të lagjes, Dritan Lamaj. Disa prej tyre si Lëvizja e Re Shqiptare apo Alternativa Civile e Shqipërisë e akuzuan rëndë policin e ndjerë për dhunim të qytetarëve.
Sipas Dritan Lamajt, biznesmeni Arben Frroku ka dhënë 50,000 dollarë që ta heqë nga posti i komisarit të policisë.
Në fund, Dritan Lamaj është larguar nga posti, por nuk dihet nëse ka qenë protesta e qytetarëve apo ndikimi i Arben Frrokut që e ka larguar.
Thuhet se Dritan Lamaj është ankuar në prokurori se po e kërcënojnë me jetë dhe se kjo mund të jetë arsyeja se pse vrasja e tij ka ktheyr menjëherë vështrimin nga Arben Frroku.
Brenda pak muajsh pra, Dritan Lamaj ka shkuar nga kryepolic, në të akuzuar për dhunime, i shkarkuar, i kërcënuar, i vrarë dhe tani i shpallur dëshmor.
Disa shqiptarë që komentojnë privatisht thonë se ngjarje të tilla rrisin dyshimin se cila palë në konflikte është vërtet viktima dhe se deri ku shkon abuzimi. Me vrasjen e ish-komisarit, konflikti është mbyllur dhe duke mos ditur kush e ka nisur i pari, nuk mund të dimë nëse Dritan Lamaj e meritonte vërtet që të shpallej dëshmor i Atdheut. E vetmja gjë që duket më e qartë është se faktet tregojnë se Arben Frroku mund të mos ketë qenë viktima që pretendonte të ishte. Nëse ka pasur gisht në këtë vrasje, ai (dhe bashkëpunëtorët e tij) meritojnë dënimin më të lartë.
(Illyria në bazë të njoftimeve të policisë dhe të medias lokale)