Misteri i Putinit të distancuar

Nga Ruben Avxhiu

Pse mban Putini kaq distancë nga këshilltarët, gjeneralët dhe zyrtarët me të cilët bashkëbisedon? Madje edhe në prani të kamerave.

E ka bërë edhe me udhëheqës të huaj, si Makroni i Francës, por jo me Bolsinaron e Brazilit. Kështu që besoj në atë rast mund të ketë qenë një simbolikë për të treguar se me cilët ka marrëdhënie të mira, apo mabse respekt, dhe me cilët nuk ka. Thjesht po spekulloj.

Mirëpo, me zyrtarët rusë nuk e kuptoj.

Disa e shpjegojnë me rritje të paranojës. Ose si shenjë shqetësuese për gjendjen e tij mendore.

U tha që ka frikë nga kovidi, dyshon te besnikëria e të gjithëve etj. Putini është dikush që e kupton punën e imazheve që i serviren publikut. Nuk e kuptoj se si mund ta ndihmojnë këto mesazhe. Ato e tregojnë të shkëputur nga realiteti. Si të vetëm në vendimmarrje. Etj.

Gjatë mbledhjes me Këshillin e Sigurisë së Rusisë (në sallën e madhe) përpara fillimit të luftës, ra në sy shkëmbimi me shefin e inteligjencës jashtë vendit. Shefi që është figurë qendrore e shërbimeve të inteligjencës ruse gati dridhej kur Putin ia preu fjalën dhe e kundërshtoi. Dukej si ato inskenimet e mbledhjeve të Stalinit.

Vartësit nuk duhet të kenë frikë t’u tregojnë realitetin shefave të tyre në ato nivele, se merren të gjithë në qafë.

Ka një dallim të madh mes imazhit të Presidentit Zelensky mes trupave i veshur me uniform, dhe këtij Putini të distancuar, me fytyrë të fryrë , e fjalime me inate historike, kur njerëzit kanë probleme të ditës që nuk zgjidhen dot.

A është kjo një lojë për ta paraqitur si të marrë për të frikësuar europianët dhe ukrainasit? Apo vërtet ka filluar ta humbasë pusullën?

Kur u qendron kaq larg zyrtarëve të lartë rusë, kush ka besim te fjalët e delegacionit të mjerë që ka dërguar sot të “bisedojë” me ukrainasit?