Miti i Uillsonit apo i Leninit?

Nga Ylli Polovina

Pak ditë më parë, pra maj 2011, në një konferencë ndërkombëtare me temë emigracionin shqiptar në vendet perëndimore, edhe pse pjesëmarrësit e ftuar qenë nga bota akademike, pra të mësuar për të debatuar pa u grindur, gjithaq u fundosën në një sherr të papritur. Gjatë tre ditëve të kuvendit shkencor kishin rënë dakord apo nuk qenë pajtuar për shumë pikëpamje profesionale, gjithsecili duke ruajtur qetësisht opinionin e vet, por zënka shpërtheu për një tezë politike. Një çast dy dijetarë të huaj kritikuan ndikimin e madh të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në institucionet shqiptare, duke e vlerësuar atë si të pa drejtë, rëndues dhe autoritar. Kjo mjaftoi që prej dy kolegëve nga Tirana të pësonin reagime të menjëhershme kundërshtuese.
Në fillim studiuesit e huaj u hutuan, ngritën supet dhe panë në sy njeri-tjetrin, madje më i moshuari nga tronditja mezi mbushej me frymë, por në pushimin e parë pas përplasjes së nxehtë njëri prej tyre pranoi se mund ta kishte shmangur shprehjen e opinionit të tij personal për rolin e ShBA-së. Sapo i qe kujtuar porosia e dhënë prej një miku: shqiptarëve mos u kritiko amerikanët.
Edhe pse për shumicën e bashkëkombësve tanë kjo mendësi adhurimi për popullin dhe shtetin e madh të përtej oqeanit Atlantik është një karakteristikë e spikatur, e qëndrueshme, e vërtetë, e natyrshme dhe e sinqertë, gjithsesi në botën perëndimore, ku liria e kritikës ka kufij tolerues shumë të gjerë, ajo të vë në siklet. Një popull me ide të hapëta, i nxitur të lëvizë përpara me ritmin e shpejtë të zhvillimeve globale shumë gjithëpërfshirëse dhe ku ngrehinat e autoriteteve thërrmohen më lehtë dhe imponohen gjithnjë e më pak, duhet të shfaqë aftësi pavarësimi ndaj çdo qëndrimi të thjeshtëzuar e skematik. Ca më tepër forca e mëvetësimit dhe e qëndresës intelektuale të tij duhet të rritet ndaj prirjes për të sendërtuar një besim të verbër, për t’u bërë fanatik apo ideologjizuar, për të marrë pjesë në ngritjen e kulteve dhe pranuar pa analizë mitet.

Woodrow Wilson

Woodrow Wilson

Sepse duhet thënë që në përmasën e thekshme të adhurimit të shqiptarëve për Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të ketë pak nga të gjitha këto, mbase edhe shumë prej tyre. Pse jo edhe asgjë të tillë.
Si të gjithë popujt edhe shqiptarët parimin themelor të vlerësimit për një vend tjetër, person apo elitë, e kanë të mbështetur tërësisht mbi kriterin kombëtar. Ca më tepër duke qenë një bashkësi e vogël dhe e goditur ashpër nga dallgët përmbytëse të pushtimeve të huaja ata në këtë gjykim marrin shtysë vetëm prej ndihmës që i kanë dhënë në momentet më të vështira të mbijetimit etnik. Po prej arsyeve të tilla ekzistencialiste, edhe pse kjo mund të duket kohëshkuar e në mos primitive, janë më pak të rëndësishme kritere të tjera, më të holla, ato qytetëruese, si për shembull parimet e demokracisë me brenda paketën e madhe të lirisë të veprimit të partive politike dhe të medias.
Lidhjet e forta me ShBA-në, në rast se dëshirojmë sadopak t’i shpjegojmë, ja pse duhen më së pari vështruar prej rolit mbrojtës ndaj shqiptarëve.
Vitet më të vështira të ekzistencës sonë si komb apo çastet më të rrezikuara të pavarësisë si shtet kanë qenë katër: periudha prej kryengritjeve çlirimtare antiosmane 1911-12 deri në 1920, pushtimi fashist, regjimi komunist dhe shpërthimi nga qeveria e Sllobodan Millosheviçit e dhunës ushtarake kundër popullit të Kosovës.
Në periudhën e parë, pra në themel të kësaj historie marrëdhëniesh të veçanta shqiptaro-amerikane, ka ushtruar autoritet politik pothuaj vetëm një president: Udrou Uillson (Thomas Woodrow Wilson).
Përgjatë Luftës së Dytë Botërore qe Franklin Ruzvelt (Franklin Delano Roosevelt) dhe në vitet e kërcënimit prej një gjenocidi shtetëror serb presidenti Bill Klinton (Bill Clinton).
Të tre janë regjistruar fort në kujtesën tonë kombëtare. Sidomos Uillson dhe Klinton.
Gjatë periudhës komuniste një gjysmë shekullore kanë qeverisur shumë presidentë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për mjaft arsye, përjashto Xhon Kenedin (John Fitzerald Kennedy), asnjë prej tyre nuk ka mbetur posaçërisht në memorien e shqiptarëve.
Ndërkohë shkëlqimi i këtij gjerdani imazhesh mbetet Udrou Uillson.
Në rast se Bill Klintonit në fillim të vitit 2009 i ngritën në Prishtinë një monument, për presidentin Uillson tre çerek shekulli më parë nga shqiptarët u propozua t’i jepej emri një qyteti të tërë: portit të Shën Gjinit.
Kjo nuk ndodhi për një arsye të shpjegueshme jo me mungesën e ndjenjës së mirënjohjes për të. Do të kalonin dekada dhe emri i presidentit amerikan të viteve 1912-1920 do të lartohej pa pushim, duke u shndërruar në simbolin e këtyre marrëdhënieve, madje edhe të mendësisë shqiptare se ShBA janë natyrshëm tutori strategjik, vetë shpëtimi i fatit të tyre. Kjo prirje të gjykuari vazhdon edhe sot, madje këtë herë pa përjashtuar një rrezik: kujtimi i rolit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të prekë edhe përmasat e mitit.
Udrou Uillson hyri në kujtesën kombëtare të shqiptarëve pikërisht kur këtë shfaqje triumfale e kreu mes tyre, por mbi të gjitha në historinë e globit. Ai u bë i famshëm me programin e tij të “14 pikave”, të cilin e shpalli në një mbledhje të zgjeruar të Kongresit Amerikan në 9 janar 1918. I shprehur ndryshe ai “katërmbëdhjetë pikësh” qe një program paqeje. Lufta e Madhe, siç quhej atëherë Lufta e Parë Botërore, pasi nëpër kontinente kishte shkaktuar miliona viktima dhe rrënuar kombe e shtete, ndërsa të gjitha palët kacafytëse qenë të rraskapitura e gjëma mund të frenohej e ndalej, vazhdonte nën ritmin e një moskontrolli dhe inercie të frikshme. Ndalja e saj qe urgjente, rikthimi i paqes akoma më shumë. Platformat për këtë zgjidhje sa më të shpejtë duhej të ishin jo vetëm inteligjente dhe shumëpërfshirëse, por edhe largpamëse, garante në të ardhmen të një paqeje sa më të gjatë.
Duke qenë se nuk lypej një zgjidhje e ngutshme, një skemë e pafrytshme ku njëra palë fuste në duar të gjitha frytet e ngadhënjimtarit dhe tjetra të tëra helmet e të mundurit, projekti që afroi Udrou Uillson tërhoqi shumë vëmendje si edhe përkrahës. Pika e parë e kësaj platforme ngulte këmbë se kishte ardhur çasti për të bërë një aleancë të gjerë paqeje dhe se që nga ky moment diplomacia mes shteteve nuk duhej të funksiononte me marrëveshje dhe traktate të fshehta, por të sinqerta dhe të hapura.
Pak çaste para se ta shpallte këtë pikë të parë të programit të tij paqtues presidenti amerikan i qe drejtuar me kritika një platforme tjetër, asaj të Vladimir Iliç Leninit, tashmë prej dy muajsh kryetar i shtetit të parë bolshevik në botë, atij të Sovjetëve.
Demokracia amerikane u rreshtua kështu përballë asaj komuniste, një sistemi dhe ideologjie totalitare.
Që prej këtij çasti mes shqiptarëve përballja e madhe mes Udrou Uillsonit dhe Vladimir Iliç Leninit do të vinte nëpërmjet një rrjedhe tepër të veçantë dhe të koklavitur ngjarjesh e rrethanash.
Gara cila alternativë do t’i bënte për vete popujt e botës dhe bashkësinë e vogël numerikisht por në Ballkan të ndodhur në një territor me rëndësi gjeostrategjike mjaft të vyer, do të tendosej përgjatë gjithë shekullit të shkuar, duke lënë gjurmë të dukshme se vijon edhe sot.
Ja përse platforma uillsoniane e fillim janarit 1918 nisi si një alternativë kundërshtuese ndaj asaj të ardhur nga Moska me emrin “Dekreti mbi Paqen”. Ajo qe shpallur menjëherë pas marrjes së pushtetit nëpërmjet të quajturit Revolucioni i Tetorit. Në këtë projekt paqtimi global Lenini, tashmë me autoritetin e një shteti të madh sa një e gjashta e botës, por edhe me një sistem shoqëror ndryshe, i cili ato çaste ishte sa çudi aq edhe politikisht për të shtypurit e të varfrit plot me joshje magjike, u propozonte popujve që ishin në luftë si edhe qeverive të tyre, të fillonin menjëherë bisedimet për një paqe të drejtë demokratike dhe pa aneksime territoresh.
“Dekreti mbi Paqen” mbërriti edhe në Shqipërinë e pushtuar nga një çetë e tërë shtetesh të huaja. Ngulëkëmbja e Vladimir Iliç Leninit për të mos lejuar përvetësimet e territoreve të kombeve të tjera qe një mbështetje e madhe edhe për mbijetimin e saj, madje i kishte ardhur në çastin më të duhur. E papritura e këndshme për shqiptarët ishte se e mira këtë herë po vinte prej një shteti që tradicionalisht e njihnin si shumë të afërt me vende fqinje që ato momente po e copëtonin mes tyre.
Megjithatë në atë nëntor 1918 “Dekreti mbi Paqen” nuk depërtoi dot deri tek shqiptarët e thjeshtë dhe kështu nuk u bë dot lajm. Për pasojë ai nuk hyri dhe as u ngulit dot në memorien e tyre.
E kundërta ngjau disa ditë më pas, kur në 19 nëntor, me vendim të kongresit të dytë të Sovjetëve, për të demaskuar diplomacinë e fshehtë të Rusisë cariste, qeveria sovjetike botoi traktatet e fshehta grabitqare që ndanin botën. Mes tyre qe edhe Traktati i Fshehtë i Londrës i 26 prillit 1915.
Marrëveshjet tinëzare menjëherë pas daljes nëpër faqet e shtypit sovjetik, si të qenë një ortek i pandalshëm, mbushën edhe kolonat e të përditshmeve të botës, përfshi edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këtu shumë fragmenteve të tyre i bënë jehonë “Evening Post” e Nju Jorkut si edhe gjatë gazeta të tjera.
Thuhet se në fillim presidenti amerikan Uodrou Uillson nuk i dha shumë rëndësi efektit të këtij aksioni politik dhe po aq ideologjik të ardhur nga tashmë supershteti rival. Do të lëvizte më pas me shpejtësi, deri sa do të ndërmerrte gjestin e kundërveprimit: fjalimin në Kongres.
Në gazetat që dilnin në gjuhën shqipe në zonën austro-hungareze të pushtimit u publikua lajmi për Traktatin e Fshehtë të Londrës dhe çfarë ai kishte vendosur në pabesi për fatin e tyre: copëtimi i plotë mes fqinjëve, Serbisë, Greqisë dhe Malit të Zi. Italia përveç se ishullin e Sazanit e portin e Vlorës bashkë me rrethinat do të kishte të drejtën e protektoratit mbi një çerek shtet shqiptar, kryesisht mysliman e të shtrirë pak më sipër e ca më poshtë lumit Shkumbin, atje ku në kohën e perandorisë romake kishte kaluar rruga Egnatia.
Nga lajmi i beftë dhe tërësisht i pabesë mes shqiptarëve brenda kufijve të hapësirës etnike por edhe kudo ku të emigruar gjendeshin nëpër botë, shpërtheu indinjata.
Kështu në atë janar të vitit 1918 presidenti amerikan Uodrou Uillson, ndërsa ende kumti për fjalimin e tij “14 pikat” nuk kishte mbërritur, qe një emër shumë më pak tërheqës se ai i Vladimir Iliç Leninit. Kryebolsheviku sovjetik po bëhej përherë e më shumë simpatik mes shqiptarëve. I kishte të gjitha gjasat të shndërrohej në figurë popullore.
Dhe duke qenë se shqiptarët themelore në vlerësimin e personave, elitave apo shteteve të huaja kanë kriterin kombëtar, cili u del në mbrojtje të territorit etnik dhe të hapësirës ku kanë ngritur shtëpinë modeste të shtetit të tyre, pak prej tyre donin ta dinin në atë dimër të vitit 1918 se cili ishte kapitalizmi, kush qe komunizmi apo shoqëria socialiste, çfarë pati shkruar Karl Marksi dhe bashkëpunëtori i tij i ngushtë Frederik Engelsi për një shoqëri të ardhme, ku secili do të punonte sipas mundësisë dhe do të konsumonte sipas nevojave.
(Vijon)
Tiranë, më 25 maj 2011 

Comment

*