Mjekra e Agimit dhe “dëshmitë” e Geshkovskës

Vazhdon procedimi i rastit Monstra – “Agimi të mos e rruajë mjekrën për një muaj të tërë”, ka qenë kërkesa më e re e prokurores Geshkovska, e cila ka dashur të vërtetojë deklaratën e dëshmitarit të Prokurorisë se “personi që kishte pasur mjekër ditën kritike në Smilkovcë, ka pasur mjekër të gjatë” – “Asnjëherë Agimi nuk ka pasur mjekër më të gjatë se kaq sa sot”, ka përgënjeshtruar ndërkohë Muhamed Arifi, dëshmitari i mbrojtjes

 

Zejnulla Veseli

SHKUP, 27 qershor – Debati mbi mjekrën e Agim Ismailoviqit papritur u gjet në qendër të vëmendjes së të pranishmëve në sallën gjyqësore, në vazhdimin e procesit gjyqësor kundër gjashtë shqiptarëve të akuzuar për vrasjen e pesëfishtë në prill të vitit të kaluar. Në seancën e mbajtur të enjten, ndër të tjera, u diskutua gjatësia e mjekrës së tij, mënyra e rruajtjes, intensiteti i rritjes së mjekrës e kështu me radhë, ndërsa propozimin më interesant e dha prokurorja publike, Gordana Geshkovska, e cila kërkoi që Agim Ismailoviqi të mos rruhet një muaj, për t’ia matur në fund gjatësinë e rritjes së mjekrës së tij. Megjithëse duket qesharake, gjysma e seancës që zgjati mbi dy orë kaloi me debatin mbi mjekrën e njërit nga të akuzuarit, një debat ky që kishte për qëllim të provonte dëshminë e një dëshmitari të Prokurorisë Publike, i cili në vendin e krimit të pesëfishtë, pretendon të ketë parë një njëri me mjekër të gjatë, që prokurorisë i ka hapur mundësinë për të drejtuar gishtin ndaj Agim Ismailoviqit.
Për të hedhur poshtë dëshminë e personit të angazhuar nga ana e Prokurorisë, mbrojtja e të akuzuarve ka thirrur në cilësinë e dëshmitarit, pikërisht berberin e Agim Ismailoviqit, i cili të akuzuarin e ka qethur dhe rruar gjashtë viteve të fundit. Pikërisht berberi i tij ishte ai që ka demantuar dëshmitarin e Prokurorisë, duke u shprehur qartë para Trupit gjykues dhe të pranishmëve të tjerë në sallën gjyqësore se Agim Ismailoviqi asnjëherë nuk ka mbajtur mjekër të gjatë.
“Agimin e njoh, sepse me të jemi fqinj. Që nga viti 2006, unë jam kujdesur për flokët dhe mjekrën e tij. Katër vitet e para e kam qethur dhe rruar në dyqanin në të cilin kam punuar, ndërsa dy vitet e fundit, në dyqanin tim. Gjatë kësaj periudhe, Agimi asnjëherë nuk ka mbajtur mjekër të gjatë”, tha Muhamed Arifi, berberi i të akuzuarit Agim Ismailoviq.
Para tij, në cilësinë e dëshmitarit u paraqit Ramadan Murati, një bujk që ka punuar tokën e Fejzi Azirit, që ndodhet afër vendit të krimit të pesëfishtë. Megjithëse pikërisht afër arës që e ka punuar policia gjeti pesë trupat e pajetë dhe municionin me të cilin janë ekzekutuar katër djemtë dhe 45-vjeçari maqedonas, bujku rreth 30-vjeçar ditën kritike as nuk kishte parë persona të dyshimtë e as që kishte dëgjuar të shtëna armësh. Sipas tij, ditën kritike, ai ka qenë në arë deri në mbrëmje, megjithatë për krimin e pesëfishtë u informua në Strumicë, kur kishte shkuar të nesërmen.
“Më 12 prill unë, bashkë me punëtorët, kemi mbjellë shalqi deri rreth orës 19 e 30. Liqeni është rreth 200 metra larg arës që e ka mbajtur Fejziu me koncesion, megjithatë unë nuk pashë diçka të pazakontë. Atë pasdite, pashë vetëm një varkë dhe një peshkatar që ka peshuar brenda saj”, tha dëshmitari Ramadan Murati, i angazhuar nga ana e mbrojtjes për të vërtetuar alibinë e të akuzuarve. Sipas planit të Trupit gjykues, gjykimi është paraparë të vazhdojë sot (e premte)

Comment

*