MM: S’e bëjmë dot policimin ajror, pasi kushton miliona euro (zë)

Intervistë e ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli dhënë gazetës “Illyria” të komunitetit shqiptaro-amerikan në Shtetet e Bashkuara (Pjesa 6)

Bisedoi: Denion Ndrenika

-Tani dihet se hapësirën ajrore të Shqipërisë e mbrojnë Italia dhe Greqia, me rotacion çdo dy javë, të paktën në dijenin time. Ne harxhojmë rreth 5 milionë euro në vit për këtë policim ajror gjithmonë nën strukturat e NATO?

-Mimi Kodheli: “Ne nuk harxhojmë asnjë lek”.

-Vlera për këta avionë është 5 milion euro.

-Mimi Kodheli: “Nuk e di këtë informacion”.

-Me këtë shumë, a nuk është e mundur që të bëhet një flotë e vogël me 6 avionë reaktivë apo me një milion euro ne të përgatisim 10-12 pilotëve që ne ta bëjmë funksionale për veten tonë. Se, edhe ju si qeveri i plotësoni elemntë të punësimit, pasi ata do punësohen pranë bazave ushtarake.

-Mimi Kodheli: “E para më rezulton se i kthehemi mbrapa një diskutimi që tashmë është mbyllur për dakortësinë që i është dhënë përpara se Shqipëria të futej në NATO, se këtë gjë e bëjmë vetë (qeveria e saj kohe), por mua më rezulton se me 5 milionë euro për të zgjidhur këtë problem nuk mjaftojnë, por do të duhet të ketë shumë më shumë se kaq.
Një avion F 16 sot kushton mbi 50 milion euro, pra nëse do të blejmë dy të duhen 100 milionë euro, kur buxheti i një viti i Ministrisë së Mbrojtjes është 20 milionë euro.
Ne forcuam dhe modernizuam Forcën Ajrore me 6 helikopterë “Kugar” me vlerë 30 milionë euro të shtrirë në 4-5 vite dhe ndërkohë më lejoni t’ju them se shtrirja në 4-5 vite do të thotë i gjithë investimi shkoi për blerjen e një helikopteri në vit. Që do të thotë se Forcat e tjera çfarë bënë?

-Të rrinë dhe të ruajnë të mos ketë aksidente të tjera…

-Mimi Kodheli: “Pra u krijua një dizbalancim brenda buxhetit, midis investimeve që u bënë në Forcat Ajrore dhe atyre që u bënë në Forcat Tokësore dhe Forcat Detare.
Forca Tokësore, grup batalioni i dytë i këmbësorisë është që duhet të kemi në konsideratë. Ne jemi në rregull, e kemi trajnuar, kemi indetifikuar problemet që kemi, dhe vazhdojmë duke e modernizuar, duke e pajisur me armë moderne.
Ky është detyrimi ynë të tjerat, prandaj është dhe mbrojtja kolektive që dikush bën, një gjë dhe dikush një gjë tjetër.
Ne jemi në rregull me policimin sot, dhe më rezulton shumë e shtrenjtë për Shqipërinë, për një vend të vogël si Shqipëria, që ta bëjë këtë gjë”.

-Shpesh jeni përfshirë në debatet mbi çështjen e famshme të dekoratave për personat që kanë qenë ndihmëtarë në Luftën Nacional-Çlirimtare, por që ka dyshime sot. Mendoni se ligji që ka qenë në vazhdimësi, jo thjesht ai që keni gjetur ju apo që punoni ju, duhet ndryshuar rrënjësisht për të ndarë këta persona nga ata që u përfshinë në çështjet e diktaturës?

-Mimi Kodheli: “Unë nuk mendoj se gjërat duhen bërë rrënjësisht, se ne këto gjëra që kanë bërë rrënjësisht, vijnë një palë fitimtarë, ndryshon një gjë rrënjësisht, pastaj vijnë ca fitimtarë të tjerë dhe ndryshojnë rrënjësisht atë gjënë e rrënjësishme të mëparshme.
Unë besoj që ne nuk kemi bërë atë që duhet në vlerësimin e historisë moderne le të themi, të shekullit të fundit në Shqipëri.
Është deformuar nga fitimtarët e vitit 1944 dhe është deformuar nga fitimtarët e vitit 1992.
Ndaj, mbase duhet ta rishikojmë këtë gjë. Në të gjitha dimensionet që ajo ka, jo vetëm kur flasim për ata që kanë statusin e veteranit.
Unë jam një person që kam vënë dorën mbi Kushtetutë dhe jam betuar të zbatoj Kushtetutën dhe ligjet e këtij vendi. Cilatdo qofshin ato, ato që kemi gjetur dhe ato që kemi miratuar në Parlament.
Dhe, ju nëse gjeni që kam devijuar qoftë dhe një presje nga kjo që ju them, ju keni për detyrë që të më thoni “zonjë, e keni shkelur ligjin këtu apo atje”. Nuk besoj se kam bërë një gjë të tillë. Por, besoj shumë te një rivlerësim që i duhet bërë të gjitha figurave, pa pasur frikë dhe pa mbajtur hatër.
Këtë po, rivlerësimin e çdo gjëje që është pjesë e historisë, pa dyshim që do ta kisha vlerësuar. Pa diskutuar këtu në mënyrë specifike një emër, apo një emër tjetër”.

-Zonjë, faleminderit për kohën, përfshi atë që shtuam, të dalë disi jashtë pyetjeve të mia dhe jashtë jashtë përgjigjeve që mund të kishit planifikuar.

-Mimi Kodheli: “Nuk u treguam aq racionalë sot si herët e tjera. Disa përgjigje ishin shumë të gjata”.

-Rëndësi ka të mos mi zbrisni nga minutazhi në intervistën e ardhshme.

-Mimi Kodheli: “(Qesh) E bukur kjo! Shumë mirë që ma solle në mendje se kështu do të ndodhë”!

-Shpresoj të ndryshoni mendje. Faleminderit!

-Mimi Kodheli: “Faleminderit ju”!