MM: Shqipëria monitoron, as i shet, as i fal armë Kosovës, kurse për kurdët e kërkoi SHBA (zë)

Intervistë e ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli dhënë gazetës “Illyria” të komunitetit shqiptaro-amerikan në Shtetet e Bashkuara (Pjesa 3)

Bisedoi: Denion Ndrenika

-E përmendet Kosovën si një faktor tashmë shtet. Më thoni zonja ministre, sa studentë nga Kosova kemi në akademitë tona? A janë ata aq të aftë për t’u bërë pjesë pse jo e misioneve paqeruajtëse të Shqipërisë dhe pse nuk ndodh kjo?

-Mimi Kodheli: “Ne kemi folur në fakt në një mënyrë ose në një tjetër jemi monitoruesit, një prej monitoruesve të transformimeve që ndodhin në Forcën së Sigurisë së Kosovës.
FSK ka plotësuar gjithçka, ka bërë të gjitha detyrat e shtëpisë. Tani hapi tjetër që duhet të hedhë është një hap politik, që ka të bëjë me veprimtarinë e Parlamentit kosovar.
Problemi nuk është tek Akademitë. Ne, madje kemi çuar studentë në akademitë dhe shkollën ushtarake të Kosovës dhe për këtë më duhet të falenderoj nga zemra homologun Haki Demolli.
Por, e rëndësishme për ne është që megjithëse ne kemi kërkuar që Forca Speciale apo Forca të caktuara të bëhen pjesë, mendoj që është akoma herët, por është një gjë që do të ndodhë shumë shpejt.
Dhe ndaj le të themi që Forcat e Sigurisë së Kosovës sot po përgatiten gjithmonë e më tepër që hapi i parë, pasi FSK të transformohet në një Forcë Mbrojtëse, të mund të jetë pjesë e forcave tona në misionet tona të përbashkëta të NATO-s”.

-Është herët për shkak të kapaciteteve që kanë studentët e të dy vendeve apo për shkak të ndonjë linje kundërshtuese politike brenda NATO-s?

-Mimi Kodheli: “Shiko, janë të gjitha bashkë nga pak. Ka një proces dhe unë nuk besoj që djegja e etapave e favorizon, suksesin e një procesi.
Sa më respekt të kesh për etapat aq më i suksesshëm dhe më i qëndrueshëm është suksesi në fund të ditës.
Kështu që besoj që ata janë në rrugën e drejtë, ashtu siç edhe e ritheksova i kanë bërë tashmë detyrat e shtëpisë, thjesht dhe vetëm një proces ka nevojë të piqet qoftë edhe politikisht, për të shkuar drejt suksesit përfundimtar”.

-Të dy qeveritë në Tiranë dhe Prishtinë në mbledhjet e përbashkëta apo në takimet e ndryshme kanë arritur edhe marrëveshje apo traktate me Kosovën. A përfshihen në këto marrëveshje mundësia apo më saktë sa armatim apo municion, bazë materiale i keni dhënë Kosovës? A vazhdon Shqipëria të jetë një mundësi e mirë që ata të pajisen me armë? A është kjo një mundësi ?

-Mimi Kodheli: “Jo , kjo nuk është. Ajo ç’ka është e rëndësishme të ndaj me ju është që Kosova duhet të fillojë të jetë pjesë aktive e iniciativave rajonale të NATO-s, duke filluar “A5” apo iniciativave të tjera rajonale.
Dhe ky është hapi i parë për të kapërcyer pastaj në proçedura mirëfilli, të mirëpërcaktuara drejt rrugëtimit në NATO.
Kështu që kjo nuk ka të bëjë fare, ky është një zhvillim politik që ndodh. Kjo nuk ka të bëjë fare me armatimin.
Kosova është një vend i pavarur sot, ka buxhetin e vet të Forcës së Sigurisë. Bën prokurimet e veta, bën blerjet e veta dhe jo domosdoshmërisht ka një shkëmbim me Shqipërinë. Përkundrazi”.

-Pra Shqipëria nuk do të jetë e përjashtuar nëse ata do të kenë një politikë të tillë në blerje?

-Mimi Kodheli: “Shqipëria sot nuk prodhon, ndaj edhe nuk eksporton armatim. Shqipëria blen armatim të standardeve të NATO-s nga vendet e tjera. Kështu që nuk mund të jetë Shqipëria një vend që jep, që shet apo qoftë edhe fal armatim.
Sepse Shqipëria vazhdon të ketë nevojë vetë, FA për armatim dhe municion të standardeve NATO. Ne sa e kemi filluar para një viti e gjysmë këtë proces”.

-Megjithatë ne kemi pasur dhurime për trupat që luftojnë në Irak dhe në Siri. Bëhet fjalë për kurdët kundër Shtetit Islamik, Irakut dhe Sirisë. Vazhdon ende?

-Mimi Kodheli: “Ne kemi pasur një kërkesë të vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe normalisht këto dhurime kanë kaluar nëpërmjet Pentagonit dhe qeverisë amerikane.
Pastaj ata kanë shfrytëzuar mënyrat dhe mjetet e tyre për t’i dërguar këto armatime dhe municione në mbështetje të rajonit Peshmerga apo të kurdëve që kanë luftuar kundër ISIS dhe DAESH-it.
Ndaj dhe kjo është një marrëdhënie që ne e kemi me partnerin tonë strategjik dhe sigurisht kemi bërë më të mirën tonë.
Kaq e vërtetë është kjo, sidomos në rastin e mirëfillit të parë kur ne jemi përgjigjur dy vite të shkuara në mënyrë imediate kërkesës së parë së qeverisë amerikane.
Modestisht kemi bërë të mundur që të mund të mbrohej një digë e famshme e Mosulit nga sulmet terroriste, vetëm për shkak të armatimit të dërguar nga Shqipëria.
Pjesë e përgjigjes së koalicionit të krijuar, themeluar ose të vendosur që të jetë i tillë nga SHBA-ja në luftën kundër një të keqe të madhe siç është terrorizmi islamik”.

(vijon)