Monarkizimi i politikës në shtetin njëshekullor

36-37 autori - Gëzim Alpion - 8 December 2011

Gëzim Alpion

2012-ta është një vit i veçantë për shqiptarët dhe veçanërisht për politikanët. Unë i përgëzoj politikanët e ndershëm për çfarë kanë arritur që kur filluan aktivitetin politik në fillim të viteve 1990-të të motivuar nga qëllime idealiste për t’i shërbyer vendit në një moment kritik.
Për fat të keq, një pjesë e mirë e politikanëve shqiptar që nga viti 1912 i përkasin asaj kategorie që Max Weber i konsideron si udhëheqës ‘diletantë’ e ‘diktatorë rrugësh’ të cilët vuajnë nga mëkati politik i kotësisë. Në këtë kallëp futen edhe politikanët të cilëve, po sipas Weber, u mungon ndjenja e përgjegjësisë dhe integriteti intelektual.
Urojmë që politikanët t’a kuptojnë se sa e rëndësishme është që gjatë këtij viti jubilar të përparësojnë Shqipërinë dhe jo partitë që kanë themeluar apo trashëguar. Ky do të jetë një ndryshim shpresëdhënës në një kohë kur politika shqiptare ngelet thellësisht përçarëse dhe është shndëruar në epsh për të qëndruar apo ardhur në pushtet me çdo kusht.
Sjellja e disa politikanëve në njëzet vitet e fundit ka qënë në të shumtën e rasteve e një natyre bajraktare. Disa drejtues të politikës shqiptare ka kohë që sillen si despotët e botës arabe nga fundi i turpshëm i të cilëve shpresojmë se do të nxjerrin mësimet e duhura sa s’ështe vonë.
Kur studioja në Kajro kujtoj që miqtë e mij Egjiptianë shpesh ktheheshin të rrahur në kampusin e universitetit sepse demonstronin kundër regjimit të Mubarakut, një nga ‘oficerët e lirë’, të cilët e detyruan Mbretin Faruk të largohet nga Egjipti në vitin 1952. ‘Oficerët e lirë’ premtuan se do t’ua kthenin Egjiptin Egjiptianëve. Gjashtëdhjetë vjet pas përmbysjes së monarkisë, Egjiptianët e shikojnë veten në kryqëzim.
Të heqësh qafe një diktator është e vështirë por jo e pamundur. Vështirësia e vërtet fillon kur ballafaqohesh me vakumin që lenë pas dikaturat e përmbysura. Ne shqiptarët ua kuptojmë hallin Egjiptianëve sepse një trashëgimi të tillë na lanë si Ahmet Zogu, ky mbret i vonuar i Evropës, ashtu edhe monarku komunist Enver Hoxha. Për pasojë, ne akoma nuk kemi një shoqëri civile aktive dhe të ndërgjegjshme edhe pas një shekulli që nga krijimi i shtetit të parë shqiptar.
Faji është jetim, thotë një fjalë e urtë, po jo në politikën shqiptare. Hoxha në të shumtën e rasteve ia faturonte Zogut dhe ‘armiqve të brendshëm dhe të jashtëm’ çdo gjë të keqe që trashëguam, sajuam dhe për pasojë vuajtëm në regjimin kumunist. Në dy dekadat e fundit të demokracisë tonë jo-demokratike, ne jemi mësuar të dëgjojmë të njëjtin avaz, me të vetmin ndryshim se çdo gjë të keqe tani i atribohet Hoxhës dhe komunizmit. Shqipëria akoma nuk ka nxjerrë një klasë politike vetë-reflektuese që t’a kuptojë rëndësinë e vazhdimësisë në ndërtimin e shtetit.
Një studuese e huaj më tha pak kohë më parë se qeveria shqiptare nuk lejon që të ketë një pavion të dedikuar për periudhën komuniste dhe Enver Hoxhën në Muzeun Historik Kombëtar. Ky është përçudnim i historisë. Po qe se nuk duam të përsëriten gabimet e Zogut dhe Hoxhës, apo me keq, të idealizohen satrapët e vdekur për mungesë informacioni, çdo figurë historike dhe çdo fazë historie duhet të përfaqësohet dhe të prezantohet me objektivitet në tempullin e historisë së kombit, dhe fjalën e fundit për këtë duhet t’a kenë jo politikanët por studiuesit serioz të cilët, po të perifrazojmë një thënie të Rabindranath Tagore, janë të gatshëm t’i shërbejnë vendit por kur vjen puna për t’u falur këtë ia rezervojnë vetëm të drejtës.
Polarizimi më i rrezikshëm në Shqipëri, krahas atij ekonomik dhe fetare, është ai politik apo më saktë apolitik. Për pasojë, për pjesën dërmuese të shqiptarëve, shteti ngelet një njerkë e pashpirt, nje koncept indiferent, një ndërmarrje e dështuar. Ndërsa politika ka kohë që shikohet si sinonim për ‘biznes i ndyrë’. Kjo është tragjedia më e madhe në fundshekullin e parë të shtetit shqiptar. Dhe në këtë tragjedi ka hisen e tyre si Zogu dhe Hoxha ashtu edhe ‘pasuesit’ e tyre në demokracinë tonë amulli.
Populli ynë është i demoralizuar sepse është një popull i zhgënjyer. Përderisa e drejta nuk gjendet apo nuk shikohen prova se drejtësia është mbi politikën, ka rrezik që shteti të kundrohet jo si garantori i të drejtave të shtetasve por si viktimizues i njerzve të pafajshëm. Po ashtu, nuk është çudi po qe se mefshtësia e shtetit për të gjykuar dhe dënuar në përputhje me ligjin ata drejtues të cilët megjithëse kanë abuzuar postet dhe besimin e popullit vazhdojnë me paturpësi kriminale të qëndrojnë aktiv në politikë, të interpretohet, ndonëse pa të drejtë, si një ortakllëk mafiozësh, gjë që në mënyre të pashmangshme e thellon gjithnjë edhe më shumë hendekun midis shtetit dhe qytetarëve.
Të gjithë jemi përgjegjës për amullinë politike që fatkeqësisht ka kohë që ka pllakosur Shqipërinë. Për të dalur nga kjo situate, vendi kërkon një gjeneratë të re politikanësh jo me mendësi provinciale por me vizion dhe përkushtim demokratik.
Prova e parë e rëndësishme për të matur pjekurinë e klasës politike shqiptare janë zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Do të ishte në të mirën e shtetit që për këtë post të lartë të mos kandidojnë asnjë nga figurat që në çerek shekullin e fundit kanë dominuar dhe asfiksuar politikën shqiptare pothuajse sipas rutinës së Putini dhe Medvedevit. Po ashtu, shërbimi më i mire që këta figura qëndrore do t’i bënin vendit do të ishte tërheqja e plotë nga jeta politike sa më parë. Po qe se këtë ‘sakrificë’ nuk e bëjnë për hir të interesave të atdheut, uroj t’a bëjnë për interesin e tyre.
Mania e tejzgjatur për pushtet është marrëzi. Suksesi në politikë nuk matet me numrin e viteve në pushtet apo nga variacioni i posteve të ushtruara. Për politikanët e ndershëm jeta vazhdon edhe pas mbylljes së karrierës politike.