Eugjen Merlika: Morali i një shkrimi

Eugjen Merlika

Eugjen Merlika

Jam një lexues i përditshëm i gazetës italiane “Corriere della Sera”. Pa qenë gjithmonë i një mëndje me artikujt e saj, e quaj këtë të përditëshme si një nga më kompletet, më cilësoret e më të ekuilibruarat e shtypit të përtej detit. Para një muaji, kur jepeshin çmimet Nobel të fushave të ndryshme, hasa në një shkrim të shkurtër të Pier Luigi Battistës, një nga komentatorët që më pëlqejnë më shumë. Më pëlqeu, e preva atë pjesë të gazetës, me synimin për t’i a dhënë lexuesit shqiptar të plotë, së bashku me disa mendime të mijat:

Mo Jan dhe të tjerë servilë me pushtetin

Një shkrimtar i madh çmim Nobel për letërsinë mund të jetë, nga ana njerëzore, i pështirë. Është rasti i kinezit Mo Jan, një kukull e regjimit të Pekinit, që ditët e shkuara i a ka marrë hymnit të çensurës e të diktaturës së cilës i shërben, e që nuk pranoi të shprehej në dobi të disidentit Liu Xiaobo, i përndjekur nga regjimi të cilit i këndon Mo Jani, por edhe ky çmim Nobel, por për paqen.

Mo Jani është në një shoqëri shumë të mirë. Nëntëqindi është plot me artistë  të mëdhenj, me muzikantë të zgjedhur, me poetë plot pasion, me shkrimtarë të shquar që, me vullnet të plotë, janë ofruar të thurin ligjërata lëvdimi të totalitarizmave e të njollosen personalisht me veprime neveritëse, duke filluar nga praktika e spiunllëkut, shumë e përhapur ndërmjet intelektualëve të djegur për t’u bërë qejfin xhelatëve në pushtet, duke u treguar besnikërinë me vepra. Por dhe në shekullin e ri, siç vërteton rasti i Mo Janit, që do të recitojë sigurisht një detyrkë me ndjenja të mira në  ceremoninë në të cilën do të marrë Çmimin e dëshiruar, nuk mungojnë shembuj të lajkatimit të përhapur në intelektualët e përgjunjur në Vendet diktatoriale, duke filluar nga poeti i madh Adonis, libanez me origjinë siriane, me regjimin e Asadit.

Ende sot shihet si një shfaqje e shkëlqyer antikonformizmi  lavdërimi i diktaturës kubane e nuk fiton asnjë simpati beteja e intelektualëve iranianë që zhvillojnë kundër obskurantizmit mbytës të ajatollahëve të Teheranit. Le të kujtojmë biografitë e sa e sa shkrimtarëve, filozofëve e piktorëve gjatë fashizmit, të profesorëve universitarë  që zunë katedrat e kolegëve të përndjekur nga ligjet raciale. Intelektualët rusë, çekosllovakë, hungarezë, polakë, rumunë që u  dërgonin rregullisht policive politike të regjimeve përkatëse kumtime të hollësishme mbi lëvizje e fjalë sapo të pëshpëritura nga kolegë fajtorë se kishin shprehur ndonjë dyshim mbi madhështitë e komunizmit. Ose arkivat e Stasit, plot me shënime të lëna nga intelektualë të zellshëm që donin të tregonin se meritonin nderet e përfituara nga një regjim që vendoste në mënyrë arbitrare për lirinë dhe vetë jetën e secilit.

A duhet të zhvillojmë gjyqe pas vdekjes për kë është njollosur me sjellje të poshtra ? Sigurisht jo. Dhe as që mund të pakësohet shkëlqimi artistik i atij që, për verbëri ideologjike apo oportunizëm ka flijuar një pjesë të dinjitetit të tij. Brehti mbetet një dramaturg i madh edhe se nxiste autoblindat të shtypnin në gjak kryengritjen e puntorëve të Berlinit Lindor dhe Xhovani Xhentile një filozof i madh edhe se nuk kundërshtoi detyrimin  e betimit të besnikërisë ndaj fashizmit për profesorët universitarë. Mo Jan meriton Nobelin për letërsinë por edhe çmimin e turpit për servilizmin pakufi.

Tema e shkrimit është një argument i njohur, i rrahur në pafundësi, sidomos në shekullin e shkuar. Një temë universale, që shtjellohet kudo në botë e trajton marredhëniet e njerëzve të shquar me sistemet politike diktatoriale në Vendet e tyre. Shekulli i shkuar që, në pjesën më të madhe të tij, u përshkua nga ideologji të masave si nazizmi, fashizmi e komunizmi, të cilët mbi bazën e tyre krijuan sistemet shoqërorë, politikë e shtetërorë që, fatkeqësisht, patën fytyrën e diktaturave t’egra, me pasoja rrënuese për popujt e tyre dhe  botën mbarë, këtë temë e pati si një nga lejt-motivet e tij.

Motivet janë të shumta e të ndryshme, kanë të bëjnë me qëndrimin e personave që, drejt për drejt ose tërthoraz, marrin pjesë në krijimin e superstrukturave të regjimeve, duke përcaktuar jo vetëm vështrimin ekonomik, administrativ apo politik të një shoqërie, por edhe kodin etiko-moral të saj. Qëndrimi ndaj diktaturave, si sisteme shoqërore, jo vetëm në Vendet e tyre por dhe në kuadrin e vështrimit global të dukurive, ka qënë e mbetet një problem i vështirë për t’u përcaktuar e përballuar nga qytetarët e atyre Vendeve. Diktaturat, nëpërmjet organeve të tyre të përsosura të dhunës, kanë kushtëzuar gjërësisht sjelljet dhe qëndrimet e qytetarëve, jo vetëm në marredhëniet individ-Shtet, por dhe atyre ndërmjet vetë individëve. Traumat dhe tragjeditë ishin të pafundme në ato shoqëri, me pasoja tepër të rënda për vetë bashkësinë, që ndihej e rrezikuar deri në qelizat e saj më të vogla, në familjet.

Përvoja jonë në gjysëm shekullin komunist na jep një lëndë të pafund për të vërtetuar pasojat shkatërruese t’asaj dukurie në vetë strukturën e shoqërisë, në shkërmoqjen e vlerave, në mbizotërimin e dyshimit, në prishjen e harmonisë në të gjitha qelizat dhe indet e saj. N’ato rrethana vlerat morale, që janë në bazën e fuqisë shpirtërore të një shoqërie apo të një kombi, vihen në një provë shumë të vështirë, herë herë të papërballueshme, në të cilën një pjesë e madhe rrëzohet. Këto prova që kanë shoshitur karakteret e qindra milionë njerëzve në botën bipolare të qindvjetit të njëzetë, ndoshta për një prirje instinktive vetëmbrojtjeje apo vetëqortimi, janë lënë në opinionin publik shumë në hije e në heshtje, duke i bërë një padrejtësi të madhe virtutit që, në forma të ndryshme, ka shfaqur të gjithë fuqinë e tij në pohimin e vlerave pozitive të qenies njerëzore. Si i tillë ai mbetet modeli për t’u marrë si shembull edhe në kushtet e ndryshuara me rrëzimin e diktaturave, ku mendohet që ato dukuri të mos jenë më mbizotëruese në shoqëritë mbas diktatoriale.

Autori i shkrimit e ngushton rrezen e vështrimit të tij, duke e përqëndruar atë në marredhëniet e pjesës së zgjedhur të shoqërisë me regjimet diktatoriale, të inteligjencës me shtetin totalitar. Ai merr shkas nga një shkrimtar kinez, Mo Jan, i fundmi çmim Nobel për letërsinë, i vënë përballë një tjetër shkrimtari e kritiku letrar, Liu Xiaobo, bashkatdhetar e fitues dhe ai i një Nobeli për Paqen, dy vjet më parë. I pari është një kukull e regjimit, ndërsa i dyti është një viktimë e tij. I pari është i nderuar, i dyti është i dënuar me 11 vjet privim lirije për “ nxitje për të përmbysur pushtetin popullor”, i njëjti formulim i nenit 55 të Kodit penal të Shqipërisë enveriste, mbasi kishte nënëshkruar online një shpallje të 303 intelektualëve e veprimtarëve të të drejave njerëzore, në dobi të demokratizimit të atdheut të tij.

Battista është i revoltuar sepse Mo Jani, i pyetur nga gazetarët mbi kolegun e tij të burgosur, nuk miraton kërkesën e intelektualëve perëndimorë, drejtuar Qeverisë kineze për lirimin e tij. Mo Jan vepron kështu sepse është i bindur në “fajësinë” e kolegut, apo qëndrimi i tij kushtëzohet nga një instikt vetëmbrojtjeje nga mundësia e një rrezikimi të pësojë fatin e tij mbas kthimit në atdhe ? Mendoj se përgjigja e kësaj pyetjeje do të kushtëzonte edhe vlerësimin e gjestit të tij, gjë të cilën nuk e mban parasysh gazetari italian në dënimin pa kushte të nobelistit kinez. Parimisht mund të ketë të drejtë por, në vlerësimin objektiv të këtyre dukurive, nuk mund të mos mbahet parasysh fakti se çdo njeri ka për detyrë të vetëmbrohet e të mbrojë familjen, pa u bërë ai shkaktar i fatkeqësisë së një tjetri. Ky është thelbi i pragmatizmit moral të individit në një shoqëri, ku nuk është e pranishme as hija e respektimit të të drejtave njerëzore, e ku motoja kryesore shtytëse e regjimit është varfërimi i skajshëm shpirtëror i qytetarëve të tij, deri në kthimin e tyre në vegla të verbëra të organeve të diktaturës në shërbim të strategjisë së tyre të terrorit.

Qëndresa ndaj kësaj dukurie, që i shëmbëllen një maqine grirëse e cila copton çdo gjë që i del përpara, është një shfaqje dinjiteti në shkallën më të lartë, vlera e së cilës matet më mirë nga ata që i kanë provuar në vetë të parë ato përvoja. Historia e burgjeve politike të komunizmit shqiptar është e mbushur me shëmbuj virtuti qytetar që, çuditërisht, nuk gjejnë pasqyrim veçse në ndonjë shkrim të ndonjë të mbijetuari të dhunës, ndërsa gazetat shqiptare të shtetit demokratik bëjnë garë me njëra tjetrën kush mund të paraqesë më mirë “kujtimet” e sejmenëve të diktaturës, madje dhe të arkitektëve të saj kryesorë….

Pier Luigi Battista padit e i ve gishtin një plage që buron qelb edhe sot. Është qëndrimi i intelektualëve, në periudha e Vende të ndryshme, në mbështetje të dhunës së diktaturave. Nëse ky qëndrim përbën një shkelje të moralit njerëzor, deri në kufijtë e krimit, për qytetarët e thjeshtë, vlera negative e tij shumëfishohet në rastin e elitës së shoqërisë, të intelektualëve që duhet t’i prijnë asaj, jo vetëm nga ana profesionale apo akademike. Ata duhet të jenë pika riferimi edhe për shtatin moral, shëmbuj të shpalosjes e të respektimit të vlerave e të dinjitetit vetiak e shoqëror. Gazetari nuk kursen asgjë në paditjen qytetare kundrejt dukurisë negative e mbartësve të saj, por nuk kërkon proçesin e tyre.

Nga pozita e intelektualit liberal, megjithëse i rrjeshtuar fuqimisht kundër konformizmit të pajtimit pa kushte me pushtetin, nuk miraton dënimet, veti të ligjeve të diktaturave e, aq më pak, rrëzimin e vlerave të krijimtarisë së shkrimtarëve konformistë me regjimet. Karakteri njerëzor nuk shkon gjithmonë në të njëjtin hap me talentin, me vlerat e krijimtarisë, ndodh që ndërmjet tyre të ketë edhe një humnerë. Nëse i pari meriton qortimin deri në përbuzje, prodhimtaria artistike, shkencore, filozofike, letrare duhet vlerësuar për atë që i jep shoqërisë, ajo hyn në thesarin e kulturës. Vlerat e saj shkëputen nga krijuesi e bëhen pasuri e njerëzimit. Kjo është mendësia e një shoqërie të përparuar që, edhe se nuk pajtohet me veprimet e pamoralshme të përfaqësuesve të saj të zgjedhur, nuk ul poshtë apo asgjëson vlerat e krijimtarisë së tyre. Sa shumë kemi për të mësuar ne nga kjo mendësi.

Për një gjysëm shekulli kundërshtarit politik i kemi mohuar çdo meritë në fushën e krijimtarisë letrare, gjuhësore, historike, shkencore. Kemi rritur dhe edukuar dy breza shqiptarësh me mashtrime të çdo lloji, dy breza që nuk kanë njohur emrat e Fishtës, të Harapit, Koliqit, Shantojës, Camajt, Haxhiademit e sa e sa personaliteteve të tjera të kulturës shqiptare, të cilët edhe sot vazhdojnë të shihen me syun e njerkës nga e ashtuquajtura elitë akademike, e njëjta e regjimit të diktaturës, bashkëpuntore e zellshme e tij.

Kjo është njëra anë e mësimit që duhet të nxjerrim nga ky shkrim. Tjetra është më e ndërlikuar, sepse ka të bëjë me dukuri të njëjta me ato që padit gazetari italian, ka të bëjë me arrestime, proçese, dënime, jetëmarrje, në të cilat, në forma e përmasa të ndryshme, kanë ndikuar shkrimtarë, artistë, shkencëtarë të vënë në shërbim të “interesave të larta t’atdheut”, që njëjtësoheshin me interesat e kastës kriminale në pushtet. Deri tani nuk kemi parë asnjë prej tyre të vetëpaditet, të vetëqortohet, duke përfituar nga një qëndrim prej urithi të shtetit që vazhdon të mbulojë krimet, duke mos hapur dosjet.

Ndërmjet intelektualëve të Vendeve të Lindjes, që autori i shkrimit i rrjeshton si hafije të shërbimeve sekrete komuniste, mungojnë ata shqiptarë. Do të kisha dëshiruar me gjithë zemër që ata të mos hynin në atë kategori, që asnjëri prej tyre të mos ishte i njollosur me krimet e komunizmit shqiptar, por kjo mendoj se është vetëm një iluzion i kotë edhe se kombësia e tyre nuk përmendet në shkrimin e Battistës, ashtu sikurse nuk përmenden edhe shumë emra të tjerë shkrimtarësh evropianë apo amerikanë, që u bënë zëdhënës të Bashkimit Sovjetik të Stalinit të mbushur me gulagë e miliona viktima të terrorit shtetëror.

Shpresoj që ndonjeri prej tyre ta lexojë këtë manual ndershmërie intelektuale të gazetarit të mirënjohur italian e që, në thellësi të vetëdijes të ndjejë regëtimën e ndërgjegjes së vrarë, në heshtjen që urdhëron ballafaqimi me veten e me Zotin.

Uroj e shpresoj….

(Janar 2013)