Mos u dorëzo rinia ime, mos u dorëzo Ines

Unë nuk kam me kë të mbetem i ri nëse ju të gjithë plakeni

Këto ditë vjeshte, nganjëherë me diell e nganjëherë të vrëra – dhe fishkëllima e erës duket se na sjell kujtime, kujtime të largëta të rinisë sonë, ditëve tona studentore. Ishte ajo koha e mbushur plot idealizma, ëndërrime për të ardhmen, koha kur lidheshin shoqëritë, miqësitë. Ishte kohë e shqetësimeve për studimet tona, provimet, por ende e pangarku me dallgët e jetës. Si studentë ndoshta xhepin e kishim të varfër, por shpirtin e kishim të pasur, plot entuziazëm e energji rinore. Ato vite kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën tonë. Mund të shkruhen faqe të tëra për atë kohë të largët. Por, po i shkruaj këto pak radhë vetëm si një hyrje për një poezi – këngë të bukur, “Ne daj se Ines” (Mos u dorëzo Ines), shkruar – kompozuar nga poeti, këngëtari, kantautori e kompozitori i njohur kroat, Arsen Dediq (1938 – 2015). Wsthë kjo një poezi e bukur, një rrëfim poetië për rininë, nostalgjinë, dashurinë, jetën studentore. Janë këto çaste, dromca të jetës studentore të vet autorit në Zagreb, ku kemi studiuar edhe ne. Kjo poezi e Arsen Dediqit ka një ngjashmëri me poezinë shumë të njohur, “Gjethet e vdekura” të poetit të mrekullueshëm ftancez, Jacques Prevert (1900 – 1977). Dhe vërtet, tërë poezinë e përshkon një frymë preveriane. Edhe në këtë poezi, si te ajo e Preverit, e hasim të njejtin motiv: dashurinë e ndërprerë, por jo të harruar, të humbur – atë e ka përjetësuar poeti në vargjet e tij plot mallë e dashuri. Siç cekëm më lart, këto vargje autori i ka shoqëruar edhe me nota muzikore, është një interpretim – recitim magjepës i aktorit të njohur kroat, Rade Sherbexhija (1946). Gjatë viteve tona të studimeve, fundi i viteve të 70-ta dhe fillimi i viteve të 80-ta të shekullit të kaluar, kjo këngë ka qenë mjaft e popullarizuar. Dhe ende dëgjohet me ëndje si njëra ndër këngët më të bukura të asaj hapësire gjeografike: sjell kujtime, mall, dashuri, reflektime… Janë vargje që jo vetëm të kujtojnë rininë, por edhe të bëjnë të ndihesh ende i ri. Të mos zgjatemi më tepër, le ta vazhdojë “rrëfimin” vetë poezia. Poezia është e shkruar me vargun e lirë e pa rima, prandaj edhe jam munduar që t’i rri sa më afër origjinalit. Një formë e tillë e të shprehurit poetik sikur e bën më të afrt, më intim këtë poezi, e cila ka frymëzuar breza të tërë, ua ka zbukuruar jetën, i ka dhënë kuptim jetës së tyre. Madje shumë prindër vajzave të tyre ua kanë vënë emrin: Ines. Për shumë adhurues të këtyre vargjeve koj poezi është më tepër se një poezi, është një himn i dashurisë, rinisë…

Mos u dorëzo Ines

Arsen Dediq

Mos u dorëzo Ines

Mos iu dorëzo viteve, Inesi im

Lëvizjeve dhe shprehive të tjera

Sepse dhomën ende e ke të ngrohtë

Renditja e këndshme dhe sendet e rralla

Ke patur më shumë shije se unë

Dhoma jote – mrekulli!

Zonjën e shtëpisë e ke në spital

Gjithmonë je dalluar

Sipas ngjyrave të letrave tua, sipas dhuratave

Të nesërmen në mëngjes rreth orës nëntë më ke përcjellur deri në stacioni

Dhe shkatërrohet autobusi i gjelbër i bartur nga era e vjeshtës

Si një gjethe poshtë një pjerrësie beogradase

Kam veshur katin e mbrëmjes dhe jam i rrethuar me shiqime

Mos u dorëzo rinia ime, mos u dorëzo Ines

Njohja jonë ka kohë që ishte përgatitur

Dhe pastaj, rastësisht, me rakinë e nxehtë

E me ca pak fjali, dëshira e fshehur dobët

Kishe sjelljet e zonjës dhe fytyrën e fshatares

Malokja dhe fisnikja ime

Pastaj ai gjoksi yt, krevati

Dhe dhoma ime e varur në ajër si portokalle

Si llampa e portokalltë mbi ujin e gjelbër e të kaltër të Zagrebit

Brigadat proletare 39, te Grkoviqi

Rruga e lagur, nga dritarja e tutje dhe zhurma e tramvajeve të buzëmbrëmjes

Çaste të bukura të mallëngjimit, dashurisë e varfërisë

Përdorimi i banjos së përbashkët

Dhe “Ju lutem nëse dikush më kërkon”

Mos u dorëzo Ines

Ja po ngritem për ta kthyer pllakën

A mos është kjo e pahijshme në këtë orë?!

Mocarti! Requijemi Agnus Dei

Sidoqoftë, mua më pëlqen më shumë fillimi

Zotëroj edhe me një million të dhëna

Të ndjeshme e të mbrapshta të rinisë sonë

E cila para syve tanë na mashtron, na vjedh e na braktis

Mos u dorëzo Ines

Grise ftesën, anuloje darkën, mashtroje burrin

Se je duke shkuar t’i krehësh flokët në një hotel më të mirë.

Më prek me gju nën tavolinë

Gjenerata ime, dashnore

E di që ende do të ketë rini

Por, jo kësisoj – mesatarisht 1938

Unë nuk kam me kë të mbetëm i ri nëse ju të gjithë plakeni

Dhe ajo rini do të ishte e rëndë për mua

Ju edhe mund të keni të drejtë

Sepse jam vetëm në këtë breg

Të cilin e keni braktisur dhe e keni dorëzuar pa dëshirë

Dhe përsëri po fillon shiu

Ashtu siç bie shi në tetor në ujëdhesa

Deti prej pëlumbi e qielli prej pishave

Zërat e largët që përzihen

Zëri i nënës, mikut, vajzës, dashnores, vëllaut

Rrobat para shiut mbidhen me shpejtësi

Dhe zhduket drita me atë bardhësinë

Edhe pak shetitje buzë detit dhe mbaroi

Mos u dorëzo Ines.

Përktheu nga kroatishtja: Sadik Elshani

Philadelphia, më 4 dhjetor, 2022

Sadik Elshani është doktor i shkencave dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane. Stdimet universiatare dhe ato pasuniversitare (magjistraturën e doktoraturën) i ka mbaruar në Universitetin e Zagrebit, ku edhe për pak kohë ka punuar si asistent shkencor.

Fotografia lart, një kujtim i ditëve studentore, është bërë në Zagreb, në vitin 1979. Nga e majta në të djathte: Milazim Salihu, Ramush Tahir, Sadik Elshani, Rexhep Shaqiri; Qazim Veselaj (me uniforme ushtarake), ulur, ne balle te fotos: Bardhyl Bekteshi.