Moska e akuzon Kievin për sulm ndaj një depoje të karburantit në Rusi

Moskë, 1 prill 2022 – Rusia akuzoi Ukrainën për kryerjen e një sulmi ajror ndaj një depoje karburanti në qytetin rus të Belgorod të premten, një incident që Kremlini tha se krijoi një ton të pafavorshëm për bisedimet e paqes me Kievin.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, tha se nuk mund t’i konfirmonte apo mohonte njoftimet për përfshirjen e Ukrainës në sulm, pasi nuk kishte informacion nga burime ushtarake. Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës dhe shtabi i përgjithshëm nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.

Kjo është akuza e parë për një sulm ajror që dyshohet të jetë kryer nga Ukraina që kur Moska nisi sulmin ndaj këtij vendi më 24 shkur. Pamjet filmike të sulmit të supozuar, tregonin disa raketa të cilat ishin lëshuar nga një lartësi e ulët, ndjekur nga një shpërthim. Reuters nuk mundi të verifikonte menjëherë pamjet.

Guvernatori rajonal Vyacheslav Gladkov shkruante në aplikacionin e mesazheve Telegram se dy helikopterë ukrainas kishin goditur objektin në Belgorod, rreth 35 kilometra larg kufirit me Ukrainën.

Sipas tij ishin plagosur dy punëtorë, ndërsa disa zona të qytetit po evakuoheshin.

Ndërkohë firma ruse e naftës Rosneft ROSN.MM, e cila ka në zotërim depon e karburantit, shkruante në një deklaratë të saj se asnjë person nuk ishte plagosur gjatë incidentit. Kompania nuk dha asnjë informacion për shkakun e zjarrit.

Duke folur me gazetarët zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se Presidenti Vladimir Putin ishte informuar për incidentin. Zoti Peskov tha se sulmi mund të rrezikojë negociatat e paqes të Moskës me Kievin.

Në një koment të veçantë Ministri i Energjisë Nikolai Shulginov tha se incidenti nuk do të ndikojë në furnizimin me karburant të rajonit ose tek çmimet për konsumatorët.

(Zëri i Amerikës)