Moska e dëbon një diplomat të Maqedonisë së Veriut

Shkup, 11 qershor 2021 – Autoritetet ruse kanë njoftuar të enjten se do të dëbojnë një diplomat nga ambasada e Maqedonisë së Veriut në Moskë.

Minisrtia e Punëve të Jashtme e Federatës Ruse ia ka kumtuar këtë vendim ushtrueses së detyrës së Ambasadores së Maqedonisë së Veriut në Moskë, Olivera Çausheska Dimovska.

Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut ka bërë të ditur se Moska e ka shpallur person të padëshiruar një atasheu në Ambasadën e këtij  shteti në Moskë, por nuk jep hollësi rreth këtij vendimi.

Ministria shpreh keqardhje për këtë vendim të palësruse, të cilin e quan të pabazë. Ajo thotë seky vendim është marrë “mbi parimin e hakmarrjes politike” dhe, si i tillë, “do të ndikojë në mënyrë negative në intensitetin e marrëdhëineve midis dy vendeve”.

Maqedonia e Veriut, para tri javësh, e shpalli person të padëshiruar një diplomat rus. Emri i diplomatit dhe arsyet e dëbimit nuk janë bërë publike, por thuhej se vendimi është marrë në bazë të Konventës së Vjenës.

Në Nenin 9 të Konventës thuhet: “Shteti që jep akreditimin, në çdo kohë mund ta dëbojë shefin e misionit apo cilindo qoftë anëtar të personelit diplomatik edhe pa patur nevojë për arsyetimin e këtij vendimi”.

Sipas medies në Shkup, diplomati rus kishte ushtruar aktivitete që bien ndesh me normat e sjelljes së  një diplomati të huaj.

Ky ishte diplomati i dytë rus që dëbohej nga Maqedonia e Veriut.Diplomati i pare ishte dëbuar në vitin 2018 për shkak se ishte solidarizuar me Britaninë e Madhe lidhur në rastin e njohur “Skripal”.

(r.m.)