Moska kërkon nga Beogradi qëndrim zyrtar për furnizimin e Ukrainës me armë nga Serbia

Moskë, 2 mars 2023 – Moska i ka kërkuar Beogradit qëndrim zyrtar lidhur me raportimet se Ukraina është furnizuar me armë nga Serbia.

“Ne tashmë i kemi kërkuar Beogradit të bëjë një deklaratë. Deklaratat e tilla nuk duhet të bëhen përmes mediave, as përmes kanalit ‘Telegram’, as përmes burimeve të informacionit, por përmes qëndrimit zyrtar të palës serbe”, ka thënë zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Marija Zaharova, transmeton TASS.

Ajo ka thënë se faktet duhet të verifikohen dhe në bazë të tyre të nxirren përfundimet, duke theksuar se “kjo është një temë jashtëzakonisht e rëndësishme për marrëdhëniet dypalëshe”.

Më herët, Zaharova ka thënë se Moska është thellësisht e shqetësuar lidhur me raportimet për përfshirjen e Serbisë në furnizimin e Ukrainës me armë.

“Ne po e ndjekim me vëmendje këtë histori. I kushtuam vëmendje diskutimeve të fundit për këtë temë në Kuvendin e Serbisë. Informacioni që po qarkullon sigurisht që na shkakton shqetësimin më të thellë”, ka thënë ajo, në një deklaratë të publikuar në faqen e ministrisë.

Në mediet ruse dhe në kanalin “Telegram” janë publikuar lajme se Serbia, ia ka dërguar Ukrainës 3.500 raketa të sistemit raketor “Grad”, përmes Turqisë dhe Sllovakisë.

Kohë më parë, portali “mash.ru“ ka shkruar se Ukraina është furnizuar me 3.500 raketa “M21” të kalibrit 122 mm të kompanisë serbe të armëve “Krushik”. Sipas këtij portali, raketat janë porositur nga kompania kanadeze “JNJ Export Import”, ndërsa janë dërguar në Ukrainë përmes Turqisë dhe Sllovakisë, nga një kompani turke.

Kompania serbe “Krushik” ka thënë se ajo nuk ka asnjë lidhje me shitjen e raketave që kanë destinacion të fundit Ukrainën.

(r.m.)