Musine Kokalarin e solli në Kosovë Ibrahim Rugova

Ibrahim Rugova ia ka zbuluar për herë të parë lexuesve kosovarë shkrimtaren e persekutuar shqiptare Musine Kokalari.

Në revistën letrare “Jeta e re”, nr. 2, mars–prill të vitit 1983, Rugova botoi katër tregime të saj (Mos qofshin vjehrrat e zeza; Kulloi odaja; Për mustaqet e Qelos; Ulurima e qenit), të cilat i shoqëroi me një shënim për këtë autore, e cila ishte e panjohur në Kosovë.

Çuditërisht, po në këtë vit, në muajin gusht (13 gusht), kjo aristokrate shqiptare, pasi kishte sfiduar burgun, internimin e vetminë, nuk arrin ta mund edhe kancerin, vdes në Rrëshen.

Pas përmbysjes së komunizmit në Shqipëri, emri i shkrimtares e intelektuales Musine Kokalari aktualizohet qoftë si krijuese, qoftë si disidente politike dhe në morinë e shkrimeve, studimeve, botimeve, emisioneve e dokumentarëve televizivë, besa edhe në Kosovë (Pos tjerash i është kushtuar një numër tematik i “Jetës së Re”) askush nuk përmendi këtë paraqitje të Ibrahim Rugovës për Musine Kokalarin .

Shkrimi i Rugovës, nëse nuk shkon përtej një prezantimi, së paku ka vlerën dhe vulën e kohës kur u botua, sepse kishin kaluar vite që kjo shkrimtare, ndër femrat e para shqiptare, nuk përmendej e lëre më të botohej, as në Shqipëri e as në Kosovë.

Se çka e ka nxitur Rugovën për të bërë këtë punë, tani vetëm mund të hamendësojmë?

Në vazhdim po e japim shkrimin e Rugovës për Musine Kokalarin.

SHËNIM

Musine Kokolari është njëra nga femrat e rralla që shkroi midis dy luftërave , në periudhën 1912-1945. Për të nuk dimë shumë tashpërtash, pos që më 1940 botoi një libër me tregime e skica me titull Siç më thotë nënua plakë. Po shtojmë se pos M. Kokolarit brenda kësaj periudhe vepruan edhe dy femra të tjera: Androniqi Zengo në pikturë dhe në kritikën artistike dhe Elvira Tarro në kritikën letrare, e të dyjat ishin korçare. Zengo kishte kryer akademinë e artit në Atinë dhe në pikturën e saj ndihet mjaft theksi impresionist i peizazhit. Veprimtaria e këtyre krijueseve flet se në këtë kohë fillon edhe inkuadrimi i femrës në kulturën shqiptare, që pas luftës do të jetë edhe më aktiv dhe më i dukshëm.

Është mirë të dihet se Kokalari i shkroi tregimet e saj në të folurit çam, pra të krahinës së Çamërisë dhe njëherësh është njëra ndër shkrimtarët e rrallë shqiptarë që shkroi thjesht në këtë të folme madje me qëllim artistik, sepse siç e dimë në historinë e letërsisë shqiptare shumë shkrimtarë tanë kanë shkruar në dialektin e tyre, meqë e ndienin si gjuhë të përgjithshme, e po të vepronte kështu, atëherë M. Kokalari do të shkruante në toskërishten letrare. Po ashtu këtu nuk i marrim ata shkrimtarë që dialektin, në kuadër të gjuhës së veprës dhe të gjuhës letrare, e përdorin për tipizim të personazheve.

Për librin e saj, më 1940 në gazetën “Bota e re”, nr. 1 të 30 korrikut poeti ynë i njohur, Lasgush Poradeci, bëri një kritikë mjaft interesante. Ja si e vlerëson Poradeci, esencialisht, prozën e Kokalarit: “Krijim origjinal. Zënia e jetës, kapja e menjëhershme e saj në fond dhe në formë dhe faqja imediate, pa asnjë ndërmjetësim, me anën e artit, kjo është origjinalitet – origjinalitet letrar. Zënia e jetës në momentin kritik që është moment i madh i çdo manifestimi të jetës njerëzore, që përmbledh dhe çfaq, në një pikë tërësije, gjithë kuptimin e vërtetë të jetës të çfaqur rastësisht, kurse stilin e saj e quan stil substancial, që u përshtatet subjekteve”. f. 6.

Vetë përcaktimi i Lasgushit të shkruajë për këtë libër, edhe pse ai shkruante shumë rrallë për ndonjë autor apo libër, e sidomos këtë poet me ndjenjë të hollë për gjuhën poetike dhe me koncept të zhvilluar e të pasur për atë gjuhë, flet se ai në këtë libër e shihte të realizuar këtë çështje. Madje konstatimi i tij se autorja e zë jetën në momentin kritik, do të thotë atëherë kur ajo manifestohet në formën më të lartë, po ashtu e vë në rend të parë aftësinë e shkrimit të Kokalarit, pra jeta në kulmin e zhvillimit të vet, në të vërtetë të momenteve të saj. Një vlerësim të mirë dhe interesant e jep edhe Maksimilian Lamberc: (Maximilian Lamertz), albanologu i njohur gjerman, më 1948 në librin “Albanaiches lesebuch”, Lajpcig 1948, prej nga i morëm këto tregime të Kokalarit. Ai thotë se autorja në dialektin çam na sjell skena popullore në formë të dialogut dhe e çmon gjuhën dhe talentin e saj.

Në vazhdën e këtyre vlerësimeve po shtojmë se M. Kokalari përmes të folmes së çamërishtes e ngrit të folurit e vet në prozë, të folurit tregimtar dhe përmes këtij të foluri na jep mentalitetin dhe pozitën jetësore të personazheve të atij mesi, e jo përmes ndonjë përshkrimi sociologjik të jetës. Do thënë se personazhe të tregimeve të saj janë gratë, në botën e të cilave hyn përmes rrëfimeve të tyre dialogjike dhe kështu ne kuptojmë problemet jetësore të tyre: konfliktet njerëzore e materiale, realitetin familjar të një kohe, pozitën e gruas, kurbetin, vajin, dasmën, shkurtë, fatin njerëzor në përgjithësi. Pra autorja na jep një fenomenologji të shpirtit të gruas shqiptare në një kohë të caktuar, që vjen e merr vlerën e artit në të cilin ngrihet e realizohet. Njëherësh po theksojmë se këto tregime janë me interes edhe për gjuhëtarët tanë, madje edhe për elemente për gjuhësinë historike, sepse dialektin që përdor autorja përmban shumë trajta gjuhësore që i ndeshim në veprat e autorëve të njohur arbëresh, si te De Rada, G. Dara, Serembe, Santori e të tjerë, sepse shumë prej tyre ishin me origjinë nga këto vise dhe e kishin marrë gjuhën e atëhershme me vete, madje si fakt se si gjuha ruhet dhe zhvillohet brenda një dialekti dhe brenda një gjuhe në përgjithësi, që duhet të vështrohet si fenomen. Për shembull trajta të tilla janë golë (gojë), fëmijë (fëmijë), bilë (bijë), ill (yll) etj. Pra tregimet e Kokalarit e vërtetojnë faktin se edhe dialekti në shkrimin letrar, i përdorur me mjeshtëri, mund të jetë mjaft produktiv krahas me gjuhën letrare brenda së cilës realizohet, ashtu siç është produktiv në zhvillimin e gjallë të gjuhës, në jetën tonë gjuhësore dhe jetësore.

Ibrahim Rugova. “Jeta e re”, Prishtinë, 1983, mars-prill, nr. 2, f. 398, 399.

Përgatiti: Munish Hyseni