Musk: Dyshimet për numrin e llogarive të rreme mund të fundosin marrëveshjen me “Twitter-in”

Austin (Texas), 17 maj 2022 – Shefi i kompanisë “Tesla”, Elon Musk, thotë se marrëveshja e tij për të blerë rrjetin Twitter nuk mund të ecë përpara nëse kompania nuk tregon prova publike se më pak se 5% e llogarive në rrjet janë të rreme ose të padëshiruara.

Zoti Musk e bëri komentin gjatë një përgjigje ndaj një përdoruesi tjetër në rrjetin “Twitter” të martën.

Dje zoti Musk pati një numër të madh shkëmbimesh në platformën sociale me shefin e rrjetit “Twitter”, Parag Agrawal, i cili u përpoq të shpjegonte përpjekjet e kompanisë së tij për të luftuar programet robotike në rrjet. Zoti Parag tha se sipas vlerësimeve të tij më pak se 5% e llogarive në “Twitter” janë të rreme.

Në postimin e tij në “Twitter”, të martën, zoti Musk tha se “20% e llogarive false/robotike, krahasuar me 4 herë më shumë se sa pretendon “Twitter”, janë shifër shumë e lartë.

“Oferta ime bazohej në faktin se dokumentet që ‘Twitter’ i ka depozituar pranë autoriteteve federale ‘Securities and Exchange Commission – SEC’, ishin të sakta”, tha Musk.

 “Dje, CEO i ‘Twitter-it’ refuzoi publikisht të tregojë prova të 5%. Kjo marrëveshje nuk mund të ecë përpara derisa ai ta bëjë këtë”, tha ai.

”Twitter” nuk pranoi të komentojë.

Kjo është përpjekja më e fundit e zotit Musk mbi llogaritë joautentike, një problem që ai dëshiron ta fshijë nga rrjeti “Twitter”.

Gjatë një konference për teknologjinë të mbajtur në Majami, të hënën, zoti Musk vlerësoi se të paktën 20% e 229 milionë llogarive në “Twitter” janë robotë/spam, një përqindje për të cilën tha se ishte shifra më e ulët në vlerësimet e tij.

Beteja mbi llogaritë false filloi javën e kaluar, kur zoti Musk postoi në rrjet se marrëveshja me “Twitter-in” ishte në pritje të konfirmimit të vlerësimeve të kompanisë se më pak se 5% e llogarive ishin të rreme.

Në konferencën e zhvilluar në Majami, zoti Musk la të kuptohet se dëshironte të ulte çmimin e blerjes së rrjetit “Twitter” nga oferta e muajit të kaluar prej 44 miliardë dollarësh.

Komentet e tij ka gjasa të forcojnë teoritë e analistëve se miliarderi ose kërkon të heqë dorë nga marrëveshja ose ta blejë kompaninë për një çmim më të lirë.

Përgjigja në “Twitter” të martën erdhi pasi një faqe lajmesh për “Teslën” spekuloi se zoti Musk, “mund të jetë në kërkim të një marrëveshje më të mirë me ‘Twitter-in’, pasi 44 miliardë dollarë janë shumë”.

“Aksionet e Twitter-it do të jenë sërish nën presion këtë mëngjes pasi tani për tani nuk duket se ka shanse të mira që të arrihet marrëveshja”, tha në një shënim kërkimor analisti i “Wedbush Securities” Dan Ives, i cili mbulon “Twitter-in” dhe “Teslan”. Ai vlerësoi se ka “60%+ shanse” që zoti Musk të heqë dorë nga marrëveshja dhe të paguajë tarifën prej 1 miliard dollarësh për largimin.

Më 14 prill zoti Musk bëri ofertë për të blerë kompaninë “Twitter” me çmimin 54.20 dollarë për aksion. Që nga ajo kohë vlera e aksioneve ka rënë në 37.28 dollarë për aksion deri në mëngjesin e së martës. Edhe aksionet e “Teslës” kanë rënë që nga njoftimi i marrëveshjes.

Përmes një postimi në rrjet, zoti Agrawal pranoi të hënën se “Twitter” nuk është perfekt në zbulimin e robotëve. Ai shkroi se çdo tremujor, kompania ka bërë vlerësimin se rrjeti ka më pak se 5% llogari të rreme.

“Përllogaritja jonë bazohet në rishikime të shumta nga dora e njeriut të mijëra llogarive që janë shqyrtuar në mënyrë të rastësishme, vazhdimisht”, shkroi zoti Agrawal.

“Vlerësimet për katër tremujorët e fundit ishin të gjitha nën 5%”, shkroi ai.

“Caku i gabimit në vlerësimet tona na jep besim për deklaratat tona publike çdo tremujor”, shtoi Agrawal.

Gjatë dy viteve të fundit në dokumentacionin për agjencinë federale rregullatore “Securities and Exchange Commission”, “Twitter” ka thënë se më pak se 5% e llogarive janë të rreme apo robotike, shumë më herët se zoti Musk të ofronte blerjen e rrjetit.

(Zëri i Amerikës)