Na ishte dikur… “Turizmi i  Skelës”

Qerim Vrioni

    Dihet se simbolet vendore me ngarkesë historike të një qyteti caktohen me vendime të pushtetit qëndror ose lokal, ato përgjithësisht nuk mund dhe duhet të ndryshohen. Disa herë ato e marrin vetvetiu emërtimin histori, pra pa vendime zyrtare. Ndërsa emërtimi ose pagëzimi i simboleve toponimike, të themi popullore, nuk bëhen me vendime qeverie a pushteti lokal. Ato, emërtimin simbolik e fitojnë dalengadalë dhe më shumë nga e folura e komunitetit, por edhe si një nevojë praktike për një pikë shtesë orinemtimi.

       Në të parat, për qytetitn e Vlorës, hyjnë, “Shtëpia e Xhemil Vlorës” (ku u shpall Pavarësia), “Shtëpia e Sharrës” (ku punuan disa ministri të I. Qemalit), “Monumenti i Pavarësisë”(1972), Shtatorja “Ushtari i panjohur”(1932) mbi “Vendprehja” e Ismail Qemalit, “Sheshi i Flamurit”, “Muzeu i Pavarësisë”, “Obelisku i Shtizës së Flamurit” (ideuar nga Ali Asllani), shtatoret e “Ismail Qemalit” (2012) dhe “Avni Rustemit”, busti i “Osmën Haxhiut” (2020), “Muzeu Historik” (ish Bashkia e qytetit), Klubi “Labëria”, “Varrezat e Dëshmorëve” etj. Shumica dërmuese e tyre ishin dhe janë me shumë vlera historike jo vetëm për qytetin e Vlorës, por të vyera dhe të shtrenjta për të gjithë kombin shqiptar

     Pagëzimet e toponimeve simbolike popullore në Vlorë rrjedhin nga emra të përgjithshëm që p.sh. të kujtojnë ngjarje historike si, “Qafa e Topit”, “Kaçaniku”, “Qafa e Koçiut”, emra pronarësh “Dom Marku”, “Shtëpia e Beut” (Eqrem Vlorës), ”Shtëpia e Sharrës”, “Vila e Koculit” (Qazim Koculi) dhe “Belvederja” poshtë saj, por dhe “Shkëmbi i Doktorit” mbi tunel, përcaktime gjeografike nga bota shtazore si “Gryka e Mesovunit”, “Bishti i kalldrëmit” dhe “Qafa e ullinjëve”,  industriale  p.sh. “Orizi”, “Kombinati”, “Çimentua”, lagjia “Çentrale”, figura nga fusha e letërsisë si “Kali i Trojës”, nga botanika si “Rrapi” i Ujit të Ftohtë, dhe Bar “Lulëzimi”,  mandej “Pusi i Mezinit”, “Kalaja” (ende pa ndonjë shenje arkeologjike) dhe “Tuneli” i Ujit të Ftohtë si edhe “Tregurshi” para tij, “Sheshi i “Kateqit”,”Merkatua” poshtë Sahatit, skulptura “Peshkatari” në Skelë dhe kodra e “Budakut”. Madje edhe matematika ka ndikuar në emërtime si “Moli xero”, “Moli nr.1”, “Dy palmat”, “Tri rracat”,  “Katër topat (sfera prej travertine) dhe shatërvani” te sheshi  Flamurit, “Pesëkatshi’ (afër Teatrit), “Gjashtëkatshi”(afër Bashkisë) dhe “Shtatë pallatet” në Ujin e Ftohtë, por edhe “Moli i naftës”, “Vapori i mbytur” dhe “Kanali i motorit” në buzëdetin e “Pyllit të Sodës”, “Shkallët (e bukura) të Kuzbabait” (që nuk të çojnë atje), ashtu si edhe emra pajisjesh të veshjes vetjake si p.sh. lokali “Kapelja” e deri edhe ushqimore “Bregu i Orizit” dhe “Kulaçi” i Skelës etj. Pra, disa pagëzojnë krijime të natyrës, të tjerat u kushtohen ngrehinave të dorës së njeriut. Një pjesë e ndërtimeve të cekuara më sipër, sot nuk ekzistojnë, ato janë prishur në periudha dhe për shkaqe të ndryshme, jo gjithmonë të përligjura nga koha.. Madje disa nga ato prishje kanë  krijuar boshllëqe të  pazëvendësueshme dhe mjaft të  dëmshme për historinë  e qytetin të  bukur brgdetar, por edhe për të gjithë vendin.

      Siç dallohet lehtë, në llojin e dytë  të  emërtimeve, shpesh gëlon dhe frazeologjija e zhdërvjelltë e vlonjatëve, me humor të hollë dhe me kulturë. Pra, burimet e prejardhjes së emërtimeve të  simboleve vendore janë shumë të ndryshme. Natyrisht, me kalimin e kohës, nga ndërtimet mund të krijohen edhe toponime të reja, të themi popullore, disa prej të cilave do të mbeten, të tjerat do harrohen. Toponime të ngjashme popullore me emërtime karakteristikë mund të ketë në çdo qytet të Shqipërisë, por këtu po përmenden ato të Vlorës. Më poshtë do bëhet fjalë për njerin nga simbolet e veçanta historike dhe arkitektonike të Vlorës, që mendojmë se mund t’u përkasi të dy grupimeve të toponimeve, “Dom Marku” ose “Turizmi i Skelës”, që sot fatkeqësisht nuk ekziston.Ndërtesa u prish rreth viteve 1995-96 për tja lënë vendin një hoteli 6-7 katësh. Ky u shkatërua më dinamit disa vite më pas, por pa u vënë në funksionim.

Nga brenda Dom Markut, në Skelë.

     “Dom Marku”

     Për rreth 60-70 vite në krahun e djathtë të rrugës Skelë-Uji i Ftohtë (Vlorë), buzë detit, ngrihej një banesë njëkatëshe. Ajo ishte ndërtuar për famulli për katolikët e paktë të qytetit nga Kisha Katolike shqiptare, ndoshta edhe me ndihmën e Vatikanit. Si famulltar i saj u caktua kleriku Dom Mark Vasa (Shkodër, 1872 – Vlorë, 1934) nga qyteti i Shkodrës. Shpejt Dom Marku, përveç detyrës kryesore si famulltar, u përfshi edhe gjallërisht edhe në veprimtari atdhetare dhe kulturore. Ai jetoi në qytetin e Vlorës mbi 20 vite.

     Nga disa botime dhe prej shtypit mësohet diçka për veprimtarinë e gjerë politike dhe shoqërore të Dom Mark Vasës. Kështu, bëhet e ditur se “Dom Marku kishte studiuar i ri në Vienë“ (Ardian Vehbiu-Përkthyesi plak-“Peizazhe të fjalës”, 1.6.2008) dhe “në vitin 1900 ai ka qënë mësuesi i parë i shkollës së Rrëshenit” (Shqiptarja.com, 25.3.2022) dhe se “ai ishte një meshtar krejt i përshtatshëm për të krye detyrën delikate të mësuesit” (Ndue Dedaj). Nga një artikull i vitit 2018, mësohet se “Dom Marku bashkë me Thanas Floqin dhe Marigo Pozio, kanë shikuar shfaqjen e dramës “Vdekja e Pirros” të Mihal Gramenos, më 14 shkurt 1909 në Vlorë“ (Ilirjan Gjika). Në vitin 1912 ka shkuar tek arbëreshët në Kalabri (Itali) bashkë me Dhimitër Beratin dhe Petro Fotografin, ku ka gjetur dhe vizatuar modelin e Flamurit Kombëtar, të cilin më vonë e qëndisi atdhetarja e njohur Marigo Pozio (“Kosova ime”, 6.9.2019). Po ashtu, ai “ka qënë  i pranishëm në  ngjarjet e shpalljes së  Pavarësisë”  (Bardhosh Gaçe-“Ata që  shpallën pavarësinë “, Tiranë , 1997, f.165). Gjatë Luftës së Vlorës, më 1920, Dom Marku, për qëndrimin e tij atdhetar, bashkë me patriotë të tjerë vlonjatë, u internua nga italianët në ishullin e Sazanit (Zaho Golemi). Në shtator 1920, Dom Marku u zgjodh në komisionin organizues të festimeve të fitores së Luftës së Vlorës. Per rreth tre vite (1920-1923) ai ka botuar gazetën e përjavshme atdhetare “Mbrojtja Kombëtare”, mandej për një kohë më të shkurtër, atë “Politika” (Bardhosh Gaçe). Ka të dhëna se Dom Mark Vasa dhe poeti e atdhetari i njohur, gjithashtu nga Shkodra, Pashko Vasa ishin kushurinjë (Fritz Radovani). Për shumë kohë, siç u cek më sipër, ai ishte Famulltar i Kishës Katolike të Vlorës, “ku predikonte përherë në shqip” (Bardhosh Gaçe), ndonëse në qytet nuk kishte ndonjë komunitet të madh katolik.  Dom Mark Vasa, mbahet edhe si zbuluesi I Shenjtit të Vlorës, San Dana (Donati) me origjinë nga Vlora e vepërimtari në bregun Italian në Santa Leuca (Agim Haxhiraj).)

     Gjithsesi, ende nuk është gjetur ndonjë vlerësim institucional për këtë atdhetar, apo të jetë dekoruar me ndonjë medalje ose titull (me sa dijmë deri tani). Nga një letër e atdhetarit, Kristo Floqit e vitit 1937, njoftohet se Dom Mark Vasa ishte ndarë nga jeta në vitin 1934 (Piro Stefa).

    Thuhet se godina u ndërtua edhe sepse shumica e komunitetit të krishterë ishin ortodoks dhe të shërbente si lidhje me atë katolikë. Deri nga vitet 50-60 quhej shkurt “Dom Marku” sepse ky ishte si të thuash, pronari i banesës, veçse me emër të mirë atdhetari dhe fetari.   

    Ndërtesa ishte (se qysh prej viteve 1995-96 nuk është më) pa çati, por me soletë, kapte rreth 200 metro katror e megjithë oborin, sipërfaqja shkonte aty 3-400 metro katror. Të veçanta ishin dritaret e saj të zgjatura në lartësi, sidomos ato nga deti ishin të tipit venecian me harqe kulmorë. Këto lloj dritaresh ishin shumë të përhapura në ndërtesat  e ngritura nga Italianët, por tani kanë mbetur fare pak prej tyre. Gjithashtu, shtojmë se pjesa e jashtëme e godinës lyhej përherë me bojë të bardhë.

Lokali i Turizmit të Skelës

   “Turizmi i Skelës”

  Disa vite fill pas përfundimit të L2B, në godinë banonte familja Gjonzeneli, mandej për 3-4  dhjetëvjeçarë ndërtesa e shtetëzuar u kthye në lokal të zakonshëm të ushqimit social

     Gjatë viteve ’50-’60, ndërtesa kaloi nën administrimin e  “Albturist”, ndërmarrjes shtetërore të turizmit duke pritur dhe u shërbyer turistëve të pakët nga vendet e lindjes. dhe u quajt “Turizmi i Skelës” se ishte pranë asaj lagjeje,. Po ashtu u emërtua nga populli edhe “Turizmi i vogël”, se i madhi ishte Hotel “Adriatiku”, ndërtesa hijerëndë katërkatshe brenda në qytet dhe e ngriturr nga Italianët gjatë pushtimit të dytë.

    Pas prishjes me vendet lindore tek “Turizmi i Skelës” nuk vinin më turistë nga shtetet revizioniste, kështu lokali u hap për qytetarët e Vlorës. Aty jepeshin me qera edhe barka të vogla për katër-pesë veta me rrema dhe kanoe njëvendshe gjithashtu prej druri për dashamirët e kanotazhit.  Ndërkohë, për rreth 20-30 vjet, ajo shërbeu si lokal i ushqimit social, bar-restorant, e për disa kohë edhe me një pistë të vogël vallëzimi rrethore pranë dy palmave të mëdha, që mundet të ishin vërsnike me godinën.. Vlonjatët vinin aty, sidomos të shtunave dhe të dielave për t’u dëfryer duke kërcyer me të afërmit e tyre. Aty janë zhvilluar edhe dasma, mbrëmje të ndërmarrjeve, të shkollave, madje edhe nga ato të matures së gjimnazeve të qytetit. “Turizmi” i Skelës me shumë gjasë ishte, përveç shtëpisë së atdhetarit e koleksionistit të njohur Ibrahim Shytit, ndërtesa  më pranë detit në të gjithë Gjirin e Vlorës. Me kalimin  e viteve, emërtimi “Dom Marku” po zëvendësohej me “Turizmi i Skelës”, sidomos nga moshat e reja, se të vjetri nuk jiqnin dorë nga pagëzimi zanafillor.

Vlorë, Turizmi i Skelës, vitet ’80-’90

     Jo vetëm  nostalgji

     Qytetarët e Vlorës të moshave mbi 30 vjeçare e mbajnë mend mirë dhe e kujtojnë me një farë nostalgjije “Dom Markun”. Ajo,  përveç formës së veçantë arkitektonike dhe ngjyrës së bardhë, shërbente edhe si një pikë orientimi, por edhe si një vend i bukur që kishte marrë tanime statusin e një simboli. Madje, “Dom Marku” ishte një nga simbolet më të prekshme dhe më tërheqëse të qytetit bregdetar. Ndërtesa ishte ngritur mbi det, çka kuptohej se ajo qëndronte e futur brenda detit, kjo dukej nga ndërprerja që i bënte buzës së ujit, sidomos kur shihej nga ajri ose në foto ajrore. Kështu, ajo bënte edhe lidhjen midis ujit dhe tokës, pra ishte ndërtuar mbi det dhe mbi tokë.

     “Dom Marku” pati fatin e keq të shumë ndërtimeve të tjera të vjetra dhe simbolike në qytete të ndryshme të vendit të cilat janë shkatëruar (dhe vazhdojnë të prishen për t’u zëvendësuar nga të reja) nga njeriu i sotmë. Thënë ndryshe, të gjitha këto  përbëjnë atë që quhet ndonjë herë në shtyp, “Shqipëria e humbur”. Fatkeqësisht, kjo “Shqipëri” po rritet çdo ditë në dëm të historisë së shqiptarëve, të cilëve nuk u mbetet gjë tjetër sot, vetëm të shohin fotot e tyre të vjetra, edhe këto nëse gjejnë të tilla që i paraqesin ato kur bënin hije mbi tokë..

      Për pak vite, ndërtesa e thjeshtë  “Dom Marku” do të mbushte shekullin dhe në një mur ndoshta do të kishte një pllakë bronzi (sa po rrallohen pllakat e bronzit kohët e fundit) me shënimin “Kjo ndërtesë nga fillimi shekullit XX, ishte famulli, dhe si famulltar ka shërbyer Dom Mark Vasa, prift katolik dhe atdhetar i shquar”. Po në përbërjen e Lungomares a do të “kërciste”  ndërtesa e  “Dom Markut” ? Mendoj se jo. Madje ajo mund të kthehej në një qëndër kulturore për veprimtari të ndryshme ose muzeale për vlerat e qytetit dhe të krahinës. Kësisoj, ajo do t’i shtonte Vlorës edhe një pikë tjetër tërheqëse të vizitueshme nga turistët e huaj, tashmë brenda  të quajturit “turizmi kulturor”, ku mendoj se nuk shkëlqen qyteti i Flamurit.

     Fatmirësisht, duke qënë ndërtesë e veçantë nga ana arkitektonike dhe e ndërtuar thuajse mbi det, edhe fotot e pakta që kanë mbërritur në ditët e sotme, e paraqesin atë shumë tërheqëse. Me këto foto gjejnë çmallje ata që e kanë përjetuar me veprimtari e frekuentim të saj, dhe habiten të tjerët që nuk e kanë arritur ta shohin në këmbë atë.  Urojmë që të përdoret në të ardhmen sa më pak fotografia si një hallkë lidhëse të së shkuarës, pra historisë, me të tashmen, por të shihen duke lëshuar hije, për të dëshmuar se edhe këtu ka pasur qytetari dhe jetesë si në të gjithë botën. Ndërtesa dhe sheshet kryesore të qyteteve, krahas librave, dokumentave, letërsisë dhe kulturës, përbëjnë vectorët ku mbështet historia e një vendi apo qyteti. Po ashtu, koha ka vërtetuar katërcipërisht se edhe ndërtesave të vjetra, ashtu si verës, me kalimin e moteve iu rritet vetvetiu “karati”, pra vlera për shoqërinë dhe sidomos për historinë e saj..

                               (Botuar tek “Gazeta Shqiptare”, 7 mars 2023)