Na la Nebil Çika, I Riu, i paharruari

Nga Ruben Avxhiu

Më tronditi lajmi i ikjes së beftë të Nebil Çikës (I Riu). Një mik i vjetër, një hero i fjalës së lirë, një rebel deri në ditën e fundit të jetës.

U njohëm kur punonin për gazetën “Albania” dhe u lidhëm shumë. Erdhi një kohë që pas mbarimit të çdo numri gazete, uleshim e kalonim orë duke biseduar. Pinim ndonjë gotë e nuk kursenim askënd me debatet tona. Më pëlqente Nebili se ishte idealist e nuk kishte “lopë të shenjta” në kokë.

Ai besonte se çdo udhëheqës i suksesshëm politik ishte automatikisht për t’u dyshuar. Një konservator i vërtetë, ai besonte se adhurimi për politikanët është tipar i të majtës. E djathta vjen me adhurim për vlerat. Ndryshe nga shumë të tjerë, nuk mërzitej nëse nuk bije dakord me të. E priste kundërshtimin. E donte debatin. Kishte mbaruar për të bashkë me komunizmin, koha kur nuk guxoje të vije në dyshim “orientimet e partisë” apo “citatet e udhëheqësit”.

Nebil Çika ishte lindur me “damkë”, në një regjim ku mbiemri përcaktonte fatin e njeriut. Mirëpo, ai vetë mbante me krenari emrin dhe mbiemrin e gjyshit, “një armik i popullit”, në fakt, gazetar e botues, intelektual shqiptar i lindur në Prevezën shqiptare. i pushkatuar nga komunistët pak përpara mbarimit të luftës. Diktatura ra shpejt për fatin e mirë të Nebilit të ri. Natyra e pabindur e kokëshkretë do ta çonte patjetër në ndonjë ndëshkim mizor nga shteti. Inteligjenca natyrore dhe aftësia për të njohur njerëzit mbase do ta mbronte e do ta shpëtonte.

Pas rënies së komunizmit, diti të gjente veten e rindërtonte jetën. Filloi të përdorte shtesën e “I Riu” në emrin e tij për të theksuar lidhjen e gjyshin në rrugën e të cilit vendosi të ecte. Rithemeloi gazetën “Minerva” që ai botonte dikur në kohën kur u vunë themelet e shtetit shqiptar.

U shqua si gazetar. Filloi si reporter e punoi në shumë sektorë të gazetave, por ishte njeri me opinione të forta e vizion të pashoq, kështu që ishte vetëm çështje kohe kur do të dilte si zë më vete. Në atë kuptim, “Minerva” ishte një domosdoshmëri.

Edhe në krye të Shoqatës së Persekutuarve u përpoq të krijonte një zë më vete, pjesë e politikës, por e pavarur prej saj, mbështetëse e të djathtës, por jo vasale.

Kishim pikëpamje të ndryshme në disa gjëra, por nuk mund të mos ia respektoje idealizmin e vendosmërinë për t’i qendruar një mendimi edhe kur i prishte punë, edhe kur e shihte se i ishte vënë shumica kundër, edhe kur e kërcënonin e ofendonin.

Mbeti deri në fund, luftëtar i një prej kauzave më të tradhëtuara të demokracisë në Shqipëri, atë të demokracisë së brendshme të partive, padyshim një nga problemet themelore të tranzicionit shqiptar.

Vdekja e mori përpara kohe, por ashtu si gjyshi i tij i shquar, la pas shkrime e kujtime, e mbi të gjitha një shembull guximi e pavarësie. Nuk do të harrohet.

Me bashkëshorten.
“Minerva” e dikurshme që u ringjall pas rënies së komunizmit, nga Nebil Çika I Riu