Najada Çomo dorëzon mandatin si deputete socialiste

Pas shtimit të rasteve të reja me COVID-19 nga varianti indian “Delta”, kryemministri Edi Rama njoftoi se mjekja Najada Çomo i ka dorëzuar mandatin e deputetes socialiste të fituar më 25 prill 2021.

Jam i prekur nga komunikimi me Najada Çomon, ajo më kërkoi para pak kohe të pranoja tërheqjen e saj nga roli i ri i deputetes duke ndjerë shumë të fortë detyrimin për të mos u ndarë nga ekipi i saj kur varianti Delta i virusit arriti të rimbushë shtretërit e pavionit të terapisë intensive. E falenderoj për këtë shembull kuptimplotë dhe i them sot një faleminderit shumë të madhe. Lufta nuk ka mbaruar, vjeshta dhe dimri mund të jenë të vështirë”-tha zoti Rama.

Kur mbajti fjalën e tij përmbyllëse të mandatit të dytë kryeministri theksoi se Koronavirusi dhe tërmeti i 26 Nëntorit 2019 ishin sfidat madhore.

“Mbyllet me një notë pozitive puna e një mandati të vështirë me tërmetin dhe pandeminë. Jam krenar. Kemi marrë një avantazh të konsiderueshëm dhe përtej çdo konsiderate, lëvdata apo kritike se si i kemi menaxhuar këto dy kriza, kjo do të jetë një nga gjurmët e pashlyeshme të kësaj qeverie.

Fushata e vaksinimit po modern valën e tretë. Fatkeqësisht kemi fatalitete dhe sot që flasim. Ato janë një mësim domethënës për rëndësinë jetike të vaksinimit. Askush prej atyre që sot marrin frymëmarrje të asistuar nga respiratorët nuk është i vaksinuar. Ndërkohë që disa të vaksinuar nuk shfaqën shenja rëndimi të gjendjes. Gjithashtu për skeptikët e vaksinës Sinovac që kërkojnë medoemos Pfizer, mbase vlen e dhëna se në spital ndodhen gjysmë për gjysmë të vaksinuarit me Pfizer dhe Sinovac.

I bëj thirrje të mos humbasin kohë me mendimin e gabuar që Pfizer bën, Sinovac s’bën por të përfitojnë një orë e më parë nga vaksina. Vaksinohuni! Teoritë e konspiracionit e lënë trupin e njeriut të paarmatosur. Nëse sot jemi më të mbrojtur, ka vetëm një arsye, numri i lartë i të vaksinuarve në Shqipëri. Të gjitha studimet thonë që nuk ka imunitet natyral afatgjatë ndaj këtij virusi afatgjatë”-tha ai.