Nancy Pelosi do të vizitojë Tajvanin, pavarësisht paralajmërimeve të Kinës

Taipei / Pekin, 1 gusht 2022 – (Reuters) – Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi do të vizitojë Tajvanin të martën, thanë tre persona të informuar për këtë çështje, pasi Kina paralajmëroi se ushtria e saj nuk do të “rrinte duarkryq” nëse ajo vizitonte ishullin e vetëqeverisur që Pekini e konsideron territor të tijin.

Zonja Pelosi, e cila filloi një turne në Azi më herët të hënën në Singapor, do të kalonte natën e së martës në Tajvan, thanë personat në dijeni të vizitës së saj.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha të hënën se një vizitë e mundshme në Tajvan nga kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi do të ishte tërësisht vendimi i saj, por i bëri thirrje Kinës që të mos përshkallëzojë tensionet në rast të një vizite.

“Nëse kryetarja Pelosi vendos të vizitojë Tajvanin dhe Kina përpiqet të krijojë një lloj krize ose të përshkallëzojë tensionet, kjo do të ishte tërësisht në anën e Pekinit”, tha zoti Blinken pas bisedimeve për mospërhapjen bërthamore në Kombet e Bashkuara.

“Ne po kërkojmë që ata (Kina) – në rast se ajo vendos të vizitojë – të veprojnë me përgjegjësi dhe të mos përfshihen në ndonjë përshkallëzim në vazhdim.”

Ministria e Jashtme e Tajvanit tha se nuk kishte asnjë koment mbi njoftimet për planet e udhëtimit të zonjës Pelosi.

Mes spekulimeve të përhapura nëse ajo do të bënte një ndalesë në Tajvan, zyra e kryetares Pelosit tha të dielën se ajo po drejtonte një delegacion të kongresit në rajon që do të përfshinte vizita në Singapor, Malajzi, Korenë e Jugut dhe Japoni duke mos përmendur Tajvanin.

Një burim i tha agjencisë Reuters se Shtetet e Bashkuara kishin informuar disa aleatë për vizitën e zonjës Pelosi në Tajvan. Dy burime të tjera thanë se zonja Pelosi ishte planifikuar të takonte një grup të vogël aktivistësh të cilët flasin hapur për të dhënat e të drejtave të njeriut në Kinë ,gjatë qëndrimit të saj në Tajvan, ndoshta të mërkurën.

Zëdhënësi i ministrisë së jashtme kineze Zhao Lijian tha më herët të hënën se do të ishte “një ndërhyrje e rëndë në punët e brendshme të Kinës” nëse zonja Pelosi viziton Tajvanin dhe paralajmëroi se kjo do të çonte në “zhvillime dhe pasoja shumë serioze”.

“Do të donim t’u themi Shteteve të Bashkuara edhe një herë se Kina po qëndron pranë, Ushtria Çlirimtare Popullore Kineze nuk do të rrijë kurrë duarkryq dhe Kina do të marrë përgjigje të vendosura dhe kundërmasa të forta për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e saj territorial”, tha zëdhënësi Zhao në një fjalim të rregullt në informimin e përditshëm.

I pyetur se çfarë lloj masash mund të marrë Kina, zëdhënësi Zhao tha: “Nëse ajo guxon të shkojë, atëherë le të presim dhe të shohim”.

Kina i sheh vizitat e zyrtarëve amerikanë në Tajvan si një sinjal inkurajues për kampin pro-pavarësisë në ishull. Uashingtoni nuk ka lidhje diplomatike me Tajvanin, por është i detyruar nga ligji i SHBA-së t’i sigurojë ishullit mjetet për t’u mbrojtur.

Një vizitë nga zonja Pelosi, e cila është e dyta në radhën e pasardhësve të presidencës së SHBA-së dhe një kritike për një kohë të gjatë e Kinës, do të vinte mes përkeqësimit të lidhjeve midis Uashingtonit dhe Pekinit. Republikani Newt Gingrich ishte kryetari i fundit i Dhomës së Përfaqësuesve që vizitoi Tajvanin, në vitin 1997.

VIDEOJA E UÇPK

Në një video nga Komanda e e Ushtrisë Çlirimtare Popullore, e cila tregonte skena të stërvitjeve dhe përgatitjeve ushtarake dhe që u postua në faqet e mediave shtetërore të hënën në mbrëmje, u bëhet thirrje trupave të “qëndrojnë pranë në formacionin e betejës, të jenë gati për të luftuar sipas komandës, të varrosin të gjithë ata armiq që vijnë”.

Shtëpia e Bardhë hodhi poshtë retorikën e Kinës si të pabazë dhe të papërshtatshme. “Nuk është e pazakontë që udhëheqësit e Kongresit të udhëtojnë në Tajvan”, tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare John Kirby në një intervistë me CNN herët të hënën.

“Ne nuk duhet të frikësohemi nga ajo retorikë apo veprime të mundshme. Ky është një udhëtim i rëndësishëm për kryeparlamentaren dhe ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për ta mbështetur atë”.

TELEFONATA BIDEN-XI

Gjatë një telefonate të enjten e kaluar, presidenti kinez Xi Jinping paralajmëroi presidentin amerikan Joe Biden se Uashingtoni duhet t’i përmbahet parimit të një Kine dhe “ata që luajnë me zjarrin do të digjen prej tij”.

Presidenti Biden i tha homologut Xi se politika amerikane për Tajvanin nuk kishte ndryshuar dhe se Uashingtoni kundërshton fuqimisht përpjekjet e njëanshme për të ndryshuar status quo-në ose për të minuar paqen dhe stabilitetin përgjatë ngushticës së Tajvanit.

Zëdhënësi i ambasadës së Kinës në Uashington, Liu Pengyu, mbajti një ton të matur me gazetarët të premten, një ditë pasi presidenti Biden foli me presidentin Xi, duke thënë se një nga qëllimet e dialogut ishte lehtësimi i tensionit mbi Tajvanin.

“Unë mendoj se si Kina ashtu edhe SHBA-ja nuk duan një konflikt në ngushticën e Tajvanit,” tha zoti Liu.

Të hënën, kryeministri i Tajvanit Su Tseng-chang nuk u përgjigj drejtpërdrejt kur u pyet nëse zonja Pelosi do ta vizitojë të enjten, siç kishin spekuluar mediat lokale.

“Ne gjithmonë mirëpresim ngrohtësisht vizitat në vendin tonë nga të ftuar të huaj të shquar”, u tha ai gazetarëve në Taipei.

Shi Yinhong, një profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Renmin në Pekin, tha se nëse zonja Pelosi viziton Tajvanin, kjo do të nxiste kundërpërgjigje më të fuqishme nga Pekini në vite, por ai nuk priste që kjo të shkaktonte një konflikt të madh ushtarak.

“Kina e ka përsëritur qartë kundërshtimin e saj ndaj separatizmit të Tajvanit. SHBA ka përsëritur shumë herë se politika e saj e një Kine nuk ka ndryshuar dhe se është kundër çdo ndryshimi të status quo-së nga të dyja anët e ngushticës së Tajvanit”, tha ai.

“Përveçse aksidentalisht, jam i sigurt se asnjëra palë nuk do të ndërmerrte qëllimisht veprime ushtarake që mund të çonin në një rrezik të madh sigurie.”

VIZITA NË SINGAPOR

Të hënën, zonja Pelosi dhe delegacioni i saj u takuan me kryeministrin e Singaporit, Lee Hsien Loong, duke diskutuar çështje që përfshinë marrëdhëniet ndërmjet vendeve në rajon, luftën në Ukrainë dhe ndryshimet klimatike, tha ministria e jashtme e Singaporit.

“Kryeministri Lee theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të qëndrueshme SHBA-Kinë për paqen dhe sigurinë rajonale”, thuhet në deklaratë.

Pekini e konsideron Tajvanin si pjesë të territorit të tij dhe kurrë nuk ka përdorur forcën për të vënë ishullin nën kontrollin e tij. Tajvani hedh poshtë pretendimet e Kinës për sovranitet dhe thotë se vetëm njerëzit e tij mund të vendosin për të ardhmen e ishullit.

Të mërkurën e kaluar, presidenti Biden u tha gazetarëve se mendonte se ushtria amerikane besonte se një vizitë e zonjës Pelosit në Tajvan “nuk ishte një ide e mirë tani”.

Zonja Pelosi do të jetë kryetarja e parë e Dhomës së Përfaqësuesve që do të vizitojë vendin që nga viti 1997

(Zëri i Amerikës)