NASA shpreson të nisë së shpejti raketën drejt Hënës

Uashington, 18 shtator 2022 – NASA deri më tani nuk ka qenë në gjendje të nisë raketën e parë për programin “Artemis”, ndërsa janë shtuar kritikat për fryrje të kostove. Agjencia hapësinore amerikane shpreson që të zgjidhë shpejt problemet teknike me raketën dhe që të ketë sukses në dërgimin e astronautëve në Hënë.

Qindra njerëz janë duke pritur që NASA të nisë raketën e programit “Artemis” për në Hënë, por deri tani shumë janë zhgënjyer.

“Shpresoja të ndjeja zhurmën, fuqinë dhe zërin. Do të kishte qenë shumë interesante të shihej, mendoj”, thotë Mark Franko.

Ai dhe miqtë e tij planifikonin të shikonin nisjen e raketës, por problemet me rrjedhjen e karburantit kanë shtyrë dy herë nisjen e një prej raketave më të fuqishme të krijuar ndonjëherë nga NASA.

“Unë mendoj se ata duhet ta kthejnë raketën në ndërtesë dhe ta kontrollojnë plotësisht dhe pastaj ndoshta e nisin. Më duket se ishte shumë herët kur mendonin ta nisnin. Unë nuk mendoj se ata nuk janë të kujdesshëm”, thotë Mary Jane Patterson.

“Është hera e parë që ne do të nisim këtë raketë dhe këtë kapsulë, kështu që ka shumë gjëra që mund të shkojnë keq. Ky është një fluturim provë. Mos i mbani pritshmëritë tuaja shumë të larta”, thotë Stan Love, astronaut i NASA-s.

Turma turistësh mblidhen në Florida sa herë që NASA thotë se do të nis raketën për programin Artemis 1, dhe sipas astronautit Stan Love kjo vjen për shkak se kosotoja e këtij programi është shumë e madhe.

Kostoja e raketës dhe përforcuesve që do të çojnë kapsulën “Orion” në hapësirë është rritur nga 10 miliardë dollarë në 20 miliardë dollarë. Çdo nisje do të kushtojë rreth 4.1 miliardë dollarë.

Inspektori i përgjithshëm i NASA-s pret që kostoja e programit “Artemis” të arrijë në 93 miliardë dollarë deri në kohën kur astronautët e parë të kthehen në sipërfaqen e Hënës, në vitin 2025.

“Ne kemi sfida. Duhet të sigurohemi që kapsula të jetë gati për nisjen. Duhet të sigurohemi që është e sigurt për ekuipazhin. Dhe këto gjëra thjesht kërkojnë kohë”, thotë Doug Hurley, ish-astronaut i NASA-s.

Zoti Hurley ishte i pari që fluturoi me kapusulën e kompanisë Space X’, “Crew Dragon” në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës. Ai tani punon për një kompami që ndihmon për programin “Artemis” të NASA-s, ndërsa iu përgjigjet kritikave se agjencia është pas planit dhe kosotoja është e lartë për këtë program.

“I kam dëgjuar këto kritika gjatë gjithë karrierës sime, në çdo projekt që kam qenë i përfshirë. Ne dëgjuam kritika kur po përpiqeshim të bënim fluturimin me Spase X, kaluan gjashtë vjet nga koha kur u dha kontrata deri në kohën kur ne fluturuam. Duhet kohë për të ndërtuar këto makina të komplikuara, por ia vlen”, thotë ai.

Ndërsa NASA po merret me problemet teknike, ekspertët po analizojnë me kujdes rreziqet për nisjen e raketës për programin “Artemis”. Sipas tyre e ardhmja e fluturimeve në hapësirë varet nga kjo përpjekje e parë e NASA-s për t’u kthyer në Hënë.

“Pasi të kemi analizuar se anija është e sigurt edhe për ekuipazhin, atëherë mund të themi se kemi arritur sukses”, thotë zoti David Reynolds, nga kompania SLS Boosters.

Mark Franko duhet të kthehet në Arizona, ndërsa thotë se nuk e di nëse ia vlente ky udhëtim për në Florida për të parë nga afër nisjen e raketës së NASA-s. Deri tani NASA nuk ka dhënë një datë për nisjen e raketës, por shpreson në fillim të muajit tetor.

(Zëri i Amerikës)