NATO-ja fton zyrtarisht Finlandën dhe Suedinë që të bëhen anëtare

Unanimiteti sigurohet pasi Turqia hoqi dorë nga kushtet – Një humbje gjeostrategjike për Rusinë që kishte menduar se agresioni ndaj Ukrainës do të përçante e dobësonte NATO-n

Nga Ruben Avxhiu

Në Samitin e Madridit, udhëheqësit e NATO-s kanë ftuar zyrtarisht Finlandën dhe Suedinë që të bëhen anëtare të Aleancës.

Kjo ftesë u bë e mundur pasi, i vetmi vend që ngurronte, Turqia, hoqi dorë nga kundërshtimet për anëtarësimin e dy vendeve skandinave.

Vendimi i këtyre dy vendeve, historikisht neutrale, që të bashkohen me NATO-n është një nga treguesit se sa gabim i kishte bërë llogaritë Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, kur filloi agresionin e tij kundër Ukrainës fqinje.

Aleanca e Atlantikut Verior, jo vetëm që nuk u përça, por është bërë më e bashkuar dhe tani po shtohet me dy vende të tjera fqinje me Rusinë, të cilat te përpjekja për pushtimin e Ukrainës kanë parë natyrën shoviniste dhe destabilizuese të regjimit të Moskës.

Finlanda është në veçanti e ndjeshme ndaj veprimeve ushtarake ruse. Ajo ka një kufi 830 milje të gjatë me Rusinë. Suedia është vend kyç për hyrjen në Detin Balltik. Për Rusinë mbështjellja e kësaj zone në NATO është një humbje e madhe. Në të vërtetë aleanca është pozitive ndaj Rusisë dhe është përpjekur prej vitesh të ndërtojë një marrëdhënie bashkëpunimi. Për fat të keq, një situatë konflikti me Perëndimin është e vetmja mënyrë për klikën e Vladimir Putinit për të qendruar në pushtet.

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan pranoi premtimet e drejtuesve të NATO-s dhe dy vendeve të reja që do të anëtarësohen për ndryshime, kujdes dhe bashkëpunim lidhur me organizata që Turqia i konsideron terroriste.

Tema nuk ishte e lehtë sepse drejtues të organizatave kurde etj që Suedia i konsideron si raste të të drejtave të njeriut kurse Turqia i sheh si terroristë të dhunshëm. Në qendër të vëmendjes është Partia Punëtore e Kurdistanit që lufton për një Kurdistan të pavarur që nënkupton shkëputje të një territori të banuar kryesisht me kurdë nga Turqia.

“Si aleate të NATO-s, Finlanda dhe Suedia bëhen garante edhe për sigurinë kombëtare të Turqisë”, thë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, që ndërmjetësoi mes vendeve.

Një rol të dorës së parë luajti edhe Presidenti Joe Biden që u përpoq ta bindte Erdoganin që të mos bëhej pengesë për aleancën në ktë moment historik.

Parlamentet e të 30 shteteve duhet të aprovojnë ndryshimin e traktatit themelues të NATO-s për të pranuar anëtarë të rinj. Kjo është bërë edhe kur u anëtarësua Shqipëria gati 15 vjet më parë. Zakonisht është dashur një vit, në mos më shumë që të ratifikohet në të gjitha parlamentet. Shqipëria priti me durim në atë kohë dhe loboi, edhe me ndihmën e SHBA-së, që të bëhej ratifikimi sa më shpejt. Megjithatë, mendohet se për shkak të krizës në Ukrainë, procesi do të jetë shumë më i shpejtë në këtë rast.

Disa udhëheqës rusë kanë kërcënuar hapur se mund të sulmojnë vendet skandinave përpara se të hyjnë në NATO, në mënyrë që aleanca të mos jetë e detyruar që t’i mbrojë. (Sipas traktatit, një sulm ndaj një vendi të NATO-s konsiderohet sulm ndaj të gjithë vendeve anëtare.) Kjo ka bërë që vende si Mbretëria e Bashkuar të deklarojnë se një sulm i Rusisë përpara anëtarësimit do të konsiderohet nga Londra si sulm kundër territorit të saj.

Senati Amerikan po punon që të votojë sa më shpejt për këtë çështje. Është një nga pikat e pakta, ku Presidenti Joe Biden dhe udhëheqësit republikanë në Senat janë në një mendje.