NATO: Shqipëria miraton protokollet e anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë

Shqipëria ndërmori sot hapin e parë në mbështetje të kërkesës së Finlandës dhe Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO. Qeveria miratoi në parim protokollet e aderimit për të dyja vendet.

“Dhamë zyrtarisht dakordësinë tonë për zgjerimin e Aleancës dhe përfshirjen në të, të këtyre dy vendeve. Këto protokolle do të kalojnë më pas për ratifikim në Kuvend dhe kur kjo procedurë ratifikimi të jetë kryer në parlamentet e të 30 vendeve anëtare të NATO, por edhe nga parlamentet e vetë Finlandës dhe Suedisë, do të bëhet i mundur pranimi i tyre de jure në Traktatin e Atlantikut të Veriut”, deklaroi ministrja e Jashtme Olta Xhaçka.

Hapi i fundit që përmbyll anëtarësimin e të vendeve do të jetë, depozitimi i instrumentit të anëtarësimit pranë Qeverisë amerikane në cilësinë e shtetit depozitues të këtij traktati.

Shqipëria u shpreh menjëherë në favor të anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë në NATO, sapo ato shprehën ambicjen e tyre për t’iu bashkuar Aleancës.

“Është një zhvillim që vjen si pasojë e drejtpërdrejtë e agresionit rus kundër Ukrainës dhe fakti që dy vende si Finlanda dhe Suedia, me një traditë të gjatë neutraliteti, ndjejnë sot nevojën të anëtarësohen në NATO flet qartë në njërën anë për nivelin e kërcënimit me të cilin përballet sot e gjithë Europa e në anën tjetër për besimin që gëzon NATO si një organizatë e aftë të garantojë sigurinë kolektive të çdo vendi anëtar edhe përballë një kërcënimi të këtyre përmasave”, tha zonja Xhaçka, duke shtuar se “ne shpresojmë që ky moment, zgjerimi do të shërbejë për t’i dhënë një momentum të ri zgjerimit të mëtejshëm të NATO edhe në Ballkanin Perëndimor, e këtu dua të theksoj sidomos rastin e Kosovës, e cila ndan me Aleancën të njëjtat parime e të njëjtat vlera”.

Të gjithë vendet anëtare kanë shprehur mbështetjen e tyre ndaj kërkesës së Finlandës dhe Suedisë, me përjashtim të Turqisë, e cila ka deklaruar se do të përdorë mekanizmin e vetos, për shkak të mosmarrëveshjeve bilaterale. Ankaraja i akuzon të dy vendet nordike se strehojnë anëtarët e partisë së jashtëligjshme në Turqi, Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), si dhe mbështetësit e predikuesit me qëndrim në Shtetet e Bashkuara, Fethullah Gulen, i cili konsiderohet nga autoritetet turke si organizatori i ngjarjeve të ndodhura në vitin 2016, të cilat janë cilësuar prej tyre si grusht i dështuar Shteti. (VOA)