NATO shihet si sinonim i lirisë dhe paqes në Kosovë

14 vite pas hyrjes së forcave tokësore të NATO-së në Kosovë, kjo aleancë nga elita politike dhe qytetarët e Kosovës vazhdon të konsiderohet si njëra nga forcat që përshpejtoi dhe mundësoi lirinë e Kosovës dhe perspektiven e saj

 

Bekim Salihu

 

Prishtinë qershor – Pa ndonjë aktivitet të veçantë, Kosova ka shënuar 14 vjetorin e hyrjes së forcave tokësore të NATO-së, si njërën ndër datat më të rëndësishme për vendin. Kjo ditë në kalendarin e festave të Kosovës, kategorizohet si dita e Paqes. Liderët politik, por edhe qytetarët, i kanë dhënë vlerësimin më të lartë ndërhyrjes së NATO-së dhe angazhimit të tyre gjatë këtyre 14 viteve.

“Asnjëherë nuk kam përjetuar gëzim më të madh se kur kam parë ushtarët e NATO-së në qendër të Prishtinës, në pasditen e 12 qershorit” ka thënë për gazetën “Illyria” Bashkim Nikaj, qytetar nga Prishtina. Ai thotë se me ardhjen e NATO-së ka ardhur liria, shpresa, perspektiva e zhvillimi. “I kam bërë afro 60 vite jete dhe vazhdimisht kemi folur për të ardhmen, kjo e ardhëm ka nisur të shihet me 12 qershor” është shprehur Nikaj. Pikëpamje të njëjtë shfaq edhe Shqipe Curri, me profesion mësimdhënëse.

“Me hyrjen e NATO-së, është ndalur represioni, dhuna dhe frika. Deri sa ka hyrë NATO-ja, as gjumin gjumë nuk kemi mundur ta bëjmë” ka potencuar mësimdhënësja Curri. Vlerësimin më të lartë për hyrjen e NATO-së dhe angazhimin e saj e kanë dhanë edhe liderët kryesor politik të Kosovës. Presidentja Atifete Jahjaga, përmes një komunikate për media ka falënderuar NATO për angazhimin e saj dhe ka vlerësuar se 12 qershori paraqet njërën ndër datat më të rëndësishme për Kosovën dhe të kaluarën e saj.

“Dymbëdhjetë qershori shënon për të gjithë ne, për popullin dhe shtetin e Kosovës, fundin e një epoke shumë të rënd dhe fillimin e një epoke të re, të ndritshme për vendit tonë si shtet e si shoqëri” ka thënë Presidentja Jahjaga, teksa ka falënderuar udhëheqësit e shteteve perëndimore për angazhimin e tyre për Kosovën dhe lirinë e saj.

“Nderojmë të gjithë burrat dhe grat, pjesëtar të NATO-së që u angazhuan në mbrojtje të qytetarëve të Kosovës. NATO për Kosovën simbolizon lirinë dhe sigurinë e saj”, thuhet mes tjerash në deklaratën lëshuar për media nga ana e Presidencës se Kosovës. Për 14 vjetorin e hyrjes së NATO-së në Kosovë, kanë folur edhe Kryeministri Thaçi si dhe Krye Parlamentari Jakup Krasniqi.

Në urimin e tij Thaçi ka thënë se 12 qershori, Dita e Paqes, është datë historike e shënimit të kurorëzimit të suksesshëm të luftës çlirimtare dhe në të njëjtën kohë shënon hapjen e kapitullit të paqes para 14 vjetësh.

“Në këtë ditë të shënuar për shtetin dhe qytetarët e Kosovës, me pietet dhe krenari të lartë kujtojmë luftën dhe sakrificën e të gjithë dëshmorëve të lirisë, heronjve tanë, optimizmin, shpresën dhe rezistencën e gjithë qytetarëve të Kosovës që kontribuuan me të gjitha format e qëndresës për ditën e paqes, ditën e çlirimit të Kosovës” thuhet në kumtesën e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit e Qeverisë së Kosovës.

Më tej në urimin e Kryeministrit Thaçi thuhet se në Ditën e Paqes Kosova ka hyrë në vitin e gjashtë të Pavarësisë, me institucione demokratike më të konsoliduara, me përkushtimin institucional për fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit, me vendosmërinë për implementimin e reformave të gjithmbarshme në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, rritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve, të gjitha këto angazhime në funksion të përmbushjes së plotë të agjendës evropiane të Kosovës” ka thënë Thaçi, teksa ka shprehur falënderim të veçantë për angazhimin e NATO-së për Kosovën.

“Kosova shprehin falënderimin e thellë për fushatën e bombardimeve të NATO-s, si intervenimin më të suksesshëm ushtarak dhe humanitar në fund të shekullit njëzet” thuhet mes tjerash në kumtesën e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit e Qeverise së Kosovës për nder të 12 qershorit Ditës së Paqes e cila shënon përvjetorin e hyrjes tokësore të trupave të NATO-së në Kosovë. Njësoj është shprehur edhe krye Parlamentari Krasniqi, për ndër të kësaj dite.

“Kjo është njëra ndër ditët më të rëndësishme të historisë së Kosovës. Njëra ndër ditët, kur Kosova u shkëput nga një e kaluar e errët dhe nisi rrugëtimin drejt një të ardhme të ndritshme” thuhet mes tjerash në deklaratën e lëshuar nga Zyra e Krye Parlamentarit Krasniqi. Ndryshe, forcat e NATO-së kanë hyrë në Kosovë pas 78 ditë bombardimesh nga ajri kundër forcave policore dhe ushtarake të Serbisë të cilat janë ndërprerë pas një marrëveshje të arritur mes përfaqësueseve të NATO-së dhe gjeneralëve të ushtrisë serbe në Kumanovë të Maqedonisë, ku përfaqësuesit serb pranojnë të zmbrapsen ushtarakisht nga Kosova me gjithë pajisjet dhe artilerinë e tyre.