Ndahet nga jeta aktori dhe regjisori i njohur shqiptar, Pirro Mani

Nju Jork, 3 qershor 2021 – Aktori dhe regjisori i njohur shqiptar, Pirro Mani, u nda nga jeta, në moshën 89-vjeçare.

Ai i mbylli sytë në Nju Jork, ku jetonte prej disa vjetësh, së bashku me të shoqen, aktoren e mirënjohur Pavlina Mani, dhe familjen e tij.

Ishte një nga personalitetet më të shquara në historinë e teatrit shqiptar. Ishte regjisor dhe pedagog i shkëlqyer. Për 25 vjet punoi në Teatrin Kombëtar.

Pirro Mani u lind me 14 prill 1932. Studioi në Institutin Shtetëror të Artit Teatror, GITIS, në Moskë. Pas kthimit në atdhe, u emërua regjisor i Teatrit “A. Z. Çajupi” në Korçë, të cilin e drejtoi me sukses rreth tetë vjet.

Prej vitit 1967 deri në vitin 1992 ka qenë regjisor i Teatrit Kombëtar, ku ka vënë në  skenë dhjetra pjesë teatrale.

Në karrierën e tij artistike, PirroMani i ka realizuar mbi 80 shfaqje, të vlerësuara shumë lart nga publiku dhe nga kritika. “Cuca e maleve”, “Fytyra e dytë”, “Arturo Ui”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Epoka para gjyqit”, “Nata e 12 -të”, “Prometeu”, etj. Janë disa prej realizimeve të tij teatrore që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e teatrit shqiptar.

Shfaqjen “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” e ka realizuar edhe në Teatrin Kombëtar të Kosovës, e cila është vlerësuar si një nga shfaqjet më  të realizuara.

Pirro Mani i ka realizuar edhe disa filma artistikë, edhe ata shumë të vlerësuar.

Ai ishte mjeshtër i regjisë dhe skenave massive.Ishte edhe njohës i thellë i mizanskenës.

Ka fituar shumë çmime profesionale. Është nderuar me titullin e lartë “Artist i popullit”.

(r.m.)

Comment

*