NDAHET NGA JETA SOTIR PANI, NJERIU QE DESHI MEGJITHË SHPIRT DARDHËN DHE SHQIPËRINË

 “Jeta është e gjatë kur është e plotë. Le ta masim jetën me veprat dhe jo me kohën” (Seneka)

Nga Fuat Memelli-Boston

-Covidi na mori edhe një shqiptar tjetër. Në kthetrat e tij ra edhe dardhari, Sotir Pani.Kishte rreth 12 ditë që luftonte me virusin në një nga spitalet e Bostonit. Megjithë shërbimin e veçantë që iu bë, nuk ja doli dot. Në prill do festonte 86 vjetorin e lindjes. Megjithë vitet mbi supe, ai ishte plot energji. lëvizte, takonte shokë e miq, përjashto periudhën e virusit. Punonte kopështin te shtëpia e Andreas, djalit të tij. Kujdesej për perimet që mbillte vetë. Kujdesej që të rritej shpejt  një filiz kumbulle i sjellë nga Dardha prej Andreas. Ajo kumbull i dukej si një “copëz” Dardhe.  Lexonte e shkruante. Mbante ditar që nga viti 1954 dhe kishte shkruar 1000 faqe. Shkonte në kishat shqiptare të Bostonit. Fliste në veprimtari të ndryshme të shqiptarëve që zhvilloheshin këtu. Mosha nuk e pengonte për të qënë aktiv. Na merte në telefon ne shokët e tij. Edhe ndonjëherë kur ne “binim në gjumë”, ai na “zgjonte” Nuk ndihej i plotësuar po mos komunikonte me njerzit, po mos dëgjonte zërin e tyre, po mos bënte shaka me ta. Na kujtonte jo vetëm neve këtu në Boston , por edhe miq të tjerë në Amerikë, në Shqipëri e vende të tjera ku jetonin miqtë e tij. Komunikonte në Amerikë me shkrimtaren dardhare , Rozi Theohari, fizikantin e shquar dardhar, Petrit Skënde, që të dy kanë ndruar jetë, me veprimtarin dardhar Vaskë Bruko, etj. Nuk harronte të merte në telefon miqtë e tij Teodor Laço,  Niko Balli e dardharë të tjerë që jetonin në Shqipëri. Dardha ishte pjesë e shpirtit të tij. Dashuria e malli për të nuk kishin kufi. Kontribuoi edhe për kishën dhe muzeun e ri të Dardhës. Fliste shpesh edhe me kolegët e tij zooteknikë si Nevrus Shtylla, Viktor Puka, Sotir Pasko, etj me të cilët kishte punuar një jetë.

Në rrugëtimin e gjatë të jetës së tij ka plot “stacione” ku ai ka lënë gjurmët e veta. Vështirë t’i përmendësh të gjitha. Po ndalem vetëm në disa prej tyre. Pasi mbaroi Institutin e Lartë Bujqësor, punoi 8 vjet zoteknik dhe dy vjet shef bujqësie për rrethin e Korçës. Këto 10 vjet punë në këtë rreth ishin një shkollë e dytë për të, pasi njohu e punoi me shumë specialistë e fshatarë. Siç thotë vetë në kujtimet e tij shkoi e takoi njerëz në 200 fshatra të rrethit të Korçës. “Stacion” tjetër i punës së tij ishte Devolli. U caktua kryetar i kooperativës së fshatrave Vranisht- Pilur- Bickë, ku qëndroi afro katër vjet. Edhe pas largimit që andej, ai e mbajti miqësinë me fshtarët jo vetëm sa ishte në Shqipëri, por edhe pasi ardhi në Amerikë. Kjo ndodhte pasi Sotiri ishte njeri i “tabanit, i rogozit” siç thotë populli. Teknikumi Bujqësor “Irakli Terova” ku u caktua drejtor, ishte “stacioni” i fundit i tij i punëve në rrethin e Korçës. Do largohej nga Korça për në Tiranë ku ishte emëruar. Po largohej nga qyteti që e deshte aq shumë, nga qyteti ku kishte kryer shkollën 7 vjeçare e të mesme, nga Korça ku punoi aq vjet, nga qyteti ku njohu dhe u martua me bashkëudhatren e jetës, Ritkën e tij të dashur, siç e thëriste shkurt ai. Puna dhe jeta e tij më pas vazhdon në Tiranë. Ministria e Bujqësisë e emëron zv. drejtor në Institutin e Kërkimeve Zooteknike në Tiranë. Më pas vazhdon përgjegjës i sektorit racor e më pas kryespecialist i Stacionit të Gjedhit e Shpendëve. Gjatë viteve të punës shkroi e botoi plot artikuj për blegtorinë. Me skenar të tij unë realizovarë dy dokumentarë me temë nga blegtoria. Në Stacionin e Gjedhit e Shpendëve, punoi 10 vjet deri sa doli në pension në vitin…Kur filluan grabitjet e shkatërimet edhe në këtë stacion në fillim të viteve ’90, nuk nuk i duronte dot , doli para kohe në pension dhe shkoi me gruan e fëmijët në Dardhë. Më vonë u rikthye përsëri në Tiranë.

Pas viteve ’90, emigrimi u rizgjua edhe në familjen e tij. Kjo ndodhi për arsye se ai kishte patur në Amerikë, gjyshin e tij Josif Pani, patriot i shquar, mik i Nolit dhe Konicës. Kishte patur edhe babanë e tij, Vasil Pani, figurë e shuqar edhe ky i shqiptarëve të Amerikës. Babai i tij shok i ngushtë gjithashtu i Konicës dhe Nolit. Vasili ishte kryetar i “Vatrës “ për 11 vjet. Në fillim në vitin 1995 ardhën në Boston dy djemtë e tij , Andrea dhe Vasili. Ardhi për vizitë edhe Sotiri. E që nuk ariti ta marë nga Dardha në Amerikë familjen e tij .Takoi shumë dardharë e shqiptarë të tjerë. Vizitoi varrin e të jatit, ndarë nga jeta në vitin 1947, vizitoi varrin e  Nolit e Konicës. Qëlloi që atë vit do ktheheshin në Shqipëri eshtrat e Faik Konicës nga një delegacion i kryesuar nga ministri i Kulturës së atyre viteve, Teodor Lço. Konica duke qënë shok i ngushtë i të jatit, nuk mund të rinte pa pa folur aty edhe Sotiri.. Si u shmall me njerzit e tij në Amerikë, Sotiri u kthye në Shqipëri për të jetuar në Dardhë e në Tiranë. Por, malli për djemtë, për motrën, për njerzit e tjerë që ardhën në Amerikë pas viteve ’90, filloi ta brejë. Në vitin 1996, le Shqipërinë dhe vjen bashkë me gruan të jetojnë në Boston pranë djemve të tyre. Kalonin vitet dhe malli për Dardhën e Shqipërinë ndizej më shumë. Krahas bisedave në telefon, brenda 10 viteve të para në Amerikë dërgon në Shqipëri 400 letra dhe mer prej andej 350 .Është ky një rast i rrallë i njerëzve që të kenë dërguar kaq letra në atdheun e tyre. Siç ka thënë Horaci ”qiellin po jo shpirtin ndryshon ai që shkon përtej detit”. Në Boston takon shokë e miq të tij si dardharin Kiço Çeku, korçarin Jani Plasa, gjirokstritin Kostandin Mosko, mua sinicarin e plot të tjerë. Ne miqtë e tij këtu e quanim  kryetar i grupit ”Na bashkoi Bostoni”. Shkon në biblioteknën e Bostonit dhe lexon gazetat “Dielli”, “Kombi” e “Sazani”. Mbledh të dhëna për gjyshin, të jatin, për Sotir Pecin e dardharë  të tjerë. Shkoin në kishat shqiptare “Shën Gjergji” e “Shën Trinia” ku meshojnë At Artur Liolini dhe Peshkop Ilia Ketri. Kënaqej kur meshonte  në shqip Peshkop Ilia dhe thoshte:” Gjuha shqipe na ngjit në zemër”. Me një grup shqiptarësh si At Artur Liolini, Polikron Trebicka, Sotiri dhe djali i tij Andrea, u bënë nismëtarë për hapjen e shkollës shqipe në mjediset e kishës së Shën Gjergjit. Pas dy vjetësh me shkollën u mor shoqata “Mass.Besa”.  Ndër nxënësit e shkollës ishin edhe katër nipërit e tij. Me dardharët e Usterit insiston për ringritjen e shoqatës “Bleta” ku zgjidhet zv. kryetar i saj. Rrallë ka veprimtari të shqiptarëve të Bostonit ku të mos ketë folur Sotiri si ajo për 28 Nëntorin, në veprimtarinë kushtuar 100 vjetorit të kishës së Shën Gjergjit, në takimin e organizuar nga kisha Shën Trinia për jetën dhe veprën e mikut të tij, Dritëro Agolli, në takimet e organizuara nga shoqataa “Bleta” , etj. Çdo 28 Nëntor në shtëpinë e tij në Boston, ngrinte flamurin shqiptar, siç kishte vepruar prej shumë vitesh edhe në Dardhë. Në shtëpinë e tij në Dardhë si dhe në Boston, kishte përgatiur dy fotoekspozita, kushtuar gjyshit e babait të tij si dhe patriotëve të tjerë dardharë

Ndër punët e veçanta në Boston, ishte edhe botimi i  librit për jetën dhe kontributin e gjyshit dhe babait të tij, Josif e Vasil Pani. Porosinë për të shkruar këtë libër, ia kishte dhënë Skënder Luarasi kur kishte qënë në Dardhë. Edhe titullin” At e bir për mëmëdhenë”, Skënderi ia kishte thënë. Punoi shumë për këtë libër dhe me ndihmën e mikut të tij, redakktorit Kolec Traboiini, libri u botua dhe u promovua në Muzeun Historik në Tiranë. Sotiri kishte në plan të botonte edhe një libër tjetër për emigrantët dardharë në Amerikë. Kishte mbledhur shumë të dhëna e dokumenta por… virusi i rezikshëm nuk e la ta kryejë këtë punë. Megjithatë puna e tij siç thotë Seneka”, matet me veprat e jo me kohën”.

Sotiri u nda nga jeta më 4 janar të këtij viti, duke shkaktuar një plagë të thellë te fëmijët e tij , te miqtë e shokët e shumtë. Ai iku të prehet pranë Ritkës, shoqes së tij të jetës e cila ndrroi jetë disa vjet më parë. Ai iku por la pas emrin e tij të nderuar,  “mbolli” shpirtin e tij patriotik , dashurinë për Dardhën dhe Shqipërinë te djemtë, Andrea dhe Vasili, te katër nipërit e mbesa, etj. Situate e virusit do t’i pengojë shumë shokë e miq të tij për t’i bërë nderimet e fundit, ashtu si e meritonte. Por, ata do mblidhen një ditë , do flasin me dashuri e mall për të dhe ai do t’i dëgjojë aty lart ku prehet. Lamtumirë miku ynë Sotir Pani! U prehsh në paqe!