Nderime për David Sassolin, evropianin e zjarrtë

Politikanë evropianë vlerësuan të martën kontributin e David Sassoli-t, Presidentit të Parlamentit Evropian, i cili u nda nga jeta sot në moshën 65 vjeçare.

Flamujt u valëvitën në gjysmë shtizë në godinën e Parlamentit Evropian, për të nderuar presidentin e ndjerë të këtij institucioni, David Sassoli.

Në një deklaratë Presidentja e Komisionit Evropian Ursuala von der Leyen tha se kjo është një ditë e trishtë për unionin. Ajo vlerësoi kontributin e zotit Sassoli gjatë më shumë se një dekade në shërbim në Parlamentin Evropian, duke shtuar se ai mbrojti vazhdimisht Bashkimin Evropian dhe vlerat që përfaqëson.

“Sot unioni humbi një europian të zjarrtë, një demokrat të sinqertë dhe një njeri të mirë. David Sassoli ishte një njeri me besim të thellë e bindje të forta. Të gjithë e donin buzëqeshjen dhe mirësinë e tij dhe se dinte të luftonte për atë që besonte”, tha zonja von der Leyen.

Në mesin e shumë atyre që shprehën ngushëllime e vlerësuan figurën e zotit Sassoli ishin dhe Presidenti italian Sergio Mattarella, kryeministri Mario Draghi dhe ish-kryeministri Silvio Berlusconi.

Kryeministri italian Mario Draghi e cilësoi atë një “pro-evropian të fortë, gazetar pasionant, simbol të ekuilibrit, humanizmit e bujarisë”.

David Sassoli, një socialist italian dhe ish-gazetar nga Firence, u shtrua në spital muajin e kaluar për shkak të një ‘ndërlikimi të rëndë’ të lidhur me sistemin e tij imunitar, shkaktuar nga një bakterie.

Problemet me shëndetin e kishin detyruar atë të humbiste disa takime të rëndësishme të organit legjislativ evropian.

Ai do të mbahet mend për ngritjen në Parlamentin Evropian të kauzës së migrantëve që humbën jetën në detin Mesdhe apo disidentëve, sikurse udhëheqësi i opozitës ruse Alexei Navalny, që vazhdon të kundërshtojë Kremlinin nga qelitë e burgut në Rusi.

Zoti Sassoli mori detyrën e Presidentit të Parlamentit Evropian në vitin 2019.

Në fjalimin e tij të parë, ai u kërkoi evropianëve të kundërshtonin “virusin” e nacionalizmit ekstrem dhe bëri thirrje për një reformë të rregullave të Bashkimi Evropian mbi emigracionin dhe azilin politik.

Mandati i tij, në rolin kryesisht ceremonial, përfundonte këtë muaj. Për shkak të sëmundjes, ai nuk kishte qenë në gjendje të kryesonte parlamentin në javët e fundit dhe nuk mori pjesë në aktivitetet vjetore të Komisionit Evropian lidhur me gjendjen e unionit që u mbajtën në muajin shtator.

(Zëri i Amerikës)