Ndërkombëtarët ftojnë për zgjedhje të qeta

I tërhiqet vëmendja klasës politike. OSBE dhe policia përfunduan trajnimin e 1645 trupave policorë për zgjedhjet. Më 23 qershor, të dielën, në Shqipëri zhvillohen zgjedhjet e 8-a shumëpartiake 7 presidentë të ndryshëm që nga 31 marsi 1991. Katër herë zgjedhjet i ka fituar Partia Demokratike, tri herë Partia Socialiste dhe një herë Partia e Punës e Shqipërisë. Sakaq, Ambasadori i Komisionit Europian, Etore Sekui tha se duhen zgjedhje me standarde, pasi përbëjnë provë kyçe për Shqipërinë

DENION NDRENIKA

Vëzhguesit e OSBE/ODIHR-it, OSBE-së, Këshillit të Europës dhe Komisionit Europian i bënë thirrje politikës në Shqipëri që të garantojë zgjedhje të qeta të dielën e 23 qershorit. Bashkërenduesi i Posaçëm dhe shefi i vëzhguesve afatshkurtër Roberto Bateli (Roberto Battelli) nga Sllovenia, portugezi Zhoa Shoaresh (João Soares) i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, italiani Luka Volonte (Luca Volontè) i Këshillit i Europës në një deklaratë të përbashkët u kërkuan udhëheqësve politikë të angazhohen për zgjedhje konstruktive dhe për të siguruar zhvillimin e tyre pa pengesa. Vëzhguesit thonë që anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të marrin përgjegjësitë për zgjedhje të qeta. Deklarata kërkon që institucionet e administrimit zgjedhor të funksionojnë të pavarur nga fushata për të garantuar që vullneti demokratik i votuesve të respektohet nga partitë e të zbatohet nga autoritetet. Sipas vëzhguesve të OSBE-së “kundërshtimet ligjore nuk duhet të bllokojnë punën kritike të institucioneve demokratike”. Vëmendje iu kushtua posaçërisht Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Përfaqësuesit ndërkombëtarë u bënë thirrje të gjithë anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që “të marrin përsipër pa vonesë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre për një proces të qetë zgjedhor”. Vëzhguesit e OSBE/ODIHR-it thonë se do ta japin raportin paraprak të zgjedhjeve të hënën më 24 qershor, të nesërmen e votimit. Qëndrimi raportues do të mbahet nga zyrtarët Bateli, Volonte, Shoaresh dhe kryetarja e Misionit të Vëzhgimit të OSBE/ODIHR-it, Koni MekKormak (Conny Mc Cormack) nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ekipet kanë 380 vëzhgues nga 43 shtete. 48 janë vëzhgues dhe ekspertë afatgjatë të OSBE/ODIHR-it, 240 afatshkurtër, 48 parlamentarë dhe 24 nga Këshilli i Europës. Numri i përgjithshëm i vëzhguesve për zgjedhjet është më shumë se 8 mijë, ndërkombëtarë dhe vendorë.
Kurse, ambasadori i Komisionit Europian, Etore Sekui tha se zgjedhjet duhen kryer sipas standardeve, pasi përbëjnë provë kyçe për Shqipërinë. Zoti Sekui shtoi se ndërkombëtarët monitorojë sëafërmi përgatitjet për zgjedhjet si dhe situatën paszgjedhore. Diplomati italian Sekui theksoi gjithashtu rëndësinë për pjesëmarrje masive në votime si një elemnt thelbësor i demokracisë. Sipas ambasadorit Sekuri pjesëmarrja është e nevojshme nëse dëshirohet që siç tha “zëri juaj të dëgjohet”.
Sakaq, OSBE dhe policia përfunduan trajnimin e 1645 trupave policorë për zgjedhjet. Drejtori i Policisë së Tiranës, Bernard Çaushaj tha: “Janë instruktuar efektivat e policisë për ruajtjen e 1422 Qendrave të Votimit dhe shoqërimin e materialeve zgjedhore. Në datën 23 qershor në orën 18:00 do të merren në ruajtje 18 Vende të Numërimit të Votave. Kodi Zgjedhor lejon lëvizjen e shërbimeve të policisë për zgjidhjen e problemeve të krijuara, kryerjen e veprimeve proceduriale si dhe arrestimin e autorëve të veprave penale”.
Heshtja zgjedhore nisi pas orës 24 të premtes. Këto janë zgjedhjet e 8-a të përgjithshme shumëpartiake në Shqipëri me 7 presidentë të ndryshëm që nga 31 marsi 1991. Në dy raste, në vitin 1992 dhe 1997 zgjedhjet e përgjithëshme janë zhvilluar të parakohëshme pasi zgjedhjet e rregullta ishin zhvilluar rreth 1 vit më parë. Katër herë zgjedhjet i ka fituar Partia Demokratike, tri herë Partia Socialiste dhe një herë Partia e Punës e Shqipërisë. Në dy raste, zgjedhjet janë fituar nga partia që nuk kishte nga radhët e saj presidentin, përkatësisht në 22 mars 1992 Partia Demokratike me presidentin komunist Ramiz Alia dhe në 1997 Partia Socialiste me presidentin demokrat Sali Berisha. Partia Demokratika ka qëndruar 13 vjet në qeveri, ndërsa Partia Socialiste 9 vjet, përfshi vitin 1991 kur fitoi Partia e Punës e Shqipërisë.
Numri i përgjithshëm i votuesve është mbi 3 milionë (3,271,885). 165 mijë persona votojnë për herë të parë dhe i përkasin moshës nga 18 deri 20 vjeçare. Sipas ligjit, në Shqipëri mosha e votimit është 18-vjeç.

ZGJEDHJET    PRESIDENT    FITUES
31 mars 1991    Ramiz Alia        PPSH
22 mars 1992    Ramiz Alia        PD
26 maj 1996        Sali Berisha        PD
29 qershor 1997    Sali Berisha        PS
30 qershor 2001    Rexhep Meidani    PS
3 korrik 2005    Alfred Moisiu    PD
28 qershor 2009    Bamir Topi        PD
23 qershor 2013    Bujar Nishani    ???

Comment

*