Nderohet në Tiranë Elton Shametaj, themelues i AALEA-s, që bashkon shqiptarët e angazhuar në forcat e agjensitë e zbatimit të ligjit në SHBA

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, në Shqipëri, Gledis Nano, i akordoi z. Elton Shametaj, themelues dhe kryetar i Organizatës Amerikano-Shqiptare për Zbatimin e Ligjit (American Albanian Law Enforcement Association-AALEA), Certifikatën Për Shërbime të Dalluara me motivacionin: “Për kontributin e shquar dhe mbështetjen e dhënë Policisë së Shtetit shqiptar, në drejtim të ndërtimit dhe forcimit të urave të bashkëpunimit me agjencitë ligjzbatuese amerikane, promovimin e vlerave më të mira të Policisë shqiptare, si dhe për mbështetjen e pakursyer të ofruar familjeve të Dëshmorëve të Policisë.

Mesditën e sotme, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano priti në një takim falënderues z. Elton Shametaj.

Drejtor Nano ka falënderuar z. Shametaj për kontributin e jashtëzakonshëm të tij dhe të Organizatës Amerikano-Shqiptare për Zbatimin e Ligjit, për mbështetjen dhe suportin e dhënë për Policinë e Shtetit shqiptar në raportet e saj me Policinë amerikane dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese në SHBA, si dhe për solidarizimin dhe mbështetjen e dhënë familjeve të Dëshmorëve të Policisë.

Ndërkohë, z. Elton Shametaj, ka falënderuar Drejtor Nanon për rezultatet e arrira  këto kohë nga strukturat e Policisë së Shtetit, si dhe për filozofinë dhe qasjen që Drejtori ka në raport me qytetarët, partnerët, agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, si dhe me ato organizata që kanë kontribut në përmirësimin e imazhit të Policisë së Shtetit në arenën ndërkombëtare. (Burimi: Policia e Shtetit)