Ndërpritet seanca e Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e presidentit

Prishtinë, 3 prill 2021 – Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit u ndërpre, për shkak se nuk pati kuorum të mjaftueshëm për votim të vlefshëm.

Vazhdimi i seancës u ftua për nesër (e diel) në orën 17:00.

“Seanca për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës do t’i vazhdojë punimet nesër, më datë 4 prill 2021, në orën 17:00”, tha kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Kandidatë për president janë Vjosa Osmani-Sadriu dhe Nasuf Bejta, të dy të nominuar nga shumica parlamentare e përbërë nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje e të Nismës së Vjosa Osmanit dhe deputetët e komuniteteve joserbe.

Në seancën e sontme ishin të pranishëm 82 deputetë, gjë që krijoi kuorumin e nevojshëm për votim, mirëpo votim nuk morën pjesë të gjithë, kështu që dy tentativat për votim të flefshëm dështuan.

Në të dyja tentativat, në kutinë e votimit pati më pak vota se 80 vota, sa është minimum i nevojshëm për zgjedhjen e presidentit. Në votimin e parë në kuti pati 78 vota, kurse në votimin e dytë pati 79 vota.

Në seancë, përveç deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të komuniteteve joserbe që janë pjesë e qeverisë, morën pjesë edhe deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albena Reshitaj. Por, në votim nuk morën pjesë tre deputetë të LDK-së që kanë qenë konsistent në qëndrimin e tyre kundër votimit të Vjosa Osmanit: Avdullah Hoti, Driton Selmanaj dhe Agim Veliu.

Në hapje të seancës ishin të pranishëm edhe dy deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj dhe Bedri Hamza, por ata e lëshuan sallën para se të fillonte procesi i votimit.

Deputetët tjerë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, si edhe deputetët e Listës Serbe po e bojkotojnë procesin e votimit për zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente të vendit.

Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dy votimet e sontme shënojnë fillimin e raundit të parë të votimit për zgjedhjen e presidentit. Nëse në raundin e parë të votimit nuk marrin pjesë së paku 80 deputetë, atëherë votimi mund të përsëritet derisa të përmbushet ky kriter kushtetues, por jo më larg se deri më 5 maj, kur skadon mandati i ushtruesit të detyrës së presidentit.

(r.m.)

Comment

*