Ndërroi jetë nga COVID-19 gazetarja Anila Dushi

“Kam besuar që në fillim se covid 19 është një Luftë Botërore. Kam dëgjuar mjaft nga ata qe e kanë kaluar. Por qenka tmerr”.

Nga Denion Ndrenika

Janë rreshtat e fundit të shkruara në rrjetet sociale prej gazetares Anila Dushi, pikërisht nga shtrati ku iu dorëzua virusit Covid 19 në spitalin rajonal të Shkodrës.

Askush nuk e kishte menduar se do të ishte një shënim lamtumire. Shkodra u zgjua më një lajm të trishtë mëngjesin e së shtunës, pasi gazetarja e njohur mbylli sytë në moshën 54 vjeçare.

Jeta e kishte përballur me shumë sfida të rënda, të cilat Anila ja kishte arritur t’i përballonte, por me armikun e padukshëm, fatkeqësisht nuk mundi t’ja dalë.

E lindur në qytetin e Shkodres në vitin 1967, ajo do të mbaronte studimet e larta pranë Institutit Pedagogjik për mësuesi, profesion që prej vitit 1988 e deri në momentet e fundit të jetës, e ushtroi me pasion, duke edukuar breza të tërë të rinjsh. Më pas përfundoi studimet pasuniversitare “Master në shkencat e edukimit” në vitin 2010.

Por bashkë me rrugëtimin në fushën e arsimit, Anila kishte një pasion më të madh, që u bë edhe profesioni i saj i pandarë, gazetaria. Prej 2 dekadash ajo ishte pjesë e medias së shkruar dhe vizive, që nga gazeta Albania dhe Shekulli, e për të vijuar paralelisht me angazhimin në televizionet lokale e kombëtare si Tv1 Channel, Star Plus, A1 Televizion etj, si dhe së fundmi në rrjetin investigativ BIRN.

Anila kishte krijuar edhe gazetën e saj “Pjaca” ku evidentonte vlerat e Shkodres. Sa herë flisje për gazetarinë me të, ndalej gjatë në këshilla, nuk bënte asnjëherë kompromise me profesionin dhe brezit të ri i jepte pafund mesazhe shprese e inkurajimi.

E vlerësuar me çmimin “Hamit Boriçi” në fushën e gazetarisë, Anila paralelisht dha për disa vite mësim si pedagoge e jashtme edhe në degën e Gazetari – Komunikimit pranë universitetit “Luigj Gurakuqi”.

Anila Dushi spikati edhe në krijimtari, ku në vitin 1998 botoi ciklin me poezi “Kënget e dhimbjes” dhe së fundmi në periudhën e pandemisë nxori në treg librin kushtuar ikonës së kinematografisë, Pavlina Manit. Kujtimet janë të shumta me të për cdo gazetar, ashtu siç edhe fjalët janë të pakta në dhimbje, kur ikën një zë i fortë dhe një mike e të gjithëve.

Pushofsh në paqe Anila!

(Në foto e ndjera Anila Dushi me gazetarin e “ILLYRIA”-s, Denion Ndrenika)