Ndërron jetë Sulejman Gashi, një nga redaktorët themelues të gazetës “Illyria”

Sot, më 11 shtator 2020 ndërroi jetë gazetari i njohur shqiptaro-amerikan, Sulejman Gashi.

I ndjeri ishte një nga themeluesit e gazetës “Illyria”, në qershor të vitit 1991, redaktor që nga dita e parë e bashkëpunëtor i ngushtë deri në fund të jetës.

Në vitin 2013, ai drejtoi Darkën kushtuar 5-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës të shtruar për komunitetin nga gazeta “Illyria”.

Si gazetar i “Illyria”-s ai mbuloi ngjarjet më të mëdha në Washington, sidomos në gjysmën e parë të viteve 1990, duke raportuar me besnikëri dhe profesionalizëm të lartë.

“Kjo është një humbje e madhë për familjen, komunitetin dhe gazetarinë shqiptare”, tha pasi mësoi lajmin e vdekjes, botuesi i gazetës “Illyria”, Vehbi Bajrami. “Kontributi i tij çmuar në themelimin e gazetës, në ngritjen e saj dhe vitet e para nuk do të harrohet. Punuam bashkë për shumë vite në redaksinë e gazetës nga edhe ruaj shumë kujtime të bukura”.

Lajmin për humbjen e Sulejmanit e dha me një shënim në Facebook, djali i tij Drilon Gashi, një nga veprimtarët e rinj më të njohur të komunitetit. Mund ta lexoni të plotë më poshtë. Sulejmani la pas katër fëmijë dhe bashkëshorten e tij. Në vitin 2016 pësoi një infarkt ndërsa udhëtonte më nje delegacion zyrtar të Kosovës në Utah. Për kthimin e tij pranë familjes dhe vazhdimin e kurimit, ndihmoi mbarë komuniteti duke mbledhur dhjetëra mijëra dollarë. Ishte një shembull ilustrues i mirënjohjes për punën e tij gazetari të njohur. Për fat të keq, nuk arriti të merrte veten nga koma ku kishte rënë.

Sulejman Gashi e filloi karrierën e tij në Radio Televizionin e Kosovës. Pas mbylljes së tij nga autoritetet serbe në 1990, ai emigroi në SHBA, ku u përfshi në punën për themelimin e gazetës Illyria. Pas çlirimit të Kosovës dhe rifillimit të RTK-së ka shërbyer edhe si korrespondent për Radio Televizionin e Kosovës, e për media të tjera nga Kosova si dhe në kapacitete të ndryshme ka përfaqësuar e ndihmuar në përfaqësimin e shtetit të ri të Kosovës në SHBA. Shpesh ishte në krah të zyrtarëve të lartë si përkthyes, si këshilltar si gazetar, kronist, e në çfarëdo pozite që të kishte nevojë Kosova e tij e dashur.

Me të njëjtën dashuri për atdheun ka rritur edhe fëmijët e tij që kanë ecur përpara në jetë dhe kanë mbetur të angazhuar me kauzën e punën në komunitetit.

Pusho në paqe, Syl!

Të dashur familjarë dhe miq,
Me pikëllim të thellë ju njoftojmë që sot, me 11 shtator 2020, ndërroi jetë më i dashuri ynë z. Sulejman Gashi. Ai po luftonte shumë që të rikthehej nga gjendja e rëndë që kishte pësuar katër vite më parë.
Varrimi i të ndjerit do të bëhët në vëndlindjen e tij në Kosovë, vendin të cilin ai e deshi aq shumë. Sulejman Gashi bëri një jetë, dhe la një vepër, me domëthënie të jashtëzakonshme për familjen, profesionin, vendin dhe kombin e tij.
Në ditët në vijim do të ju japim informata të mëtutjeshme. Ne jemi mirënjohës për respektin dhe dashurinë që njerëzit e kanë për më të dashurin tonë, Sulejmanin, por ju lusim që bashkërisht të respektojmë masat e shëndetit publik në këtë kohë pandemie.
Ju jemi mirënjohës për respektimin e privatësisë sonë në këtë kohë tejët të vështirë për familjen dhe farefisin tonë.
Me respekt,
Familja e z. Sulejman Gashi