Ndërthurrje mitesh

Astrit Lulushi

Astrit Lulushi

Një mit që rrëfen krijimin e njeriut është gjetur i gdhendur në dy pllaka balte në kunjformë; njëra ruhet në Muzeun Universitar të Filadelfias; tjetra, në bazamentin e Muzeut të Luvrit në Francë. Përkundër faktit se në vitin 1934 tableta e Luvrit dhe pjesa më e madhe e tabletës së Muzeut Universitar ishin kopjuar dhe botuar, përmbajtja mbeti e pakuptueshme. Përgjegjësi kryesor për këtë situatë fatkeqe është fakti se tableta e Muzeut Universitar, e cila është ruajtur më mirë se fragmenti i Luvrit, mbërriti në Filadelfia rreth viteve 1860, i ndarë në katër pjesë. Ashtu i dëmtuar ai u la mënjënë, duke mos iu kushtuar ndonjë mundësi studimi. 

Deri në vitin 1919 dy nga pjesët u bashkuan, u kopjuan dhe u botuan. Në vitin 1934, u botua pjesa e tretë, por askush nuk e kuptoi se ajo bashkohej me dy pjesët e botuara në vitin 1919. Ishte zbulimi i këtij fakti, i cili bashkoi tri pjesët e botuara. 
Tabletat përmbajnë rreth 120 vargje  nga Epika e Gilgameshit. Ato paraqesin tablonë më të plotë të disponueshme deri tani të koncepteve që kanë të bëjnë me krijimin e njeriut. Gilgamesh ishte heroi i Sumerit dhe biri i Perëndisë, njësoj si Herkuli do të bëhej më pas bir i Zeusit dhe një gruaje në Tokë. Ndër konceptet më të vjetra të njohura për krijimin e njeriut janë ato të hebrenjve dhe babilonasve; e para rrëfehet në librin e Zanafillës, e dyta është pjesë e “Eposit të Krijimit”, të babilonasve.

Sipas historisë biblike, njeriu është krijuar nga balta për të sunduar mbi të gjitha kafshët. Në mitin babilonas, njeriu ishte krijuar nga gjaku i një prej perëndive që u vra për këtë qëllim; ai u krijua kryesisht për t’u shërbyer perëndive dhe për t’i çliruar nga nevoja për të punuar për bukën e tyre. Sipas poemës sumere, e cila i paraprin versionin hebraik dhe atij babilonas për më shumë se një mijë vjet, njeriu u formua prej balte si në versionin biblik. Megjithatë, qëllimi për të cilin u krijua ishte të lironte perënditë nga puna për ushqimin e tyre, si në versionin babilonas.