Në 14 vjetor, Shqipëria u dorëzoi kartat e para biometrike dy shtetasve të Kosovës

Shtetasit e Kosovës, Arita dhe Kushtrimi, të cilët punojnë në Tiranë, morën dy lejeqëndrimet e parë dhe u takuan me ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi

Knid Ndrenika

Pas marrëveshjes mes të dy qeverive, autoritetet në Tiranë lëshuan Lejet e Qëndrimit Biometrike për shqiptarët e Kosovës që jetojnë në Shqipëri.

Dokumenti biometrik 5-vjeçar i rinovueshëm pa afat është i pajisur me të gjithë elementët e sigurisë dhe shërben edhe si një Leje Pune.

Procedura e aplikimit merret online përmes E-Albania dhe është tërësisht e lehtësuar dhe pa dokument.

Shtetasit e Kosovës, Arita dhe Kushtrimi, të cilët punojnë në Tiranë, morën dy lejeqëndrimet e parë dhe u takuan me ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi.

“Jap dy kartat e para të Lejeve të Qëndrimit biometrike 5-vjeçare që aplikohet për herë të parë në Shqipëri, shtetasve të Kosovës, Aritës dhe Kushtrimit”-tha ministri.

Kurse Areta kujtoi se “më parë është dashur që çdo vit të përtërija lejeqëndrimin”, por edhe se “tani kam mundësinë që të kem kartelën biometrike me vlerë pesëvjeçare”.

Kushtrimi pohoi se “ishte një procedurë torturuese për ne”, kurse “tani kjo kartë është më e sigurtë dhe procedurat janë falas për aplikimin”.

Ndërkaq, presidenti Ilir Meta u shprehu mirënjohje përjetë heronjve, dëshmorëve, luftëtarëve dhe etërve të Pavarësisë së Kosovës.

Kryekuvendarja Lindita Nikolla i shkruajti homologut Glauk Konjufca se Shqipëria mbetet krah Kosovës për gjithçka, eurointegrimin dhe rritjen e njohjeve ndërkombëtare.

Kryeministri Edi Rama shpërndau video festive në fejsbuk me urimin të gjithë shqiptarëve për ditën e bekuar të pavarësisë së Kosovës.

Kryetari demokrat opozitar Lulzim Basha tha se shqiptarët i përulen me nderim dhe mirënjohje Presidentit Ibrahim Rugova, Komandantit Legjendar Adem Jashari, luftëtarëve dhe të gjithë sakrifikuesve sublimë të kombit.

Bashkia Tiranë u stolis me flamurin e Kosovës, kurse bashkë me ambasadën vazhdojnë veprimtaritë kulturore dhe shfaqjen në mbrëmje të filmit “Zgjoi”.