Në anën e duhur të historisë

Petrika Jorgji

Petrika Jorgji

Të nderuar bashkatdhetarë, Zonja dhe Zoterinj, është një nder e privilegj i veçante të marr pjesë në këtë ceremoni për të festuar së bashku ditën kur pesë vjet më parë, përfaqësuesit e ligjshëm të popullit të Kosovës nënshkruan në Prishtinë Deklaratën e Pavarësisë duke kurorëzuar kështu një aspiratë shekullore mbarëshqiptare për liri e vetëvendosje.
Sot, Kosova dhe mbarë faktori shqiptar në rajon e sheh veten në anën e duhur të historisë me miq të mëdhenj e të fuqishëm dhe të vendosur për të kontribuar në konsolidimin e paqes e stabilitetit në rajon e më gjerë.
Kosova kanë të drejtë të krenohet me arritjet e këtyre pesë viteve në drejtim të rezultateve të konsolidimit të saj si një shtet sovran e demokratik me një synim të qartë e konstant për t’iu bashkuar familjes europiane dhe vlerave të saj.
Krahas punës së kryer në procesin e integrimit në Bashkimin Europian, ne vëmë re me kënaqësi edhe rritja e shkallës së angazhimit të Kosovës në organizatat e ndryshme rajonale. Në këtë kuadër, është inkurajues përparimi i shënuar në bashkëpunimit me Këshillin e Europës. Para disa javësh, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës miratoi për herë të parë një rezolutë e cila bënte thirrje për vendosjen e marrëdhënieve të drejtpërdrejta të KiE me Republikën e Kosovës pa qenë nevoja për ndërmjetësim në këtë kuadër. Një ngjarje e tillë afirmon konsolidimin e Kosovës dhe e sjell atë më pranë synimit të anëtarësimit të plotë në këtë organizatë asistenca e të cilës është mjaft e vyer veçanërisht në konsolidimin e mëtejshëm të demokracisë, shtetit ligjor, të drejtave të njeriut dhe krijimit të një shoqërie funksionuese shumë-etnike.
Anëtarësimit të hershëm të Kosovës në Bankës Botërore e Fondin Monetar Ndërkombëtar kohët e fundit iu shtua edhe anëtarësimi në Bankën Europiane Për Rindërtim e Zhvillim; BERZH çka do të ndikojë në zhvillimin e konsolidimin e mëtejshëm ekonomik e social të Kosovës.
Që me shpalljen e pavarësisë, Republika e Kosovës është përkrahur e njohur në mënyrë të vazhdueshme nga një numër në rritje vendesh dhe tashmë numri i atyre që e kanë shprehur formalisht një gjë të tillë ka kaluar gjysmën e anëtarëve të OKB. Shtimi i vazhdueshëm i njohjeve reflektim i përpjekjeve të vazhdueshme të diplomacisë së Kosovës dhe miqve të saj do të sjellë në mënyrë të natyrshme që së shpejti edhe Kosova të ketë vendin e saj në Kombet e Bashkuara.
Ndjekja nga afër e në vazhdimësi e çështjeve të lidhura me Kosovën është një drejtim i rëndësishëm e parësor i politikës së jashtme shqiptare dhe si e tillë ka qenë e vazhdon të mbetet pjesë parësore e punës së Misionit shqiptar në OKB. Vitet e fundit të tilla përpjekje janë shumëfishuar e bërë edhe më efikase falë bashkëpunimit të hapur e të vazhdueshëm me Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Nju Jork.
Zonja dhe Zotërinj,
Një ditë e tillë nuk do të kishte ardhur pa çlirimin e Kosovës 14 vjet më parë falë rezistencë s së luftëtarëve të lirisë dhe ndërhyrjes vendimtare të NATO-s e komunitetit ndërkombëtar , për të cilën një rol kryesor luajtën Shteteve të Bashkuara, Britania e Madhe dhe aleatët e tjerë të të cilëve Kombi shqiptar do t’u jetë përjetë mirënjohës.
Në këtë ditë jubilare të pesë vjetorit të pavarësimit të Kosovës është një moment për të kujtuar me respekt e nderim të thellë të gjithë ata që punuan, luftuan e kryen sakrificën sublime për Kosovën e lirë, Presidentin Ibrahim Rugova, Komandantin Adem Jashari dhe gjithë dëshmorët që derdhën gjakun e tyre në themelet e Kosovës së pavarur. Kujtimi i tyre do të mbetet i përjetshëm e një burim kurajoje e frymëzimi për brezat e sotëm e ata të ardhshëm.
Gëzuar për shumë vjet Pavarësisë së Kosovës !
Rroftë Kosova!
Rroftë Kombi shqiptar!

(Fjala e zëvendës-ambasadorit të Shqipërisë në OKB, e mbajtur në festën e Fedetarës Vatra kushtuar 5-vjetorit të pavarësisë së Kosovës).