I dënuar për narkotrafik nga gjykata në Miçigan kapet në bashkëpunim me DEA-n

Lëvizjet e këtij shtetasi të huaj në territorin e Shqipërisë u shoqëruan me një punë të mirëfilltë hetimore dhe kërkimore prej më shumë se dy muajsh.

Knid Ndrenika

Policia në Shqipëri njoftoi arrestimin e një personi të kërkuar nga drejtësia amerikane për narkotrafik.

Në një operacion tjetër ndërkombëtar në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike, policia njoftoi arrestimin e shtetasit joshqiptar “L. V.”, 41 vjeç.

Operacioni i koduar “Detroit”, sipas policisë së Shqipërisë, u krye mes Njësisë Hetimore “Jointshield” që funksionon në bashkëpunim DSS dhe OSI në Ambasadën Amerikane dhe me zyrën e DEA-s Athinë, Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, Drejtorisë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale dhe zyrën e Interpolit në Policinë e Shtetit të Shqipërisë.

“Kapet dhe vihet në pranga një shtetas i huaj i kërkuar nga drejtësia amerikane, për trafikim të lëndëve narkotike dhe pastrim të produkteve të veprës penale”.

Policia e Shtetit, tha se mori informacione nga Zyra e DEA-s në Athinë, se një shtetas i huaj i përfshirë në veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve mund të hynte në territorin shqiptar, menjëherë organizoi punën për lokalizimin e vendndodhjes dhe arrestimin e këtij personi.

“Mbi bazën e informacioneve të grumbulluara, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit dhe Njësia Hetimore “Jointshield” finalizuan operacionin “Detroit”, si rezultat i të cilit u bë e mundur që në rrugën nacionale Tamarë-Hani i Hotit, të kapej dhe të vihej në pranga shtetasi i huaj L. V., 41 vjeç”-njoftoi policia.

Lëvizjet e këtij shtetasi të huaj në territorin e Shqipërisë u shoqëruan me një punë të mirëfilltë hetimore dhe kërkimore prej më shumë se dy muajsh.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Tiranës, me qëllim fillimin e procedurave të ekstradimit të këtij shtetasi të huaj drejt SHBA-së.

Ekstradimi bëhet pasi Gjykata e Michiganit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me vendimin e datës 09.06.2021 i ka shqiptuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.

Policia e Shtetit theksoi se është e angazhuar dhe e vendosur për të punuar bashkërisht me partnerët në luftën kundër krimit të organizuar, me qëllim kapjen dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që ushtrojnë këtë veprimtari kriminale.