Në Boston, natën e ndërrimit të viteve

Pas festimeve të 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, festa tradicionale e Vitit të Ri , i mblodhi përsëri shqiptarët e Bostonit

 

Nga Fuat Memeli

“Fjalën” e kishte muzika

Pas festimeve të 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, festa tradicionale e Vitit të Ri , i mblodhi përsëri shqiptarët e Bostonit . Si kudo edhe në këtë qytet , ata festuan në mënyra të ndryshme: një pjesë në familje, një pjesë në grupe familjesh , të tjerët që përbënin edhe shumicën, festuan nëpër lokale. Një nga grumbullimet më të mëdha , ishte ai në restorantin ”Apolon”, ku ndodheshin rreth 300 shqiptarë . Ishin të moshave e profesioneve të ndryshme por i bashkonte gjuha shqipe, i bashkonte Shqipëria.
Organizatorët e mbrëmjes, Shoqata “Mass.Besa”, i zoti i lokalit, Niko Poulopoulos me origjinë nga Greqia si dhe dy ndihmësit e tij , shqiptarët Pirro Ikonomi e Florian Struga, kishin bërë një organizim mjaft të mirë dhe kishin përgatitur një mëny të pasur. Fjalët këtu ishin të pakta, me përjashtim të një mirseardhje. Këtu e kishte “fjalën” muzika , vallzimi, këngët e vallet shqiptare.
Djali i dixheit, Jani Zguro, i kudondodhur në veprimtaritë e shqiptarëve, e “ndezi” atmosferën. Ai kishte sjellë me vete edhe këngët e fundit të realizuara në Shqipëri e Kosovë.Të rinjtë e të rejat, nuk rreshtin së kërcyeri. Mes tyre ka edhe të moshuar, që gëzojnë tok me femijët, nuset, dhëndurët , të afërmit e miqtë e tyre. Mbrëmja kulmoi në çastin e ndrimit të viteve. Djali i dixheit, njoftoi për sekondat që kishin mbetur, deri sa akrepat të përputheshin në orën 12 të. Sekondat mbarojnë. Ulen për pak çaste dritat dhe në sallë shpërthejnë duartrokitjet. Përqafime, urime e trokitje gotash. Shumë nga pjesëmarrësit, i fiksojnë në fotografi këto çaste të bukura të ndrimit të viteve.

 

Një bukë nga Kanadaja

Viti i Ri 2013 123

Një mjedis i veçantë në orën e ndrimit të viteve, u krijua në tavolinën ku ishin dy çiftet e rinj të martuar në tetorin e kaluar: Elton Memeli e Maria Diolitsis dhe Mentar Duka e Joanna Trajnor. Viti që kajoi, do të mbetet i paharruar për ata , pasi finalizoi dashurinë e tyre, i bashkoi me njerzit e zemrës. Maria, e cila është lindur e rritur në Kanada nga prindër me origjinë nga Greqia, i bëri surprizë 10 pjesëtarëve të tavolinës. Në orën e ndrimit të viteve , ajo u shpërndau kapele, fishekzjarre e dhurata të tjera. Por, surpriza më e bukur ishte një bukë e ëmbël e sjellë nga Kanadaja ku ajo jeton me Eltonin. Në bukë ishte shkruar : 2013.
– Ju si më i vjetri i tavolinës, m’u drejtua mua, do ta prisni bukën në 10 pjesë dhe sejcili do të marrë pjesën e vet. Kështu u veprua. Ndërkohë Maria tha:-Kontrolloni bukën se ka diçka brenda. Filloj kontrolli me të shpejtë. Pas pak doli “sekreti” i fshehur te buka: ishte një monedhë, e cila për çudi më ra mua. Qeshën të gjithë e më uruan se këtë vit do të jem me fat. Pastaj Maria shpjegoi se vendosja e lekut në bukë , natën e Vitit të Ri, është një traditë e popullit grek. Ajo vendoset jo vetëm nga çdo familje por edhe nga bizneset.
Tek mora monedhën, të cilën do ta ruaj si kujtim nga ajo natë, më shkoi mëndja te tradita shqiptare e vendosjes së lekut në ditën e Verës, më 14 Mars. Dhe thashë me vete: populli shqiptar dhe ai grek, kanë shumë gjëra të përbashkëta, në tradita , zakone e kulturë. Një pjesë të këtyre traditave, i pashë në dasmën e Eltonit e Maries në Toronto. Ato binin në sy në respektin për miqtë, në gatime, në dhuratat që bënin , etj. Një pjesëz të kësaj tradite , e pashë edhe në vendosjen e lekut në bukë, natën e ndrimit të viteve. Pavarësisht se ç’ka bërë politika, ato që i bashkojnë popujt tanë , janë shumë më të mëdha se ato që i ndajnë.

 

Edhe fëmijët festuan

Një sallë të veçantë në restorantin ku zhvillohej mbrëmja tradicionale e Vitit të Ri , e kishin “pushtuar” fëmijët e pjesëmarrësve. Të zotët e lokalit , kishin marrë masa që sivjet t’u krijonin fëmijëvë kushte të veçanta. Aty kishte ushqime, lodra , muzikë, etj. Mes tyre ishte edhe plaku i Vitit të Ri, i ngarkuar me dhuara , që i kishin blerë të zotët e lokalit. Fëmijëve nuk u durrohej dhe kërcenin mbi njëri –tjetrin, për të qënë të parët në rradhë. Tek shihnja fëmijët e vegjël me dhurata, më shkoi mëndja te fëminia jonë e largët, ku dhuratat ishin të rralla e të pakta. Një pjesë e fëmijëve , u grumbullua pastaj te plaku i Vitit të Ri , për të dalë në fotografi. Prindërit e tyre, e fiksuan edhe këtë moment.
E paharruar do të mbetët kjo natë për vajzën , Kristina Dycaj. Ajo kishte ditlindjen dhe mbushte 8 vjet. Me këtë rast, paku i Vitit të Ri, i solli në tavolinën e prindërve, tortën ku ishin vendosur edhe qirinjtë. Nga altoparlanti jehoi kënga :”Happy birthday”.( gëzuar ditlindjen)Krahas urimit të prindërve, Edmondit , Brikënës, vëllait Stiven , Kristinën e uruan edhe pjesëmarrës të tjerë të kësaj sofre të madhe shqiptare.

* * *
Në orën një pas mesnate, disa nga pjesëmarrësit , sidomos ata më të vjetrit, filluan të largohen.Të tjerë më të rinj si Gledisi, Rezarta, Eltoni, Maria, Mentari, Joana , Aureli, Kristi, Knida e plot të tjerë, vazhduan të vallzojnë e këndojnë. Kjo atmosferë vazhdoi deri në orën dy pas mesnate, kur u afrua polici i shërbimit e dha shenjë për ta mbyllur. Ja, kështu kaloi nata e ndrimit të viteve , në restorantin “Apolon” të Bostonit, ku festuan reth 300 shqiptarë. Gëzuar Vitin e Ri bashkëatdhetarë, kudo që jeni!