Në Bruksel detajohet zbatimi, por në Prishtinë ende debatohet pranimi i marrëveshjes

Pas Thaçi-Daçiç, tani Tahiri-Vulin, por Lëvizja “Vetëvendosje” këmbëngul fuqishëm kundër ratifikimit – Analisti Gallucci shkruan se SHBA dërgon në Kosovë ushtarë profesionistë për zbatimin e marrëveshjes në veri

Nga Ramadan Muçolli

Bruksel, Prishtinë, Beograd, 30 maj 2013 – Në selinë e Bashkimit Evropian (BE) në Bruksel, të enjten ka filluar takimi i radhës i grupeve teknike të Kosovës dhe Serbisë. Ekipin e Kosovës e kryeson zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, ndërsa atë të Serbisë, Aleksandar Vulin, shef i zyrës së Qeverisë së Serbisë për Kosovën.
Sipas axhendës, në këtë takim, i cili do ta vazhdojë edhe të premten, palët do të bisedojnë lidhur me planin e zbatimit të marrëveshjes së arritur në takimin e kryeminsitrave Hashim Thaçi e Ivica Daçiq, më 2 prill, si edhe lidhur me marrëveshjen për telekomunikacion dhe energjitikë.
Sigurisht që në krye të axhendës janë bisedimet për zbatimin e marrëveshjes, e cila përfshin edhe çështje shumë të ndjeshme, siç janë siguria dhe drejtësia. Për këto çështje në Bruksel kanë shkuar autoritetet më të larta të institicuioneve shtetërore përkatëse, si të Kosovës ashtu edhe të Serbisë. Në përbërjen e delegacionit kosovar janë: kryetari i Këshillit Gjyqësor, Enver Peci, kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, kryeprokurori i shtetit, Ismet Kabashi, dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Shpend Magjuni. Ndërkaq, në delegacionin e Serbisë marrin pjesë: ministri i Drejtësisë, Nikola Slakoviq, sekretari i përgjithshëm i Qeverisë së Serbisë, Velko Odaloviq, zëvendësministri i Brendshëm, Mladen Kuribak, dhe zëvendësdrejtori i Policisë, Branislav Mërkiq.
Bisedimet e deritashme kanë dëshmuar se arritja e marrëveshjeve është shumë e vështirë edhe kur bëhet fjalë për çështje që konsiderohen më pak të ndjeshme, të cilat janë cilësuar si marrëveshje që “do të përmirësonin jetën e qytetarëve”.
Të tilla janë edhe marrëveshjet e energjitikës dhe telekomunikacionit, të cilat do të kërkohen në këtë raund të bisedimeve. Kësaj radhe, së paku sipas kryesueses së delegacionit kosovar, palët duket të jenë më afër marrëveshjes për telekomunikacionin. Zonja Tahiri ishte shprehur optimiste se të premten do të arrihet marrëveshja për telekomunikacionin, pasi në takimin e fundit kishte pasur përafrim qëndrimesh midis palëve.

Gallucci: SHBA dërgon në Kosovë ushtarë profesionistë për zbatimin e marrëveshjes në veri

Kryeministrat e të dyja vendeve, pavarësisht reagimeve të ndryshme, në Prishtinë, në Beograd apo në Mitrovicë, kanë deklaruar se zbatimi i marrëveshjes është çështje e panegociueshme. Por, zbatimi i marrëveshjes në praktikë duket shumë më i vështirë se sa në letër dhe kjo po dëshmohet edhe pas miratimit të planit për zbatimin e saj.
Ditë më parë, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte thënë se për zbatimin e pikave të planit të marrëveshjes që kanë të bëjnë me rendin e sigurinë në veri do të përkujdesen KFOR-i dhe EULEX-i dhe për këtë kishte zhvilluar takime me autoritetet më të larta të tyre. Deri më tash, këto deklarata nuk janë konfirmuar as nuk janë mohuar nga këto dy misione.
Por, ndërkohë, një ish-punëtor i OKB-së në Kosovë ka publikuar një informacion që i bën të besueshme deklaratat se KFOR-i mund të angazhohet në zbatimin e marrëveshjes në veri. Ish-administratori i UNMIK-ut për rajonin e Mitrovicës, Gerard Gallucci, i njohur për deklarata mjaft kontroverse që kishte dhënë në fund të mandatit të tij në Kosovë, shkruan se SHBA po dërgon tani në Kosovë ushtarë aktivë që më parë dërgoheshin në Irak dhe në Afganistan.
“Bashkë me EULEX-in, njësiti do të ngarkohet me garantimin e lirisë së lëvizjes, duke përfshirë heqjen e barrikadave të serbëve të Kosovës të vendosura me qëllim të ndalimit të qasjes në veri të policisë dhe njësive speciale të Kosovës,” shkruan Gallucci në faqen e internetit “Transconflict”, të themeluar nga publicistë serbë.
“Rotacioni i radhës përbëhet nga pjesëtarë të Brigadës Luftarake Vëzhguese 525, që vijnë nga baza ushtarake ndër më të mëdhatë dhe më të specializuarat në Amerikë, nga baza Fort Bragg e Karolinës së Veriut. Detyrë dhe përgjegjësi e pjesëtarëve të kësaj Brigade gjatë qëndrimit në Kosovë do të jetë kryesisht rajoni i veriut me tension të theksuar ndëretnik”, shkruan Gallucci.

Debate për dhe kundër ratifikimit të Marrëveshjes në Kuvendin e Kosovës

Në Kosovë kanë vazhduar debatet lidhur me ratifikimin e Marrëveshjes së Brukselit. Lëvizja “Vetëvendosje” është shprehur fuqishëm kundër ratifikimit. Udhëheqësit e deputetët e kësaj lëvizjeje në Kuvendin e Kosovës kanë thënë se do të votojnë kundër ratifikimit, ndonëse ata nuk e dijnë ende përmbajtjen e marrëveshjes, pasi ajo nuk u është dorëzuar ende deputetëve. Deputeti Rexhep Selimi ka thënë se marrëveshja nuk bën të ratifikohet pasi ajo “i bën dëm shtetit të Kosovës”.
“Në të gjitha pikat e marrëveshjes nuk mund të gjesh diçka që i shërben shtetndërtimit të Kosovës. Në të gjitha pikat është e kundërta. Gjithçka është ajo çka Serbia bën kundër Republikës së Kosovës”, ka thënë Selimi.
Kështu, Selimi ka përsëritur qëndrimin e partisë së tij, e cila është vënë në kërkim të përkrahjes së grupeve të tjera parlamentare për kundërshtimin e ratifikimit të marrëveshjes. Njëjtë kishte bërë të mërkuren njeriu i dytë i “Vetëvendosjes”, Glauk Konjufca, i cili kishte kërkuar mbështetjen e grupeve parlamentare opozitare.
“I ftojmë të gjithë qytetarët e Kosovës që t’i përgjigjen thirrjes tonë, përfaqësuesve të shoqërisë civile, deputetëve të Kuvendit që duan ta mbrojnë interesin e Kosovës e grupeve parlamentare të opozitës, që ta ndalojmë ratifikimin e marrëveshjes që na e dëmton vendin”, ka bërë thirrje Konjufca.
Ai i është drejtuar veçanërisht grupit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), grupit më të madh opozitar.
“Ky është, pra, momenti për të cilin partitë opozitare, veçanërisht LDK, ka thënë se nuk do ta mbështesin marrëveshjen”, ka theksuar ai.
Por, LDK-ja nuk e ka pranuar këtë thirrje apriori. Shefi i Grupit Parlamentar, Ismet Beqiri, ka bërë të ditur se LDK-ja nuk ka ende qëndrim lidhur me marrëveshjen, përmbajtja e së cilës nuk është publikuar ende në mënyrë zyrtare.
“Fillimisht duhet të shihet marrëveshja dhe zbatimi i planit, e pastaj të ndërmerren hapa”, ka thënë ai.
“Ne nuk i përgjigjemi tekeve dhe ftesave të askujt, por kemi qëndrimet tona që mbështeten në argumente”, ka thënë Beqiri, duke e komentuar ftesën e “Vetëvendosjes”.
Ndërkaq, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) është vënë kundër thirrjes për mosratifikim të marrëveshjes e në krah të Qeverisë së Kosovës e të Kryeministrit Thaçi. Kryetari i saj, Ramush Haradinaj, ka thënë se zbatimi i marrëveshjes mundëson integrimin e veriut.
“Ne do ta përkrahim zbatimin e marrëveshjes, sepse ne, përmes saj, kemi thënë disa herë, po e shohim mundësinë e integrimit të veriut”, ka thënë Haradinaj.

Marrëveshja e Brukselit ngrit çështjen e ndryshimit të ligjeve

Marrëveshja e Brukselit ka ngritur çështjen e ndryshimeve dhe plotësimeve eventuale të një sërë ligjesh, përfshirë edhe kushtetutat, si në Kosovë ashtu dhe në Serbi.
Zëvendëskryeminsitri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka shprehur bindjen se marrëveshja nuk imponon ndryshime të ligjeve.
“Nuk do të ketë nevojë për ndryshim të disa ligjeve në Kosovë, pasi që ato janë shumë fleksibile”, ka thënë Kuçi.
Njëjtë është shprehur Arsim Bajrami, kryetar i komisionit për ndryshime kushtetuese.
“Personalisht mendoj se nuk është mirë që të preken ligjet dhe Kushtetuta, pasi që Kosova ka bërë shumë kompromise me Pakon e Ahtissarit.
Por, Bajrami ka pranuar se Beogradi dhe Prishtina do të formojnë një grup punues të përbashkët që do të merren me çështjen e ligjeve dhe me ndryshimet eventuale të tyre.
Ndërkaq, në Beograd, ndryshimi i ligjeve konsiderohet i paevitueshëm për zbatimin e Marrëveshjes. Gazeta “Danas” shkruan se Plani i Zbatimit të Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës u është përcjellë të gjitha ministrive për të përgatitur analiza se cilat ligje është e domosdoshme të ndryshohen.