Në Bruksel mbahet takimi i Këshillit të Stabilizim Asociimit BE-Kosovë

Bruksel, 7 shjetor 2021 – Të martën, më 7 dhjetor, në Bruksel, mbahet takimi i katërt i Këshillit të Stabilizim Asociimit ndërmjet Bashkimit Evropian  dhe Kosovës.

Delegacionin e Kosovës e udhëheq kryeministri, Albin Kurti, kurse atë të BE-së Përfaqësuesi i Lartë pë Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe komisionari për Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Në delegacionin e Kosovës, përveç KryeministritKurti, janë edhe: zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ministrja Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe zëvendësministrja e Drejtësisë, Nita Shala.

Këshilli i Stabilizim Asociimit është formuar në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, e cila kahyrë në fuqi më 1 prill të vitit 2016. Në këtë këshill analizohet zbatimi i kësaj marrëveshjeje nga të dyja palët.

Marrëveshja e Stabilizim Asociimit është marrëveshja kontraktuale e parë dhe e vetme ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian,. Ajo ka synim mbështetjen e përpjekjeve për forcimin e demokracisë dhe shtetin e së drejtës në Kosovë.

Takimi i së martës i Këshillit të Stabilizim Asociimit, sipas burimeve të BE-së, do të jetë një rast për të analizuar raportet mes palëve, situatën aktuale në Kosovë dhe vërejtjet eventuale në përmbushjen e obligimeve që dalin nga MSA-ja.

Burime brenda BE-së bëjnë të ditur se në këtë takim do të flitet edhe për bashkëpunimin rajonal, përfshirë edhe dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Ishte paralajmëruar që, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, para fundit të këtij viti do të mund të mbahej një takim i nivelit të lartë. Por, në BE kanë thënë se për momentin nuk shohin gatishmëri të palëve për të arritur ndonjë rezultat konkret në dialog.

Në këto rrethana nuk mund të parashikohet që së shpejti të ketë ndonjë takim ndërmjet Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Gjatë qëndrimit në Bruksel, kryeministri Kurti pritet të takohet edhe me presidentin e Parlamentit Evropian, David Sassoli.

(r.m.)