Në ditëlindjen e Presidentit Diaz, Jr. në Bronx

Nga Mimoza Dajçi
Fotot Aleks Nilaj

Me rastin e 40 vjetorit të lindjes së tij, Presidenti i Bashkisë – Bronx Z. Ruben Diaz, Jr. mbajti një pritje me banorët e qytetit, personaliteteve të politikës e shoqërisë civile. Mes të ftuarve ishin edhe përfaqësues të komunitetit shqiptar. Nuk është hera e parë që Presidenti Diaz, Jr. fton në këto evenimente individë edhe organizata nga komuniteti ynë, por njëherësh mos të harojmë, se ai edhe vetë ka qenë i pranishëm në shumë takime e festa të organizuara nga bashkësia jonë.
Si përfaqësuese e Organizatës së Gruas “Shpresë dhe Paqe” falenderoj Presidenetin Diaz, Jr. për vlerësimin që tregon duke bashkëpunuar edhe me organizatën tonë, për ecurinë e punës tonë humanitare në dobi të mbrojtjes për të drejtat e femrës e përparimit të saj.
Një tortë nën ngjyrat bardhë e blu, përgatitur për Presidentin Diaz, Jr. vendosur mbi tavolinë shënonte me shkronja të kaltra 40 vjetorin e lindjes së tij. Miq, shokë e të afërm të familjes e uronin dhe e përgëzonin Z. Diaz, Jr. në këtë përvjetor. Pije, ushqime e muzikë e zgjedhur u servir për mysafirët e kësaj mbrëmje në ambjentet e Restorantit “Grand Slam” në Bronx, ku nuk munguan edhe përfaqësues të medias amerikane e shqiptare.
Presidenti Ruben Diaz, Jr. edhe pse në gëzimin e ditës së tij, pasi falenderoi të pranishmit nuk harroi të dhuronte në emër të Tij, stafit dhe banorëve të Bronx-it një Proklamatë – Mirënjohje për një nga figurat më stoike të kombit tonë Isa Boletini, ku nën mbishkrimin e Tij vlerësonte kontributin e Heroit për liri pavarësi e prosperitet kombëtar. Këtë Proklamacion ia dhuroi njërit prej nipave të Isa Boletinit, Enver Dajçi, i cili ka vuajtur nëpër burgjet e diktaturës komuniste në Shqipëri si kosovar, si nënshkrues i Shqipërisë Etnike, e mbrojtës i të drejtave të njeriut.
Për vlerësimin e Heroit tonë kombëtar Isa Boletini me këtë Mirënjohje të Lartë nga ana e kreut të Bashkisë – Bronx, interesim të veçantë u tregua nga Presidenti i Fondacionit Shqiptaro – Amerikan Z. Esad Rizai, i cili si gjithmonë i palodhur e i përkushtuar ndaj çështjes shqiptare shfrytëzon e njohjet e tij me udhëheqësit e lartë amerikan për të vlerësuar herojtë e aktivistët shqiptarë në diasporë e më gjerë.
Presidenti Ruben Diaz, Jr. gjithmonë ka qëndruar pranë komunitetit tonë e është shquar për vlerësimet që ka ofruar për diasporën tonë në New York, ku mes tyre ka mirënjohur Kishën Katolike Shqiptare në Harsdalle drejtuar nga Famulltari Dom Pjetër Popaj, për punën e mirë që ka bërë e vazhdon të bëjë në kultivimin e traditave të pasura kombëtare tek brezi i ri si gjuha, muzika e folklori ynë i bukur shqiptar. Gjithashtu mes këtyre mirënjohjeve vlen të përmendet edhe Proklamata – Mirënjohjes që Presidenti Diaz, Jr. ka dhuruar për Humanisten shqiptare, poeten e njohur Znj. Rita Saliu, ku mes të tjerave shkruan se njeh e vlerëson sakrificat e saj sublime për vendin e popullin shqiptar në Kosovë gjatë periudhës së luftës e represionit serb në Kosovë.
Ruben Diaz, Jr. është një personalitet i suksesshëm në jetën sociale e politike të vendit. Edhe pse i ri në moshë ka shënuar një sërë arritjesh në karierrën e tij politike e administrative. Ai ka bërë përpjekje për uljen e varfërisë duke nxitur bisnesin e vogël e të mesëm, e duke ndarë herë pas here ndihma humanitare. Lufton krimin e ngre zërin për mbrojtjen e viktimës.
Duke përfunduar këtu këtë shkrim modest, i urojmë Presidenit Ruben Diaz, Jr. jetë të gjatë e suksese në politikë e punën e Tij të suksesshme për mirëqënien qytetare të këtij Qyteti të madh mes banorësh me kombësi e kultura të ndryshme.