Në Elbasan, 7 plumba u shkrepën nga Papleka, 13 të tjerë nga një pistoletë tjetër

Tiranë, 23 prill 2021 – Gjyqtari i gjykatës së Elbasanit, Tomor Kullolli, do të vendosë të hënën, më 26 prill, masat e sigurisë për 11 personat e arrestuar lidhur me përplasjen me armë në këtë  qytet, ku u vra një dhe u plagosën katër persona .

Nga ekspertiza e 20 gëzhojave të gjetura në vendin e ngjarjes, rezulton se nga arma e ish-oficerit të RENEA-s, Arbër Papleka, janë shkrepur 7 plumba, ndërsa 13 plumbat tjerë janë shkrepur nga një pistoletë izraelite, e cila ende nuk është gjetur ende. Hetimet e deritashme e përjashtojnë nga autorësia Klement Xharrin, i cili është në kërkim të policisë. Por, kush qëlloi? Kjo mbetet ende e paditur.

Ora News publikoi për më shumë detaje lidhur me ekspertizën.

Aktet e ekspertimit të gëzhojave kane zbuluar se 7 plumba janë qëlluar nga arma “Glock” 9 mm, e përdorur në këtë krim nga ish-efektivi i RENEA-s, Arbër Papleka.

Ky grumbull gëzhojash është konstatuar në një vend, ndërsa 13 gëzhoja të tjera janë gjendur në një pozicion tjetër, të cilat besohet se janë qitur nga një pistoletë e prodhimit izraelit dhe mendohet se me të janë plagosur ish-polici i RENEA-s, Emiljano Prenga, dhe ish-polici tjetër Pavlo Vuksani.

Deri në këtë fazë të hetimit, policia ka lançuar emrin e Klemend Xhaferit, që ka qëlluar drejt grupit të ish-policëve. Por dëshmitarë të tjerë në vendngjarje tregojnë se Xhaferi ka mbërritur në vendngjarje shumë shpejt pasi ka shtëpinë rreth 50 metra larg vendit të krimit.

Disa nga dëshmitarët në polici, kanë pohuar se Xhaferi nuk ka qëlluar me armë, por ka qenë një person tjetër që ka hapur zjarr.

Ne hetime është zbuluar dhe pronari i Benzit luksoz me targë AB 010, i cili i përket biznesmenit të karburanteve Ilir Beko, person të cilit RENEA i sekuestroi në 2019 arsenalin e armëve luksoze në ambientet e karburantit të tij në Papër të Elbasanit.

Benzi përdorej dhe nga djali i Ilirit, Eldjo Beko, i cili ditën e ngjarjes ia kishte dhënë makinën në përdorim Klemend Xhaferit.

Gjatë marrjes në pyetje, Beko nuk ka pranuar të tregojë se kujt personi ia ka dhënë makinën, andaj policia e ka arrestuar me akuzën “Kryerje e veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.

“Ora News” ka mësuar se prokuroria e Elbasanit do kërkojë masën e arrestit në burg për të gjithë personat e arrestuar.

Çështja do të shqyrtohet nga gjyqtari i Elbasanit, Tomor Kullolli, kurse seanca për caktimin e masës së sigurisë pritet të zhvillohet ditën e hënë, më 26 prill 2021, një ditë pas përfundimit të procesit të votimit.

(Oranews.tv)