Në Ferizaj, protestë kundër dhunës ndaj grave e vajzave në Kosovë

Prishtinë, 24 gusht 2024 – Të martën në Ferizaj u mbajt një protestë kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave në Kosovë.

Protesta u organizua nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore, duke marrë shkas nga vrasja e 18 vjeçares Marigona Osmani nga ky qytet.

Protestuesit kanë bartur pankarta përmes të cilave kanë kërkuar t’i  jepet fund dhunës ndaj grave dhe vajzave, ndërsa policisë dhe organeve të drejtësisë u kanë kërkuar të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre dhe të marrin në mbrojtje jetët dhe te drejtat e grave e të vajzave.

Ata e kanë shprehur indinjatën e tyre me neglizhencën e institucioneve shtetëroresi edhe të organeve të rendit e të ligjit ndaj fenomentit të dhunës ndaj “gjinisë së dobët”.

 “Femicidi të trajtohet si urgjencë kombëtare”, “Mos e normalizoni vrasjen e grave”, “Dënim maksimal përdhunuesit e grave dhe vajrzave”, “Drejtësi për viktimat e dhunës në familje”, “Pushteti, policia dhe gjykatat janë patriarkale”,“Policia i ka duart me gjak” etj. ishin disa prej pankartave që mbanin në duar protestuesit në Ferizaj.

Bjeshkë Guri tha se rasti i fundit në Ferizaj tregon se në shoqërinë kosovare nuk ka vend të sigurt për gratë dhe vajzat.

“Ky rast i femicidit përveç që është duke shpërfaqur mendësinë dhunuese patriarkale, është tregues i dështimit institucional për ta trajtuar sigurinë e grave me prioritet”, tha Guri.

Ajo tha se për të adresuar fenomenin e dhunës ndaj grave dhe vajzave, institucionet e Kosovës duhet të respektojnë Konventën e Stambollit, kurse për vrasësit dhe dhunuesit e grave dhe vajzave duhet të shqiptohen dënime maksimale nga gkykatat.

Guri drejtoi një kërkesë specifike në adresë të Policisë së Kosovës.

“Kemi edhe një kërkesë drejtuar në mënyrë specifike policisë dhe kërkojmë nga ajo që të trajtojë me dinjitet dhe në mënyrë të barabartë të gjitha gratë dhe vajzat që raportojnë rastet e tyre të kanosjes, të kërcënimit, përdhunimit apo të çfarëdo rasti tjetër në baza ditore”, tha Guri.

Policia e Kosovës njoftoi se të martën e ka arrestuar të dyshuarin kryesor për vrasjen e 18-vjeçares. Arrestimi të dyshuarit me inicialet D.K. (Dardan Krivaqa), i cili është përpjekur t’u shmanget organeve të drejtësisë, është bërë në një fshat të komunës së Ferizajt.

Policia bëri të ditur se ai është i dyshuari kryesor për veprën penale “Vrasje e rëndë”.

I dyshuari i dytë lidhur me vrasjen e 18-vjeçares, me inicialet A.S. (Arbër Sejdiu), është arrestuar një ditë më parë.

Vrasja e 18-vjeçares Marigona Osmani ka ndodhur më 22 gusht, në Ferizaj. Dy të arrestuarit, të cilët dyshohet të jenë kryes dhe bashkëkryes të veprës penale, e kanë dërguar trupin e pajetë të viktimës në emergjencën e Ferizajt dhe janë larguar, në përpjekje që ta fshehin krimin.

Identifikimi i tyre është bërë pas këqyrjes së kamerave të sigurisë dhe me ndihmën e qytetarëve.

Mediet në Kosovë, duke iu referuar burimeve të afërta me familjen e viktimës, raportuan se viktima ishte martuar para dy muajsh me të dyshuarin kryesor, D.K. Një e afërme e të ndjerës ka thënë se 18-vjeçarja ishte martuar kundër dëshirës së saj me D.K., i cili thuhet se ka ushtruar dhunë ndaj saj.

Sipas raportit mjeko-ligjor, e ndjera Marigona 0smani ka vdekur nga plagët vdekjeprurëse të shkaktuara nga dhuna e ushtruar ndaj saj.

E ndjera M.O. u varros të martën, në varrezat e qytetit në Ferizaj. Në ceremoninë e varrimit morën pjesë edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Kurti pasi vendosi lule mbi varrin e së ndjerës, tha se kjo vrasje e ka tronditur mbarë Kosovën.

“Jeta e një vajze të re 18 vjeçare është këputur nga një vrasje mizore. Para një orë e gjysmë i dyshuari për vrasjen që e tronditi mbarë Kosovën është arrestuar dhe tash duhet të ketë gjykim të drejtë dhe dënim të merituar. Kjo tregon se sa shumë punë kemi përpara që ta drejtojmë sistemin e drejtësisë, në mënyrë që të veprojë pa vonesa, të gjykojë drejt dhe të ndëshkojë kriminelët dhe keqbërësit në përgjithësi ”, tha Kurti.

“Qeveria jonë, prej fillimit, ka ndërmarrë iniciativën për infrastukturë të re ligjore, në mënyrë që kurrë më të mos na përsëriten këto raste. E kemi bërë ligjin e ri për mbrojtje të viktimave dhe për mbrojtjen nga dhuna në familje”, shtoi ai.

Autoritetet e Kosovës e kanë gjykuar ashpër rastin dhe kanë kërkuar nga organet e drejtësisë që autorët e këtij krimi të rëndë të marrin dënimin e merituar.

(r.m.)  

Comment

*