Në Florida, Vatra, feston ditëlindjen e Naim Frashërit

Nga Beqir Sina

JACKSONVILLE, Florida – 167 vjetori i lindjes së poetit tonë kombëtar Naim Frashëri, rilindasit tonë të madh, u kujtua të shtunën në mbrëmje në qytetin Jacksonville të Floridës, me një veprimtari artistiko-kulturore, organizuar nga Dega e shoqatës Vatra në Florida.
Morën pjesë dhjetëra vetë, familje vatrane dhe simpatizantë të shoqatës Vatra. Në veprimtarinë artistike-muzikore të titulluar “Shqipëri o nëna ime” mori pjesë edhe Dervish Pashaj nga Teqeja e Detroitit, kryetari i Federatës PanShqiptare të Amerikës VATRA, Dr. Gjon Buçaj dhe anëtari i kryesisë zoti Sejdi Husenaj.
“Qëllimi i kësaj veprimtarie të veçantë është kujtimi i ditëlindjes të poetit tonë të madh kombëtar, të rilindjes, sonë kombëtare Naim Frashërit,” u shpreh kryetari i degës së Vatrës në Florida, zoti Adriatik Spahiu .”Vepra e Naimit, tha ai është e pavdekshme, ajo është krenaria e jonë kombëtare, andaj dhe për Naimin do të ketë gjithmonë vetëm ditëlindje”.
Fjalën kryesore të kësaj veprimtarie e mbajti zoti Ali Lushnjari një anëtar i degës së shoqatës Vatra në Florida. “Në gjysmën e dytë të shekullit XIX, Naimi ishte një ndër figurat kryesore që ndikoi në zgjimin dhe konsolidimin e vetëdijes kombëtare të shqiptarëve. Vepra e tij poetike u bë frymëzuesja dhe shpirti i lëvizjes kombëtare.” tha ai, përpara se të bënte një përmbledhje të momenteve më të rëndësishme në jetën e Naim Frashërit.
Kryetari i Vatrës Dr. Gjon Buçaj, mes emocioneve të shumta e përshëndeti këtë aktivitet të degës së Vatrës në Jacksonville të Florida-s.
“Naim Frashëri, është një figurë e madhe kombëtare”, tha Dr. Buçaj, “e cila ashtu si dhe rilindasit e tjerë, që luftuan dhe u sakrifikuan me pushkë dhe me pendë për Mëmedheun, tonë të dashur për Shqipërinë, na bëjnë që ne shqiptarët të ndihemi krenarë, kudo që jemi për të gjitha ato sfida që historia e vjetër dhe e re na detyroi të përballojmë në formimin dhe konsolidimin e shtetit shqiptarë, duke garantuar identitetin tonë kombëtar në familjen evropiane. Padrejtësitë historike ndaj shtetit dhe kombit shqiptar, tha ai u përballuan me sukses sepse gjithnjë u bazuam në parimet e shenjta të lirisë, paqes dhe bashkëjetesës, ose si shprehej në vargjet e tija poeti ynë i madh se: Dielli lind andej nga perëndon. Pra, prej edhe nga e shikonte dritën e lirisë Naim Frashëri për ne shqiptarët, andej nga i ka sot sy e gjithë bota nga Perendimi nga ai vend ku jemi të gjithë ne sot”.
Dr Gjon Buçaj, më tej vlerësoi lart largëpamësin e këtij rilindasi të madh, i cili qysh atëhere sipas tij e shihte kombin tonë kah Perendimi dhe civilizimi botëror, pa harruar asnjëherë dashurinë për vendin dhe origjinën tonë. Prandaj shqiptarët, tha Buçaj, edhe sot kudo ku jetojnë, janë të angazhuar për të përmbushur pikërisht këtë aspirate europianizuese dhe historike për përshpejtim të progresit demokratik dhe integrimit në familjen tonë të natyrshme evropiane. “Një rrugë e vështirë kjo dhe me plot sfida e cila na motivon për një angazhim të ri në realizimin e aspiratave historike të Shqipërisë dhe kombit shqiptar në rrugën e progresit dhe integrimit evropian, që na e lanë amanet rilindasit tanë”.
Veprimtaria përkujtimore në nderim të poetit tonë kombëtar vazhdoi me recitime të poezive të tij, nga të pranishmit ndërkohë që Sandër Ruçi, artisti i njohur shkodran interpretoi me një nostalgji të papërshkrueshme dhe me një humor karakteristik shkodran këtë veprimtari kushtuar ditëlindjes së Naim Frashërit.
Këngëtari i mirënjohur në të gjithë hapësirën shqiptare “Bylbyli i Tropojës” Gëzim Nika krijoi një atmosferë impozante me këngët e tij të famshme me vargjet e poetit tonë të madh Naim Frashërit. Me këngët “Shqipëri o Nëna ime” dhe “O sa mirë që jam Shqiptar”, ndezi atmosferën duke e kthyer këtë veprimtari në një festë të madhe që frymëzon dhe lidh brezat edhe këtu në mërgim.