Në Gjeorgji, mbi 50 gazetarë sulmohen dhe lëndohen nga protestues të dhunshëm

Tbilisi, 7 korrik 2021 – Më shumë se 50 gazetarë u rrahën dhe disa u shtruan në spital të hënën ndërsa po mbulonin një protestë kundër një tubimi për të drejtat e homoseksualëve në kryeqytetin e Gjeorgjisë, Tbilisi.

Protestuesit, të cilët u mblodhën në një kundërtubim ndaj Marshit të Tbilisit për Dinjitet, bllokuan një rrugë kryesore në qytet dhe akuzuan mediat si propaganduese të lëvizjes LGBTQI.

Kalimtarët dhe turistët u përfshinë nga dhuna dhe një person u godit me thikë. Ministria e jashtme polake konfirmoi se një turist nga Polonia po trajtohej në spital pas një sulmi me thikë. Një i dyshuar është arrestuar.

Disa ndërtesa, përfshirë zyrat e organizatës për të drejtat qytetare “Tbilisi Pride” dhe ndërtesat që i përkasin partisë politike të opozitës Girchi dhe një organizate për të drejtat civile, gjithashtu u dëmtuan.

“Tbilisi Pride”, organizatore e Marshimit për Dinjitetin, e kishte anuluar paraprakisht tubimin, duke thënë se autoritetet kishin dështuar të ofronin sigurinë e nevojshme.

“Mosveprimi i qeverisë ka vënë në rrezik real shëndetin dhe jetën e qytetarëve gjeorgjianë”, tha organizata në një deklaratë në Facebook.

Kryeministri Irakli Garibashvili e dënoi dhunën.  Ai tha se sulmet ndaj medias janë “kategorikisht të papranueshme”.

Zoti Garibashvili shtoi se policia po punon për të identifikuar sulmuesit dhe për t’i sjellë para drejtësisë.

Të hënën, kryeministri Garibashvili kishte thënë se aktiviteti i organizatës “Tbilisi Pride” do të mund të çonte në një konfrontim dhe se ngjarja konsiderohet si e papranueshme për një pjesë të madhe të popullsisë së vendit.

Gjeorgjia është një vend kryesisht konservator.

(Zëri i Amerikës)