Në Gjykatën Speciale në Hagë nis gjykimi i Salih Mustafës

Hagë, 15 shtator 2021 – Të mërkurën në Gjykatën e Posaçme të Kosovës u hap procesi i parë gjyqësor ndaj Salih Mustafës, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i akuzuar për krime lufte.

Prokurori i Specializuar, Jack Smith, gjatë fjalës hyrëse, tha se përderisa rastet e tjera që do të gjykohen në këtë gjykatë do të flitet për viktima të etnive të ndryshme, si shqiptarë kosovarë, serbë dhe romë, të gjitha viktimat në rastin e Mustafës ishin shqiptarë të Kosovës.

Ai theksoi se “faji i vetëm” i disa viktimave ishte se ishin pjesëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Këta njerëz nuk ishin armiq të shtetit të Kosovës. Ata nuk ishin spiunë. Ata ishin pjesëtarë të komunitetit, shqiptarë të pafajshëm të Kosovës, krimi i vetëm i të cilëve ishte se ishin parë nga të tjerët, për një arsye apo pr një tjetër, ishin parë si pengesë e UÇK-së dhe e udhëheqësve të saj, prandaj ishin etiketuar si kolaboracionistë”, tha Smith.

Smith tha se viktimat, të cilat ishin etiketuar si “kolaboracionistë” dhe si “pengues të luftës”, ishin mbajtur në një qendër ndalimi në Zllash. Sipas përshkrimit në aktakuzë, ndërtesa ku dyshohet se janë kryer krimet të cilat i ngrakohen Mustafës ishte një shtëpi dykatëshe dhe e izoluar.

Sipas aktakuzës, dy nga viktimat që ishin mbajtur në qendrën e ndalimit në Zllash ishin trajtuar veçanërisht keq. Njëri prej tyre nuk është gjetur asnjëherë, ndërsa trupi i tjetrit është gjetur në një varr të cekët, në një distancë të afërt nga qendra e ndalimit në Zllash.

Në aktakuzë thuhet se kjo shtëpi nuk ekziston sot, mirëpo ka prova se Mustafa ndodhej atje në kohën e kryerjes së krimeve dhe ato do të paraqiten gjatë procesit gjyqësor.

Prokurori i Specializuar Smith theksoi se krimet e luftës nuk justifikohen, pavarësisht rrethanave në të cilat kryhen ato.

“Kundërshtarët e kësaj gjykate përdorin shprehje si ‘lufta e pastër’. Si prokuror është përtej detyrës sime t’ju tregoj se cila është luftë e pastër, por mund të them që krimet e luftës në një anë nuk i justifikojnë krimet në anën tjetër”, tha ai.

Prokurori Smith e lavdëroi Kosovën dhe popullin e saj për krijimin e Gjykatës Speciale dhe për mbështetjen e saj.

“Kjo gjykatë flet për përkushtimin e njerëzve të Kosovës për sundimin e ligjit. Njerëzit e Kosovës kanë qenë forca lëvizëse e zyrës sonë dhe e këtij institucioni”, theksoi ai.

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, i cili kishte deklaruar së është pafajshëm edhe në njohjen e parë me aktakuzën, e përsëriti këtë edhe pas paraqitjes së aktakuzës nga Prokurori Smith.

Duke u përgjigjur në pyetjen e gjykatësës nëse ende qëndron pas deklarimit të tij fillestar, ai bëri akuza të rënda në adresë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

“Po, për asnjë nga pikat që m’i ngarkon kjo zyre e Gestapos”, tha Mustafa, duke iu referuar shërbimit sekret të policisë së Gjermanisë naziste.

Pas përfundimit të fjalës hyrëse së Prokurorit të Specializuar, Salih Mustafa nuk u kthye në sallën e gjykimit, pasi e kishte njoftuar avokatin e tij se nuk dëshiron të jetë i pranishëm në procesin e gjykimit të tij.

Ky është gjykimi i parë në Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, që njihen ndryshe edhe si Gjykata Speciale.

Mustafa akuzohet për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme. Sipas aktakuzës, krimet për të cilat akuzohet ai, dyshohet se janë kryer gjatë muajit prill të vitit 1999, në një qendër ndalimi në fshatin Zllash në rrethinën e Prishtinës.

Sipas aktakuzës, Salih Mustafa, i njohur si ‘komandant Cali’, ishte komandant i njësitit gueril BIA të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Llapit.

Salih Mustafa ishte arrestuar më 24 shtator të vitit 2020. Që nga ajo kohë ai gjendet në njësinë e paraburgimit të Gjykatës Speciale në Hagë.

Kryetarja e kësaj gjykate, Ekaterina Trendafilova, pak ditë më parë, ka deklaruar se procesi gjyqësor ndaj Salih Mustafës pritet të zgjasë dy muaj.

(r.m.)