Në Itali arrestohet për terrorizëm një 19 vjeçare me prejardhje nga Kosova

Milano (Itali), 17 nëntor 2021 – Polica e Milanos tha se arrestoi të mërkurën një 19 vjeçare me prejardhje nga Kosova nën akuzat për terrorizëm.

Mediat italiane shkruajnë se ajo ishte radikalizuar në moshën 16-vjeçare dhe ishte një mbështetëse e përkushtuar e Shtetit Islamik të Irakut dhe Sirisë.

Hetimi nisi pas një raporti të shërbimeve të zbulimit në lidhje me bashkëshortin e vajzës, një 21 vjeçar nga Kosova, që kishte lidhje me sulmuesin e Vjenës, Kujtim Fejzulai.

Sulmi në Vjenë ndodhi më 4 nëntor të vitit 2020. Kujtim Fejzulai vrau katër persona përpara se të vritej nga forcat e sigurisë.

Mediat citojnë urdhrin për arrestim në të cilin thuhet se “19-vjeçarja mbante mijëra fotografi dhe video në celularin e saj, disa prej të cilave ishin prodhuar nga nga agjencia e Shtetit Islamik ‘Al Hayat Media Center’, me pamje të flamurit të ISIS-it, skena luftimesh e ekzekutimesh.

Mes tjerash në celularin e saj ishte edhe fotografia e sulmuesit, që i përket organizatës ISIS-Khorasan, i cili hodhi veten në erë në aeroportin e Kabulit më 26 gusht, duke shkaktuar qindra të vdekur në mesin e civilëve që përpiqeshin të arratiseshin nga Afganistani, tani në duart e talebanëve. Në celularin e saj ka edhe fotografi të masakrës në redaksinë e revistës franceze, Charlie Hebdo.

Mediat e identifikuan të arrestuarën si Bleona Tafallari, e lindur në Kosovë, por me vendbanim në Milano.

Që nga fillimi i konfliktit në Siri, në vitin 2011, rreth 400 qytetarë të Kosovës besohet se janë përfshirë në konfliktet në Lindjen e Mesme.

Autoritetet thonë se prej andej janë kthyer 253 persona. Mbi 70 veta kanë humbur jetën në zonat e konfliktit ku ende ndodhet një numër i shtetasve të Kosovës.

(Zëri i Amerikës)