Në Kolegjin Harvard diskutohet për çështjen çame

Frank SHKRELI

Këtë të diel, me 16 maj 2021, në Kolegjin Harvard në Cambridge të shtetit Masaçusets, jo shumë larg nga qyteti i Bostonit, do të organizohet një diskutim publik me titull “Shqiptarët çamë të Greqisë: 77 vjet mohim”, me pjesëmarrës Dr. Isa Blumin dhe Dr. Rudina Jasinin. 

Ky njoftim u është gërguar medieve dhe të gjithë të interesuarve nga Shoqata e Studentëve Shqiptarë të Harvardit.

Në njoftim bëhet thirrje që të interesuarit t’i bashkohen diskutimit mbi çështjen çame me historianin Dr. Isa Blumi i Universitetit Stockholm dhe me Doktoren e shkencave juridike, Rudina Jasini, eksperte e ligjeve ndërkombëtare penale dhe e të drejtave të njeriut, pranë Universitetit Oxford. Diskutimi i dy ekspertëve do të zhvillohet nëpërmjet platformës “webinar”, duke filluar nga ora 11:00 paradite, sipas orës së Bostonit, këtë të diel, më 16 maj, dhe do të pasohet me pyetje-përgjigje. Diskutimi do të drejtohet nga Deni Hoxha, Kryetari Shoqatës së Studentëve Shqiptarë në Harvard, sipas njoftimit të studentëve shqiptarë të Harvard-it, të shpërndarë disa ditë më parë në rrjetët sociale.

Kolegji Harvard administrativisht është pjesë e Universitetit të njohur botërisht, Harvard, më i vjetri universitet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i themeluar në vitin 1636, por që edhe pas më shumë se 400 viteve të ekzistencës, gjithnjë vazhdon të tërheqë udhëheqsit dhe akademikët më të njohur të botës, por edhe studentët më të mirë nga të gjitha anët e botës. Në këtë ambient, studentët shqiptarë të këtij instituti të lartë të dijes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë themeluar Shoqatën e Studentëve Shqiptarë pranë Kolegjit Harvard. Është kjo një organizatë e cila i bashkon studentët me origjinë shqiptare si edhe studentët e kombësive të tjeram të interesuar për kulturën, historinë dhe çeshtjet e Shqipërisë dhe të shqiptarëve.  Shoqata shërben si një ent që vë në dukje – për komunitetin akademik të Harvardit, por edhe më gjerë – çeshtjet shoqërore, ekonomike, historike dhe politike që u interesojnë shqiptarëve anembanë botës, duke organizuar diskutime, ngjarje kulturore, forume e tjera.  Në këtë frymë, këtë të diel, Shoqata e Studentëve Shqiptarë të Kolegjit të Harvardit do të zhvillojë diskutimin via platformës “webinar” mbi çështjen çame – 77 vjetë mohim. Të interesuarit që dëshirojnë të marrin pjesë ftohen të regjistrohen sipas informacionit më poshtë në njoftimin e bashkangjitur.

Historiani, filozofi, poeti dhe novelist Xhorxh Santayana, i cili ka studiuar pikërisht në Kolegjin Harvard – ku edhe po organizohet diskutimi për masakrën e Çamërisë — ka një thënie që i atribohet atij në lidhje me nevojën për t’u përballur me krimet e historisë: “Ata të cilët nuk e kujtojnë të kaluarën janë të dënuar që ta përsërisin atë”.  Historia e Kombit shqiptar është plot masakra, nga fqinjtë kundër shqiptarëve dhe nga shqiptari kundër shqiptarit. Mjafton të kujtojmë 50-vjet krimet e komunizmit në Shqipëri dhe anembanë trojeve shqiptare. Historia njeh masakrën e Çamërisë, atë të Tivarit dhe masakrat e shumta otomane, serbe e malazeze kundër shqiptarëve gjatë shekujve, përfshirë edhe krimet kundër njerëzimit të forcave terroriste të Serbisë kundër shqiptarëve në Kosovë gjatë luftës së fundit atje, me qëllim të spastrimit etnik, por për to nuk flitet aq sa duhet.

Ata që më njohin e dinë se unë (megjithëse nuk jam vetëm) kam humbur shpresën në këtë klasë politike shqiptare të 30-viteve të kaluara se do të sjellin ndryshimin, se pas pothuaj 50-vjet robërie komuniste ata do të sjellin lirinë, demokracinë dhe të drejtat e njeriut për të gjithë dhe pa dallim, se ata do ishin udhëheqësit shqiptarë post-komunistë që, më në fund, të çliruar nga ideologjia komuniste, do të përballen me të kaluarën e vështirë, me krimet dhe me masakrat e kryera kundër shqiptarëve anembanë trojeve historike shqiptare. Ishte një shprersë e kotë. Shpresa ime dhe e shumë të tjerëve mbetet brezi i ri i shqiptarëve brenda dhe jashtë trojeve, por sidomos të rinjët shqiptarë që po edukohen në Perëndim, siç janë studentët që po e organizojnë këtë të diel diskutimin, në nivel akademik në një institucion të lartë arsimor amerikan, siç është Harvard College, mbi çështjen e Çamërisë, të cilën ata e përmbledhin duke dhënë një historik të shkurtër të kësaj tragjedie:

“Çështja Çame: Pushtimi Grek i Çamërisë 1912-1913 i la Shqiptarët Çamë jashtë kufijve të vendit të tyre të lindjes. Nga 1913 e tutje, popullsia çame shqiptare ra në mënyrë të dukshme, për shkak të persekutimit, dëbimit të detyruar dhe spastrimit etnik. Shtytja e fundit ishte më 1944-1945, kur nisi një fushatë brutale nga forcat greke kundër popullsisë shqiptare çame autoktone. Forcat paraushtarake greke kryen një numër mizorish në shkallë të plotë, përfshirë masakrat ndaj burrave, grave dhe, madje, edhe foshnjave. Ndërsa bota i mbylli sytë ndaj kësaj masakre, rreth 25.000 refugjatë çamë e kaluan kufirin në Shqipëri dhe mbi 2.000 çamë u vranë.  Sot, çamët formojnë një komunitet prej të paktën 250.000 banorësh në Shqipëri, 100.000 në Turqi dhe 70,000 në Shtetet e Bashkuara. Parlamenti i Shqipërisë shpalli 27 Qershorin si Ditë të Gjenocidit Grek Shovinist kundër Shqiptarëve të Çamërisë. Ndërsa, 77 vjet më vonë, Greqia ende e mohon ekzistencën e çështjes çame dhe madje mohon edhe ekzistencën e një pakice shqiptare në Greqi”, thuhet në njoftimin për media të Shoqatës së Studentëve Shqiptarë pranë Kolegjit Harvard.

Prezantuesit kryesorë të çështjes çame në këtë diskutim janë Dr. Isa Blumi, Porfesor i Asociuar i Studimeve Turke dhe Lindjes së Mesme në Universitetin e Stokhomit, i cili do të flasë për rrënjët historike të ngjarjeve që çuan në okupimin e Çamërisë dhe në pushtimin përfundimtar nga forcat greke, gjë që çoi në aneksimin e imponuar ndërkombëtarisht të asaj krahine, duke e ndarë nga territoret tjera shqiptare. Profesor Isa Blumi do të flasë gjithashtu edhe për mekanizmat ndërkombëtar që e kanë lehtësuar ndarjen territoriale nga otomanët, bazuar në kritere që çuan në shpopullimin e Çamërisë nga shqiptarët autoktonë.

Ndërsa folësja tjetër në ketë diskutim, Dr. Rudina Jasini, avokate dhe studiese e specializuar në të drejtën penale ndërkombëtare dhe në fushën e të drejtave të njeriut në Univresitetin e Oksfordit do të ofrojë për pjesëmarrësit një perspektivë të thellë të sfidave ligjore dhe politike të çështjes çame, si dhe mënyrat dhe rrugët ligjore dhe forumet ndërkombëtare ku mund të diskutohet çështja çame.

Një nga tiparet më karakteristike të përballimit me të kaluarën historike dhe me zbulimin e së vërtetës është dëshira për të njohur atë histori dhe për të vendosur për të kërkuar drejtësi me ligj për grupet e dëmtuara dhe të shtypura, historikisht. Shumë aspekte të historisë së çamëve shqiptarë janë shumë pak të njohura ose të keqinterpretuara, falë një numri të madh masash dhe dekretesh të miratuara nga qeveritë dhe autoritetet greke gjatë dekadave.

E përshëndes Shoqatën e Studentëve Shqiptarë të Kolegjit Harvard për nismën e tyre fisnike dhe uroj që ky diskutim të jetë një kontribut i vyer drejt vendosjes së drejtësisë dhe të zbulimit të së vërtetës historike dhe të vuajtjeve të shqiptarëve çamë. Është vërtetë një freski shpirtërore, morale dhe patriotike kur sheh një grup studentësh shqiptarë të edukuar në Perendim, sidomos këtu në Shtetet e Bashkuara, të interesuar për të trajtuar ngjarje të rënda nga historia e hidhur e shqiptarëve, siç është çeshtja çame. Seminare të tilla në nivel akademik, jo vetëm që kontribojnë në zbulimin e së vërtetës historike mbi çështjen çame, por ndihmojnë, njëkohësisht, edhe në ndërtimin e urave të pajtimit midis dy vendeve dhe dy popujve, duke forcuar kështu paqen dhe sigurinë në rajonin ballkanik dhe në Evropë.

 

 

Comment

*