Në Kosovë, arrestohet një shqiptar i dyshuar për pjesëmarrje në Masakrën e Izbicës

Prishtinë, 31 mars 2021 – Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se një person është arrestuar të mërkurën në bazë të dyshimit se ka kryer veprën penale “krime lufte kundër popullsisë civile”.

Në njoftimin e prokurorisë thuhet se i arrestuari, me inicialet M.A. shtetas i Republikës së Serbisë, i përkatësisë kombëtare shqiptare, “dyshohet se ka marrë pjesë në Masakrën e Izbicës, gjatë luftës në Kosovë”.

Mediet në Kosovë raportojnë se personi i arrestuar sot është Muhamet Alidemaj nga fshati Kërrninë i komunës së Istogut. Prej vitit 1999, kur ishte larguar nga Kosova bashkë me forcat serbe, ai ka jetuar në Serbi.

Sipas medieve kosovare, ai nuk kishte ardhur në Kosovë asnjëherë, deri të dielën. Familjarët dhe të afërmit e tij i kanë uruar mirëseardhje dhe kanë postuar fotografi në rrjetet sociale, informacion ky i vlefshëm për prokurorinë dhe policinë e Kosovës.

Një qytetar nga Istogu që ka dashur të mbetet anonym, ka deklaruar se në kohën kur kishte ndodhur masakra e Izbicës, e kishte parë Muhametin bashkë me serbët e Kërrninës.

“Kur ka ndodhur masakra e Izbicës unë nuk kam qenë fort larg. Vet i treti kam qenë. Kur ka ardhë me serbë të Kërrninës është ngjitur një rruge përpjetë. I kemi pare. Natyrisht që e kam njohur dhe e njoh ende, ndonëse kishte ndryshuar shumë pas 23 vjetësh, sepse ai ka ikur në Serbi, bashkë me forcat serbe”, ka deklaruar ai.

Më 28 mars të vitit 1999, në fshatin Izbicë të rajonit të Drenicës, forcat serbe kryen një nga masakrat më të rënda, ku vranë 147 shqiptarë.

Trupat e të vrarëve që ishin varrosur nga të mbijetuarit, ishin zhvarrosur më pas nga forcat serbe dhe ishin shpërndarë në vende të ndryshme, në Kosovë dhe në Serbi, për të fshehur gjurmët e mizorive të tyre.

Trupat e 15 prej shqiptarëve të vrarë në Izbicë nuk janë gjetur ende.

(r.m.)