Në Kosovë arrijnë edhe 38.400 doza të vaksinës “AstraZeneca”

Prishtinë, 12maj 2021 – Në Kosovë kanë arritur 38,400 dozat e vaksinës kundër koronavirusit përmes programit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili ka për qëllim shpërndarjen e vaksinave në vendet e varfra.

Lajmin e kanë konfirmuar Agjencia për Fëmijë e Kombeve të Bashkuara, UNICEF dhe zyra e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Shpërndarja e vaksinave AstraZeneca, sipas UNICEF-it, do të bëhet në bazë të planit kombëtar të vaksinimit të Kosovës.

Ky është kontigjenti i dytë i vaksinave që Kosova pranon nga program COVAX, pasi më 28 mars, kishte arritur dërgesa e parë me 24.000 doza të vaksinës.

Këtë javë dhe javën e kaluar, vendi ka pranuar edhe dy kontingjente vaksinash Pfizer/BioNTech, me mbi 7,000 doza në total, si donacion nga Bashkimi Evropian.

BE-ja ka ndarë gjithsej 95,000 doza të vaksinave për Kosovën, të cilat do të shpërndahen gradualisht.

Kontingjentin e ri të vaksinave në kuadër të Aleancës COVAX e pranuan kryeministri, Albin Kurti, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ambasadori i Britanisë së Madhe, Nicholas Abbott, Shefi i Zyrës së BE-së, Tomas Szunyog, ambasadorët e Francës dhe Gjermanisë, drejtori i UNICEF-it, Murat Sahin dhe drejtoresha e Misionit të USAID në Kosovë, Lisa Magno.

Të mërkurën ka filluar vaksinimi i personave mbi 65 vjeç kundër koronavirusit.

Radhë të gjata të qytetarëve janë krijuar te salla e sporteve “1 Tetori” në Prishtinë, ku po vazhdon vaksinimi kundër COVID-19.

This image has an empty alt attribute; its file name is Ne-radhe-per-vaksinim_Prishtine.jpgNiman Bardhi, koordinator për vaksinim në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, i tha Radios Evropa e Lirë se rradhët e qytetarëve janë krijuar pasi nuk është përcjellë mesazhi në mënyrë të duhur që kjo grupmoshë do të vaksinohet në komunat përkatëse nga data 15 maj.

“Është e pamundur që këtë grupmoshë ta kthejmë mbrapa dhe kjo është arsyeja që është mbipopulluar salla 1 Tetori. Në vend që të presin datën 15 dhe të vaksinohet në komunat e tyre, të gjithë kanë ardhur në sallën 1 Tetori”, tha Bardhi.

Sipas planit shtetëror, vaksinimi në Kosovë është ndarë në tri faza.

Personat 65-79 vjeç bëjnë pjesë në fazën e dytë, ashtu si edhe mësimdhënësit dhe forcat e sigurisë, të përfshira në menaxhimin e pandemisë.

Në fazën e parë, që ka nisur në fund të marsit, janë vaksinuar punëtorët shëndetësorë, personat mbi 80 vjeç dhe personat me sëmundje kronike.

Në fazën e tretë, ndërkaq, pritet të bëhet vaksinimi i 50 për qind të popullsisë së Kosovës.

(REL)

Comment

*