Në Kosovë, as mbrojtje as drejtësi për gratë që janë viktima të dhunës

Prishtinë, 26 tetor 2021 – Mungesa e hetimeve që çojnë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, dënimet e ulëta të autorëve nga gjykatat dhe reagimi i joefikas i policisë janë disa nga faktorët që po ndikojnë në rritjen e numrit të rasteve të dhunës në familje.

Ky është vlerësimi i Rrjetit të Grave të Kosovës.

Sipas të dhënave të Prokurorisë së Shtetit, për nëntë muaj të vitit 2021, në Kosovë janë regjistruar 1.548 raste të dhunës, prej të cilave 1.396 janë kualifikuar si dhunë në familje. Në 445 raste ka pasur kërkesa për urdhër-mbrojtje të viktimave të dhunës në familje, kurse në 36 raste janë lëshuar urdhër-mbrojtje emergjente për viktimat.

Adelina Berisha, menaxhere e programit kundër dhunës në baza gjinore në Rrjetin e Grave të Kosovës, la thënë se mostrajtimi i rasteve ashtu siç duhet, po bën që të ketë rritje të rasteve të dhunës ndaj grave.

“Policia shpesh e merr rolin e ndërmjetësuesit dhe ka tendenca për fajësimin e viktimës. Në Prokurori kemi mungesë të hetimeve dhe shpesh nuk dinë të bëjnë hetime siç do duhej, që do të çonin deri te zgjidhja. Nga gjykatat shpesh kemi vendime të cilat janë qesharake karshi veprës së rëndë që ushtruesit e dhunës e kanë shkaktuar”, ka thënë Berisha për Radion Evropa e Lirë.

Berisha ka treguar se gratë dhe vajzat, apo edhe persona të tjerë, të cilat drejtohen te autoritetet kompetente, hasin në vështirësi të mëdha.

“Edhe pse nuk është as në mandatin e shumë zyrtarëve policorë, dhe as të zyrtarëve tjerë nga qendrat për punë sociale, ata tentojnë ta bëjnë pajtimin mes çifteve edhe kur ka forma të ashpra të dhunës, apo kur dhuna është mes personave të panjohur, prapë mundohen ta minimizojnë dhunën dhe në njëfarë forme më shumë fokusi vihet te pajtimi i viktimave dhe ri-traumatizimi i tyre, sesa që të mblidhen prova dhe ushtruesi i dhunës të dalë para drejtësisë”, ka thënë Berisha.

Media në Kosovë kanë raportuar të hënën se Gjykata Themelore në Pejë ka dënuar vetëm me 8 muaj e 8 ditë burgim një person i cili ka përdhunuar një vajzë të mitur.

Nazife Jonuzi, drejtoreshë e Qendrës për Mbrojtjen edhe Rehabilitimin e Grave dhe Fëmijëve “Liria”, konsideron se dënimet që marrin dhunuesit janë shumë të ulëta dhe se sipas saj, ky është një prej faktorëve që ka rritje të numrit të rasteve.

“Riintegrimi është një ndër sfidat më të mëdha. Çka pas strehimit? Ku shkojnë gratë? Është shumë e dhimbshme se 80 për qind e grave kthehen prapë në ambientet e dhunës për arsye të riintegrimit, pagesat e qirave, mungesa e punës. Ne e dimë se punësimi është shqetësim i madh edhe për burrat edhe për gratë, mirëpo këto raste janë më shumë të atakuara. Riintegrimi nuk është vetëm sigurimi i një qiraje, por mungojnë banesat sociale”, ka thënë ajo.

Jonuzi ka thënë se në Kosovë ende ka pabarazi të mëdha dhe se, sipas saj, raportet në publik dallojnë shumë nga gjendja faktike në terren.

“Ende është ajo stigma, paragjykimi se gratë duhet ta mbyllin gojën, duhet të qëndrojnë në shtëpi dhe nuk duhet ta denoncojnë dhunën. Pabarazitë në familje ende janë shumë të mëdha”, ka thënë ajo.

“Shkaktarët e krimit duhet të ndëshkohen”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë të hënën, më 25 tetor, në konferencën e organizuar nga Kryeprokuroria e Shtetit, me titull, “Java për të Drejtat e Viktimave të Krimit”, se dhuna ndaj grave është bërë sfidë, jo vetëm për institucionet, por edhe për shoqërinë kosovare në përgjithësi.

“Ne nuk mund të heshtim ndaj kësaj gjendjeje, sikur nuk mund të heshtim as ndaj nevojës për mbështetje me të madhe të viktimave. Shkaktarët e krimit duhet të ndëshkohen, kurse viktimat duhet të rehabilitohen të inkurajohen dhe të mbështeten institucionalisht”, ka thënë Osmani.

Ajo ka thënë se ndryshimet pozitive arrihen duke punuar në zbatimin e ligjit dhe se mosndëshkueshmëria e krimit kërkon zero tolerancë.

Kurse Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka thënë se përpjekjet e sistemit prokurorial janë të vazhdueshme në parandalimin e krimit. Por, ai ka pranuar se autoritetet janë të vetëdijshme se ende duhet bërë punë dhe përkushtim nga institucionet e drejtësisë për të parandaluar dhunimet, keqtrajtimet dhe vrasjet.

“Këto çështje duhet të trajtohen me prioritet gjatë punës së përditshme të prokurorëve, policëve hetuesë dhe punonjësve të tjerë të sistemit të drejtësisë. Prandaj, përkushtimi ynë duhet të jetë në koordinim dhe bashkëpunim sa më të ngushtë ndërmjet institucioneve ligj-zbatuese, që në asnjë moment të mos ketë neglizhim në ndjekjen dhe ndëshkimin e atyre personave që cenojnë të drejtat, liritë themelore dhe vlerat tjera të garantuara me kushtetutë dhe konventat ndërkombëtare”, ka thënë Lumezi.

“Nuk kemi jetë për të humbur”

Ministrja Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, ka ftuar të hënën të gjithë bartësit e sistemit të drejtësisë që të marrin përgjegjësi që t’i dilet ballë kësdaj sfide.

“Thërras Policinë, prokurorët e gjyqtarët që të kryejnë detyrat e të mbrojnë jetët e vajzave dhe të grave. Nuk kemi jetë për të humbur. Dhuna ndaj grave nuk është çështje private, këtë duhet ta dinë të gjithë. Prandaj si e tillë nuk mund të mbetet si e izoluar brenda mureve të shtëpisë”, ka thënë Haxhiu.

Ajo e ka cilësuar shqetësues numrin në rritje të dhunës ndaj grave dhe fëmijëve.

Nga janari i këtij viti deri në muajin qershor janë vrarë dy gra, kurse në vitin 2020 janë vrarë shtatë gra.

Autoritetet në Kosovë kanë shqiptuar gjoba të ndryshme për dhunë në familje, përfshirë burgimin me kusht, me gjobë apo dënime efektive.

(r.m.)

Comment

*