Në Kosovë do të themelohet Agjencia për Siguri Kibernetike

Prishtinë, 14 shtator 2022 – Qeveria e Kosovës e ka miratuar të mërkurën Projektligjin për Siguri Kibernetike.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se ky projektligj ka për qëllim të krijojë kushte dhe infrastrukturë për siguri më të lartë kibernetike në Republikën e Kosovës.

“Siç e dime, kohëve të fundit jemi përballur me sulme kibernetike që kanë cenuar funksionalitetin e shërbimeve. Përmes këtij ligji synohet të krijohen kushtet që të ketë siguri kibernetike në Republikën e Kosovës”, ka thënë Sveçla.

Ai ka thënë se Ligji për Sigurinë Kibernetike është një prej ligjeve për sigurinë e vendit gjatë vitit 2022.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se me këtë projektligj parashihet themelimi i Agjencisë për Siguri Kibernetike.

“Përmes këtij projektligji themelohet Agjencia për Siguri Kibernetike. Kjo agjenci do të kontribuojë për rritjen e kapaciteteve në fushën e sigurisë kibernetike”, ka thënë Kurti.

Ditëve të fundit, institucionet e Kosovës janë përballur me sulme kibernetike, të cilat kanë paralizuar disa shërbime për qytetarët.

(r.m.)

Comment

*